Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=70078
Anastas Kullurioti: E vėrteta pėr shkrimtarin dhe poetin arvanitas
(Dėrguar mė: 06/12/09) Arben LlALlA

Lidhja shqiptare e Prizrenit e mbajtur në qershor të vitit 1878 frymëzoi shumë shqiptar për të luftuar me çdo mjet për mbrojtjen e tokave që banoheshin nga shqiptarët autokton dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Pikërisht ky Kuvend i madh i bashkimit të shqiptarëve frymëzoji dhe shumë shqiptarë të Greqisë, ndër ta Anastas Kulluriotin. I cili punoji për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës kombëtare shqiptare në Greqi dhe jashtë saj. Për këtë figurë të ndritur shumë pak është thënë edhe shkruar, por në të vërtetë Anastas Kullurioti ka një aktivitet të pasur në letrat shqipe. Prandaj ky studim vjen për të plotësuar boshllëkun e dijes që kemi për këtë burrë të madh të kombit shqiptar që shkriu pasurinë e tij për ruajtjen e traditave dhe gjuhës shqipe. Kullurioti meriton të radhitet përkrah figurave si: De Radës, Elena Gjikës, Kristoforidhit, Frashëllinjëve, Çajupit, Thimi Mitkos etj. Ai ishte njëri nga kundërshtarët e mëdhenj të programit të mbretërisë greke për realizimin e “Megalo Idesë” e cila ishte projektuar nga Joanis Koletis, një vlleh i helenizuar i cili kishte punuar mjek i djalit të Ali Pash Tepelenës.
Anastas Kullurioti (1822-1887) është njëri nga figurat më të ndritura të shek.XIX, shkrimtar, gazetar, poet dhe mbledhës i folklorit të shqiptarëve të Greqisë. Anastasi lindi në vitin 1822 në lagjen Plaka të Athinës. Një lagje që është themeluar nga shqiptarët e Greqisë dhe ende banohet nga kjo popullsi autoktone që sot njihen dhe thirren me emrin arvanitas. Origjina e tij familjare ishte nga ishulli i Salaminës. Ishulli Salamina banohej nga shumicë popullsi shqiptare. Sot në këtë ishull ka rreth 40 mijë shtetas grek që në rrethin familjar flasin gjuhën shqipe.
Babai i Anastas Kulluriotit, Jani u vra në betejën e Akropolit më 24 prill të 1827. Jani Kullurioti luftoji përkrah gjeneralit Gjeorgjio Karaiskaqi i cili edhe ky hero ishte arvanitas dhe u vra në të njëjtën betejë më 23 prill. Në pllakën e Përmendores së kësaj lufte për pavarësinë e Greqisë figuron dhe emrin i heroit Jani Kullurioti.
Në moshë të re Anastas Kullurioti emigroi për të punuar në Amerikën e Veriut, ku edhe mbaroi studimet arsimore. Me tu kthyer në Athinë hapi një shtypshkronjë të cilën në gjuhën shqipe e shkruante “Zëri i Arbërisë”) dhe filloji të botonte libra edhe gazetën “Zëri i Shqipërisë”.
Aktivitetin si shkrimtar Anastas Kullurioti e ka filluar në fillim të viteve 1860. Libri i tij i parë që na ka rënë në dorë është: “Greece: her past condition under King Otho, her present requirements and tendencies, and her future prospects, ëith a feë ëords about the movement in favour of Prince Alfrend’s election as King of Greece” (Greqia: E kaluara e saj nën mbretin Oton, kërkesat dhe prirjet e saj të tanishme, parashikimet për të ardhmen e saj, me pak fjalë rreth lëvizjes në favor të zgjedhjes së Princit Alfrend si Mbret i Greqisë), dhe është i ndarë në kaptina. Kjo vepër u shtyp në gjuhën angleze në shtypshkronjën Harrison, Londër 1863. Disa kopje të këtij libri gjenden në bibliotekën e Kuvendit të Republikës së Greqisë. Në vitin 1876, do të botonte librin “Britania dhe kompania e huaj biblike: Bibla, Sinodit dhe Ministria e saj”. Pas botimeve të këtyre librave, ai do të botonte siç thamë më lartë gazetën “Zëri i Shqipërisë” nga 29 maj 1879 deri më 23 gusht 1880, gjithsej 40 numra. Gazeta shkruhej në gjuhën greke dhe artikujt me rëndësi botoheshin edhe në gjuhën shqipe me shkronja greke. Me mbylljen e gazetës Anastas Kullurioti botoji më 1882 abetaren për mësimin e gjuhës arbërore(shqipen) “ABAVATAR ARBËROR” si flitet dhe shkruhet gjuha arbërore në Greqi. Një libër në gjuhën shqipe dhe greke. Abetaria e Kulluriotit ka 220 faqe, me hyrje vetëm në gjuhën greke, e ndarë në disa kaptina si: hyrja historike e gjuhës shqipe, mbi shqiptimin e shkronjave shqipe, fjalë dy zërash, fjalë me dy shkronja, fjalë me tri shkronja, përralla, vargje popullore e proverba. (Ka ardhur koha që librat e Anastas Kulluriotit të studiohen dhe të botohet vepra e plotë e tij ashtu siç janë botuar veprat e Rilindasve të tjerë. Detyra jonë si studiues dhe historian është të zbulojmë dhe të lajmërojmë në aspektin historik me fakte për ekzistencën e librave të tij për gjuhën dhe folklorin shqip. Më tej është detyrë e gjuhëtarëve për të dhënë vlerësimet letrare dhe gjuhësore të veprave që ka shkruar ai).
Kullurioti mendonte se kjo abetare do të tu shërbente shqiptarëve të Greqisë për të shkruar në gjuhën e tyre amtare. Abetarja është shkruar me një alfabet me shkronja greke të cilat është ndryshme nga alfabetët e tjerë të gjuhës shqipe me shkronja greke që kanë përdoruar Naum Veqilharxhi, Marko Boçari, Kostandin Krostoforidhi etj.
Pas shumë vështirësisë që haste për përhapjes e gjuhës dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar nga mos asimilimi, vendosi të shkonte në vitin 1882 në ishullin e Salaminës nga e kishte origjinën e familjes me shpresën se atje do të gjente hapësirë për të përhapur mësimin e gjuhës shqipe dhe librat. Por kryetari i Bashkisë së Salaminës ju përgjigj: “Ne po mundohemi të bëjmë këta njerëz ta harrojnë këtë gjuhë, ndërsa ti na solle libra!”
Edhe pse Anastas Kulluriotit i dolën shumë pengesa, mbyllja e gazetës, zhgënjimin që morri në ishullin e origjinës, ai nuk e ndali punën për të botuar vepra të tjera. Në vitin 1883 botoi librin “Punim i vogël i gjuhës shqipes, që do të thotë: Të letrës nga gjirokastriti, bashkëpunëtori i Rilindjes”. Një vit më vonë, më 1884 botoi “Punim i vogël i gjuhës shqipe, që do të thotë: Referat që të bënë anëtarë të “Vëllazëria Shqiptare”
Në këtë vepër ai na jep disa të dhëna për shqiptarë si dhe rregulloren e shoqatës “Vëllazëria Shqiptare” të Greqisë. Në rregulloren e kësaj shoqate parashihej ruajtja e gjuhës dhe identiteti kombëtar shqiptar. Themeluesit e kësaj shoqate ishin njerëz me influencë në Greqi. Kryetar i përkohshëm u zgjodh Dimitri N. Boçari, i cili vinte nga familja e dëgjuar heroike e Marko Boçarit. Nënkryetar Jani Leka dhe sekretar Anastas Kullurioti. Ata rridhnin nga familje të heronjve arvanitas të kryengritjes të vitit 1821 për pavarësinë e Greqisë. Shoqata mban datën e themelimit më 14 qershor 1883, me nënshkrime të: Dhimitri Boçari(gjeneralmajor), Joani D. Leka, Joani L. Gusio(gjeneralmajor), Tim. D. Boçari(toger), Dhimitri J. Leka(nëntoger), G. P. Jolldashi(punonjës në ministrinë e ekonomisë), Anastas M. Çamadho(kapiten), Dhimitri N. P. Parisi(mjek), TH. B. Theoharis(ish-deputet), G. Papavasileo(mjek), Llazar A. Krieziu, Andonio Zigomala(deputet), Gjeorgjio N. Manxhavino(tregtar), Zafeirio Sarulu(pronar tokash, çifligar), Aleksandro Psilla(kapiten), N. M. Çamadho(major), Petraqi Anargjiro(ish-ministër), Dhimitri Dhuno(tregtar), G. Malea(ish-deputet), Anastas I. Kullurioti(pronar tokash, çifligar), Joani Zini(tregtar), Athanasio Ikonomu(avokat), Kostandin Vamba(avokat), Dhimitri Kanaqi(mjek), D. A. P. Meksi(mjek), Spiro Iliadhi(student), Andera Vasileo(avokat)