Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=73312
Dashuria shqiptare e Gerd Mylerit
(Dėrguar mė: 14/02/10)

Një histori e pazakontë dashurie në kufijtë e të pabesueshmes, por aspak e panjohur.E rrallë për atë kohë, por edhe me një personazh nga më të njohurit e futbollit botëror. Gerd Myler, një nga yjet e futbollit gjerman, nuk e kishte menduar asnjëherë se në vendin më të izoluar të Ballkanit, do të njihej me vajzën që i trazoi jetën. Ngjarja është lakuar disa herë në shtypin gjerman, anglez, europian dhe atë shqiptar. Edhe bashkëkohës në aktivitete të asaj kohe me “Mylerin e Madh”, e pohojnë këtë histori...!
Dashuria
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada, historia e dashurisë së futbollistit gjerman me vajzën krejtësisht të panjohur shqiptare, diku në ambientet e brendshme të hotel “Dajti”, vazhdon të përmendet edhe tani. Një gazetë periferike në perëndim të Francës, përmend faktin se ylli gjerman, “vjedhësi i golave dhe tmerri i vërtetë i portave kundërshtare, ishte i trazuar nga dashuria për një vajzë të vendeve nga Lindja, të cilën e kishte njohur sapo kishte shkelur në kryeqytet. Ju mohua kjo dashuri, jo nga e saponjohura, por nga shteti komunist”. Gerd Myler, një futbollist krejt i ri dhe i konsideruar si një nga talentet e së ardhmes gjermane, ka mbërritur në Shqipëri në vitin 1967. Nuk dihet se pse Helmut, Shëni i Madh, trajner i përfaqësueses, në atë takim përballë modestes shqiptare që drejtohej nga i madhi Loro Boriçi, nuk e aktivizoi Mylerin. Pas dy ditësh në hotel “Dajti”, vendi ku ishte akomoduar ekipi i përfaqësueses gjermane, ai ka mundur që të qëndronte në stolin e rezervave në atë takim. Por, nuk i ka ardhur keq që nuk ka qenë në fushë. Mbase aty në stol, ndërsa topi lëvizte në hapësirat e fushës, ka pasur mundësi të përjetonte një tjetër ndjenjë, pas njohjes e takimit me një vajzë shqiptare, e cila ia ka robëruar zemrën djaloshare. Ndoshta bukuria e saj, sharmi i një vajze krenare, e kanë bërë yllin e së ardhmes së ekipit të huaj që të vuajë shpirtërisht. Në vend që të mendonte për skema ku mund të kalonte topi që të gjente rrugën e rrjetës së portës, me siguri mendonte e thurte plane e skema njëkohësisht, për të siguruar qoftë edhe në një moment të vetëm, takimin që e tundonte dhe po e sfiliste me vajzën që i kishte hyrë tashmë në ëndrrat e tij. Nuk dihet nëse këtë sekret atë çast ai e kishte zbuluar edhe me shokët e ekipit, mikun e tij Bekenbauer, Netzerin apo Overatin, që ishin në zenit të shkëlqimit të tyre, duke e bërë Gjermaninë të rëndësishme në fushën e blertë dhe një ekip trofesh. Por, të nesërmen e ndeshjes ai është larguar, jo më shumë i shqetësuar nga ai barazim se sa nga “braktisja e vajzës së zemrës”. Pastaj do të duheshin katër vjet që të prekte sërish tokën shqiptare. Mezi e ka pritur. Në vitin 1971, Gjermania Perëndimore rikthehet në tokën shqiptare. Këtë herë, pa Shënin e Madh, por me përforcime serioze për të realizuar objektivin e vet. Ekipi shqiptar, nga ana tjetër mendon për të. Për neutralizim total. Një prej mbrojtësve tanë më me emër të asaj kohe, Bujar Canit, i ngarkohet detyra ta ndalojë Mylerin. Madje, për shkëmbim, “rregullimin e biografisë” pas kësaj. Gjë që nuk ndodhi në fushë. I “përhumburi” Gerd deri në minutat ku loja po shkonte drejt fundit në baraspeshë, në një sparkadë në krahun e majtë të portës, gjysmë i shtrirë ka devijuar dhe i ka ndryshuar drejtimin topit për ta përplasur në rrjetë. Mbase edhe për t’i kujtuar vajzës shqiptare, e cila duhej të ishte pas ekranit, se ishte një futbollist i madh dhe e meritonte një vend në zemrën e saj. Pas kësaj, ekipi gjerman u kthye triumfator në hotel “Dajti”. Hoteli atë mbrëmje patjetër ka rezervuar për dashnorin-futbollist një çast tjetër magjik. Nuk dihet nëse kishte rënë në sy të tyre historia e gjermanit me vajzën e hotelit deri në atë çast, por dihet mirë se pas largimit të ekipit gjerman, në tavolinat e Sigurimi të Shtetit dhe ministrit të Brendshëm të asaj kohe, ishte zbardhur romanca e dashurisë së Gerd Mylerit, nëntë herë “Këpuca e Artë e Europës”. Mund të jetë bërë edhe objekt bisedimi në njerëz të veçantë të byrosë politike, që kishin në varësi Ministrinë e Brendshëm dhe Sigurimin. Myleri, ndërsa po largohej nga Rinasi është ndjerë keq shpirtërisht, edhe pse u kishte dhënë shokëve të ekipit tri pikë të çmuara, pasi kishte lënë diçka nga vetja, atje në mes të Tiranës. Kishte mundur dhe ishte mundur. Kishte mundur ekipin shqiptar, dhe ishte mundur nga një vajzë shqiptare. Me këtë plagë në zemër do të jetonte ditë të këqija në jetën e tij. Mbreti i golit që shkatërronte ekipe, jetonte me një plagë në zemër, që shumë pak vetë e dinin. Ky intimitet po e sfiliste. Divi i futbollit gjerman jetonte të kaluarën, çastet që kalonte në fshehtësi në hotel ‘Dajti’, në qendër të kryeqytetit. Shpesh herë në intervistat e shumta që jepte indirekt për jetën e tij, atë të fshehtë dhe të mbyllur, theksonte se në Shqipëri femrat ishin të bukura. E kishte përsëritur disa herë këtë gjë, si në Tiranë, ashtu edhe më vonë në Gjermani.
Fati, me sa duket, po e dënonte. Ekipi nacional nuk po bënte pjesë më në grupe me shqiptarët. Çështje shorti. Kur ishte duke luajtur për një kohë përtej Atlantikut me ekipe amerikane, mëson se skuadra e HJK Helsinki do luante përballë Flamurtarit. Iu duk se pa një dritë në fund të tunelit të dashurisë. Këtë herë nuk mund që ta humbte këtë shans. Ishte vitit 1985, kur kishte vdekur edhe diktatori shqiptar. Gerd Myler, i vendosur në skemën e tij, hyn në tentativa dhe arrin t’u mbushë mendjen drejtuesve të ekipit finlandez të udhëtojë drejt Tiranës. Ishte i sigurt që vajza e zemrës e priste atje. Shtypi sportiv i ditës në Europë publikon pikërisht qëllimin e vizitës së yllit të futbollit në Shqipëri, ndoshta i dogji kartat dashnorit të përvëluar. Në Tiranë ishte gatuar mosardhja, pasi figuronte në skedat e Sigurimit. Ky futbollist i madh me magjinë e këmbëve, kish rrëmbyer zemrat e shqiptarëve, por nuk kishte mundur të bëhej dhëndri i tyre. Kjo ishte një goditje e madhe për njeriun-gol. Ai nuk mund ta përballonte dot dashurinë e tij të humbur, ndaj pa asnjë shpresë u lëshua në krahët e alkoolit. Kërkonte shpëtim aty. Franc Bekenbauer e afroi me dashurisë e tij të parë, topin magjik. Atje ku është edhe sot. Tashmë i është afruar moshës së tretë, por shtypi europian nuk i ka kursyer asnjëherë kronikat rozë për historinë e dashurisë me vajzën nga Tirana. Po kush ishte vajza që i prishi ëndrrat dhe e bëri që të vuajë legjendën e futbollit, Gerd Myler? Kronikat që e kanë ndjekur këtë histori dashurie, do ta quanin me emrin Hojna. Ish-punonjës të hotelit nuk pranojnë ta kenë njohur me këtë emër. Myleri, kështu e ka njohur dhe takuar në vitin 1967, dhe katër vite me pas. Ta ketë gënjyer vajza për emrin e vërtetë për shkak të frikës, apo ylli i kombëtares gjermane e ka prezantuar me këtë emër për të njëjtin shkak, duke e ruajtur të fshehtë në muret e zemrës së tij? Dilemat janë për t’u zgjidhur. Në këtë mes nuk përjashtohet edhe mundësia që e dashura e Mylerit të kishte qenë një punonjëse e sigurimit shqiptar, për ta tërhequr djaloshin që vinte nga veriu i Europës si talenti i së ardhmes. Pas shumë vitesh, atëherë kur u rrëzuan muret dhe komunizmi ra si një dinozaur prej letre, të paktën këtë herë nuk kishte kush t’i pengonte zemrat e lidhura në një dashuri gati të përjetshme. A erdhi dhe e shkeli tokën shqiptare Myleri në kërkim të asaj që kishte humbur 33 vjet më parë? Ai nuk është prononcuar më. Aq më tepër që të flasë për të shkuarën e jetës së tij. Kjo mbetet ende enigmë, të tjerat dihen tashmë. Gazeta franceze, “Sud West” e ripohon sërish këto ditë këtë të fshehtë të Gerd Myler, pa e caktuar vendin e vajzës së ëndrrave të trazuara e dashurisë fluide të legjendës.