Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=84522
Kapet nipi i Kusėve tė Kombinatit me pistoletė me fishek nė fole
(Dėrguar mė: 02/09/10)

TIRANE- Skuadra e Operacioneve Speciale prangos me një pistoletë me fishek në fole nipin e të vrarit në vitin 2007 në Kombinat, Durim Kusi. Erlind Kusi është ndaluar në zonën e fshatit Gropaj, në afërsi të Kombinatit në Tiranë. Sipas policisë, ka pasur informacione për lëvizjet e armatosura të Kusit dhe duke u nisur nga përplasjet e përgjakshme hakmarrëse mes bandave të Kombinatit ku janë përfshirë të afërm të tij, është reaguar menjëherë. Kusi kishte tentuar të largohej, por ishte ndjekur dhe ndaluar më pas nga policia. Ai është siguruar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku do të akuzohet vetëm për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. I arrestuari, sipas policisë është i afërm i Durim Kusit, të vrarë në 29 maj të vitit 2007. Ky i fundit u qëllua për vdekje nga Shkëlqim Avdyli. Vrasësi sipas deklarimeve të policisë në atë kohë, kishte qëlluar për të marrë hakun e vëllait Dritan Avdyli, i vrarë në vitin 1995. Për vrasjen e Dritanit ishte akuzuar dhe arrestuar, por më pas liruar Durimi. Ndërsa xhaxhai i Erlindit ishte akuzuar në vitin 2004 për atentatin e 5 marsit të po atij viti në rrugën “Llazi Miho”, për plagosjen e vëllezërve Festim dhe Altin Hoxha. Dy vëllezërit Hoxha u tërhoqën nga denoncimi dhe Kusi me Drizën u dënuan vetëm për “armëmbajtje”. Gjithsesi, përplasja mes tyre nuk ndali me dënimin “e lehtë” të gjykatës. Festim Hoxha dhe Petrit Driza janë vrarë në përplasjet që vijuan pas plagosjes. Ndërsa Altin Hoxha është i akuzuar për një nga vrasjet hakmarrëse. Të njëjtat burime thanë se kanë qenë pikërisht këto “regjistra” vrasjesh që alarmuan policinë pas informacioneve të lëvizjeve në gjendje të armatosur të Erlind Kusit. Arrestimi pritet t’i japë kohë policisë për të sqaruar dyshimet për lidhje të mundshme me krimet e mëparshme dhe lëvizjet e të riut të armatosur. ge.xha.