Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=86449
"Karl Gega" Shkolla qė kthen pesanjosėt nė profesionistė
(Dėrguar mė: 06/10/10) Eraldo Rexho

Diku në periferi të kryeqytetit ndodhet shkolla e mesme profesionale "Karl Gega"... Një shkollë që për nga vetë emri që mbart prezanton natyrën e profesioneve, të cilat mund të mësohen përmes saj... Vite më parë ishte një ndër shkollat më të preferuara në Tiranë, ndërsa sot për shkak të një sërë faktorësh është e harruara e 'fatit'. Gjëja e parë që të bie në sy sapo shkel në oborrin e kësaj shkolle është hapësira tejet e madhe që rrethon godinën, e cila në vend që të vihej në dispozicion të nxënësve, është e mbushur me shkurre, bimë e pemë të gjata. "Përgjithësisht nxënësit tanë i përkasin një niveli të ulët, por pavarësisht kësaj ne këtu u japim një zanat", shprehet drejtori i kësaj shkolle, Agim Jakupi në këtë intervistë të parë për suplementin "Gjimnazistët". Ndonëse sot niveli i shkollës lë shumë për të dëshiruar, për nga ana përgatitore e nxënësve, frekuentimi i tyre, përmbushja e kushteve për të zhvilluar praktikën, etj, mësuesit që japin mësim në këtë shkollë i përkasin elitës intelektuale, pasi pjesa më e madhe e tyre mbajnë titullin inxhinier dhe kanë minimumi 15 vite eksperiencë. Nga ana tjetër shumë emra të ndritura në fushën e dijes, politikës e artit kanë dalë nga kjo shkollë si: Aleksandër Meksi (ish-kryeministër), Fidel Ylli (Deputet i Parlamentit aktual dhe biznesmen), Forcim Softa (ish-Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit), Farudin Hoxha (Inxhinier i shquar), Arben Dervishi (pedagog), Spiro Vjero (pedagog), Ismail Ahmeti ("luani" i hidrocentraleve, ish-ministër), Demir Hyska (artist), etj. Këto janë vetëm disa nga emrat e atyre që janë arsimuar në këtë shkollë, pasi ka dhe shumë të tjerë që vijojnë karrierën e tyre në mënyrë të shkëlqyer... Po me çfarë u ndeshëm tjetër në takimin që patëm me shkollën "Karl Gega"? Le ta zbulojmë së bashku përmes intervistave të realizuara me drejtorin, nëndrejtorin, psikologen e shkollës si dhe me nxënësit e ndryshëm...
Drejtori i shkollës në formën e një rezymeje pa pasur nevojë për ndërhyrjen time, ndërton në mënyrë të detajuar historikun e kësaj shkolle dhe perspektivën që ka kjo shkollë për të ardhmen.
Shkolla "Karl Gega" ka rrjedhur nga shkolla "Harry Fultz", që ka pasur dy degë, ndërtim dhe përpunim druri. Kjo është një shkollë që nga vitet '55 u vendos në këtë godinë me dy degët: ndërtim, topograf, më pas nga viti '65 është hapur edhe dega e tretë: përpunim druri. Nga kjo shkollë kanë dalë me dhjetëra ndërtues, emra shumë të njohur, pedagogë universiteti, konstruktorë, njerëz që e kanë ndihmuar zhvillimin e Shqipërisë, të rrugëve, të ndërtimeve, të të gjithë gjërave, deri tek ish-kryeministri i vendit, Aleksandër Meksi. Është një shkollë me traditë, në fillim ka qenë shumë e fuqishme për arsye se erdhën profesorë të edukuar në vendet e lindjes, apo edhe në Evropën Perëndimore, dhe ata sollën dhe kulturën e asaj kohe. Më pas, mbas demokracisë, shkollës iu zbeh shkëlqimi, sepse ndryshuan raportet, mendësitë e njerëzve. Për njerëzit shyqyr që u liberalizua universiteti dhe të gjithë donin dhe duan akoma që të kenë diplomën në xhep, por nuk e kuptojnë që perspektiva e Shqipërisë është nëpërmjet shërbimeve. Të kemi hidraulik shumë të mirë është e vështirë, pasi edhe sot në popull me zor gjendet një i tillë, ndërsa inxhinierin e zotë e gjejmë kollaj. Shqipëria në një të ardhme jo të largët do të ketë nevojë për ndërtues shumë të mirë, përpunues të drurit, mobilier të zotë, apo rrobaqepës shumë të mirë. Do të vijë koha që një pjesë e mirë e këtyre që mbarojnë universitetin do të mbeten dhe pa punë, sepse të gjithë gazetar, jurist, e ekonomist s'do të bëhen. Ndërsa shërbimet gjejnë gjithmonë vend, të gjithë kanë nevojë për hidraulikun, për elektricistin, për muratorin, për bojaxhiun. Shumë shpejt do të vijë kjo kohë, qeveria në fakt kuptohet edhe me mbështetjen e Komiteti Evropian, po bën programe të strukturuara sipas kurrikulës evropiane në mënyrë që arsimi profesional të funksionojë sa më mirë. Certifikatat që jepen sot njihen edhe në Evropë, sepse po ecim me sistemin e Bolonjës. Kështu që perspektiva e kësaj pune është që shkolla profesionale të gjejë vendin e vet në shoqërinë dhe në zhvillimin shqiptar. Ne këtu në shkollë përpara disa vjetësh, kemi pasur pak nxënës, sivjet është rritur numri sepse dhe ne po bëjmë një kujdesie shumë të madhe, mësuesit janë shumë të mirë... Këtu ke mësues me përvojë, ke inxhinierë, ke mësues matematike shumë të mirë, mësues letërsie shumë të mirë dhe falë tyre këto vitet e fundit në maturën shtetërore nxënësit tanë kanë kaluar. Kanë dalë mirë, nuk po them shumë mirë, por kënaqshëm. Problem sot për sot këtu është që nxënësit vijnë me pesa dhe ne mundohemi që këtë brumë që është shumë i vështirë ta përpunojmë me shumë kujdes, me takt... Këtu vërtet vijnë me pesa por zanatin e mësojnë ama. Nga bashkëpunimi që kemi ne me biznesin, nxënësit janë duke përfituar shumë. Plus kësaj po fusim frymën e teknologjive të reja në shkollë, po zhvillojmë mësim me lap-top dhe projektor, sidomos në lëndët inxhinierike, po marrim softet më moderne dhe ua shpjegojmë nxënësve. P.sh: marrim digat më të mëdha, marrim teknologjitë më të mira, i fusim në kompjuter dhe ua shpjegojmë se si do të jetë e ardhmja. Shkojmë në biznese të fuqishme ku nxënësit bëjnë praktika. Shkojmë nëpër pallate ku tani themelet bëhen me susta, themele antisizmikë, si në Japoni p.sh, edhe nxënësit ecin me teknologjitë e reja. Ju e shikoni dhe vetë sa ka ndryshuar ndërtimi, tani përnjëherë ngrihet një pallat, nuk është më punë rraskapitëse. Këto pluset e mësipërme kanë bërë që shkolla vitet e fundit të shikohet me interes më të lartë, pavarësisht se brumi vjen relativisht i dobët, me pesa, me gjashta... Ky është brumi që vjen, por dëshira edhe numri i nxënësve po rritet për shkollën. Këta kur mbarojnë këtu e gjejnë menjëherë veten në tregun e punës, n.q.s një me diplomë nuk gjen dot, këta tanët menjëherë afrohen. P.sh, po të shkosh te Megateku, në të gjitha repartet janë nxënësit e shkollës sonë dhe ata të Megatekut janë shumë të kënaqur me përgatitjen sepse ata kanë një kompani multidimensionale dhe nxënësit që dalin nga ne janë të aftë të mbulojnë shumë prej shërbimeve që ofrojnë ata. Kudo në repartet e tyre i gjen nxënësit tanë që trajnojnë njerëzit dhe i japin shpjegime për materialin që shitet... Janë shumë të kërkuar në tregun e punës dhe veç kësaj të gjithë janë anëtarë të shoqatave të ndryshme të biznesit. Në këto shoqata ata marrin dhe japin për teknologjitë e reja. Ata me ndihmën e mësuesve me përvojë po bëjnë modulet, librat, sepse ne kemi problem edhe me librat... Ne nuk kemi libra sot të teknologjive, sepse shtëpitë botuese nuk i botojnë për arsye se numri i nxënësve është i vogël dhe si pasojë edhe tirazhi është i ulët. Gjithashtu shkolla është duke krijuar lidhje kompanitë e huaja të cilat na kanë premtuar edhe pasurimin e bibliotekës dhe literaturës së shkollës, duke krijuar kështu një fon të vlefshëm, të njëjtë me shkollat e zhvilluara në botë. Jam i bindur që shumë shpejt shkolla profesionale do të jetë më e mirë se gjimnazi, sepse gjimnazi vërtet të jep kulturë, por të lë pa punë nesër, kurse shkolla profesionale të jep dhe kulturën dhe zanatin dhe punën...", përfundon drejtori Agim Jakupi...