Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=86507
Ditari i Sulo Gradecit: "Tė dėshmoja kundėr Enver Hoxhės? Synim i marrė, i papranueshėm"
(Dėrguar mė: 07/10/10)

Maj 1992
E tërë Shqipëria është bërë pre e presioneve të furishme. Tanimë jemi po aq të ndarë si dikur në kohët e lashta. Disa njerëz të pashkolluar, të mërishëm kanë goditur rëndshëm Lirinë. Në krye të turmave janë vënë ish-ithtarë të rrëmbyer të partive të vjetra. Gjithë kjo trazirë po merr përherë e më shumë prirje anti-demokratike. Askush nuk e di se ku shkojmë. Por mesa vë re ka nga ata, që duan një diktaturë ushtarake, gjë që populli nuk do ta honepsë kurrë. Thonë dhe shkruajnë se çburrërimi dhe paaftësia e kuadrove po e izolon Shqipërinë. Por e cilëve kuadro, të djeshëm apo të sotëm?
maj 1992
Gjithçka është e rëndomtë dhe vulgare. Mbetem në arrest shtëpie. Pothuajse ditë për ditë më thërrasin në Hetuesi. Më shoqërojnë njerëzit e mi. Puna e atjeshme është intensive. Në fytyrat e tyre nuk pashë asnjë shenjë fisnikërie, veçse një tufë nervash të tendosura. Një derë që herë mbyllej, herë hapej, herë futej njeri, herë futej tjetri. Nuk mungonte, në më të shumtën e rasteve, edhe prokurori. Ndihen të pafuqishëm përpara fakteve, por ndihen të fuqishëm nga pushteti. Tregohem i vëmendshëm ndaj pyetjeve dhe i kujdesshëm ndaj përgjigjeve.
10 qershor 1992
S'do të mund ta harroj për një kohë të gjatë ditën e sotme, kur sipas kërkesës së Kontrollit të Shtetit, më thirrën në Hetuesinë e Përgjithshme. Grupi i hetimit përbëhej nga kryehetuesi, Shkëlqim Kokona, hetuesi Petrit Qerimi dhe një përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme. Avokat-mbrojtës, ishte Përparim Sanxhaku. Akuza: "Shpërdorim i postit dhe përvetësim!" Që nga dita e sotme, lëvizjet e mia mbikqyren më shumë. Hetuesit, çdo ditë do të presin përballjen me mua, unë do të pres përballjen me ta. Ditët e para për të shkuar në Hetuesi më shoqëruan njerëzit e mi: Ademi, Myrdari, Hajdari dhe Faslliu. I pashë të psherëtinin, por nuk e lëshonin veten: më mbushën me humor, më shkarkuan nga mërzitja, por më dhanë edhe një këshillë: "Mos u revolto!" Dita e parë si dita e parë. Pyetje të përgjithshme, por të gjitha me tendencë. Më "shponin", por edhe më lëndonin. E kuptova që kishin një dëshirë të madhe të më shikonin të trembur, por dëshira e tyre mbeti thjesht dëshirë. Dhe i vazhduan pyetje-përgjigjet me orë të tëra. Më pas më lanë të dilja jashtë, ndërsa ata mbeten brenda. Unë "i lirë", ata të "burgosur".
Bashkë me Ademin, Myrdarin e Asllanin u kthyem në shtëpi. Nuk ndenjëm pa e pirë një gotë raki nga ajo e Skraparit.
Rreth orës dhjetë dëgjova një trokitje të fortë te dera.
E hapi Liria. "- Jemi të Hetuesisë së Përgjithshme! Do të bëjmë sekuestron e pajisjeve të shtëpisë!" Më paraqitën vendimin e mëposhtëm. E lexova. "Vendim: Për kryerjen e sekuestrimit. Në Tiranë, më datë 11.11.1991. Shkëlqim Kokona, hetues i Hetuesisë së Përgjithshme, pasi studiova materialet e dosjes hetimore nr. 5 që bëjnë fjalë për krimet e përvetësimit të pasurisë shtetërore dhe shpërdorim detyre në ngarkim të Sulo Gradecit konstatova:
Se mbi bazën e materialeve të ardhura nga komisioni i kontrollit, Hetuesia ka filluar çështjen penale në ngarkim të pandehurit Sulo Gradeci duke e akuzuar per krimet e përvetësimit të pasurisë shtetërore dhe shpërdorim të detyrës me pasojë dëm ekonomik, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 62 e 13 dhe 106 e 13 të Kodit Penal. Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara në dosjen hetimore ka rezultuar se: I pandehuri Sulo Gradeci, ka kryer detyrën e komandantit të repartit 3001, grupi i shoqërimit të ish-sekretarit të parë të PPSH, Enver Hoxha. Me akte normative, per llogari të këtij reparti, është hapur për periudhën 1983-1986 një fond valute e huaj dollarë për t'u përdorur për nevojat e shpenzimeve për dieta etj të ekipit mjekësor dhe grupit të shoqërimit me shërbimet jashtë shtetit.
I pandehuri Sulo Gradeci është akuzuar se në bashkëpunim me persona të tjerë ka përvetësuar shumën 2268.89 dollarë dhe si rezultat i veprimeve, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, i ka sjellë një dëm pasuror shtetit në shumën 30791 lekë. Për shkak të sigurimit të padisë civile me procesin penal, është e domosdoshme masa e sekuestros mbi pasurinë e lujtshme ose të palujtshme (në rast se ka), pronë e të pandehurit Sulo Gradeci. Në këto rrethana në bazë të nenit 91, paragrafi i tretë të Kodit të Procedurës Penale u vendos: Masa e sekuestros mbi pasurinë, pronë e të pandehurit Sulo Gradeci. Kopja e vendimit t'i komunikohet të arrestuarit.
Hetuesi Shkëlqim Kokona" Sa më sipër firmosa. "-Tani, bëni detyrën!"- u thashë. Më këmbë ata, më këmbë ne, unë dhe Liria.
Nxori bllokun njëri prej tyre. Më kryesori numëronte me zë çdo gjë, më i rëndomti mbante shënim. I vështroja me zemërim, por nuk e prisha gojën. L. i vështronte me dëshpërim, por ruante një qetësi të urrejtshme. "- Këtu janë librat e Enver Hoxhës, u thashë. Do t'i mbani shënim?" E kuptuan menjëherë ironinë.
"- Jo, ato jo", më thanë. "- Mbajini shënim se edhe ato janë prona ime, prona e kësaj shtëpie..." "- Jo, jo", përsëriti më kryesori. Në mur qëndron një fotografi: Enver Hoxha dhe unë. Kalimthi i hidhnin nga një shikim... Ikën pasi bënë rrëmujë gjithçka.
19 qershor 1992
Lufta për reforma e ndryshime, në fillim (fillim është edhe tani që po shkruaj unë), duket si një lojë, përkundrazi, është diçka shumë serioze. Zotërinjtë ish-çifligarë dhe ish-bejlerë, ish- të dënuar politikë, ish-kriminelë, janë shkruar e anëtarësuar në ish-parti të vjetra dhe në parti të reja. S'është zor i madh, sot, të vrasësh një njeri, t'i afrohesh tinëz dhe t'ia zbrazësh tërë krerin e fishekëve të kallashit. S'është zor i madh, sot, të shpifësh, ta mbash në gjendje arresti një njeri apo ta çosh në burg. Unë e shoh situatën me një sy pesimisti. Edhe pse ka gjashtë-shtatë vjet që ka vdekur Enver Hoxha, ai është i gjallë dhe për këtë arsye sipas forcave të errta duhet "ekzekutuar"!
"- Një spastrim Shqipërisë nga komunistët!" Ky është ultimatum.
"Të jem edhe unë në listën ogurzezë?" Jetoj i qetë si të gjithë pensionistët, veteranët e tjerë të luftës. Por prapë ndiej se diçka po afrohet. Një diçka e përbërë nga ngjarje të reja, nga mllefe të vjetra, nga sy të çakërritur, nga zëra të nervozuar. Duket ashiqare. Asnjë "burrë shteti" nuk guxon të protestojë. Pushteti është i lëshuar nga dora. Kjo është makina më e çudibërëse për të joshur personazhet tronditëse: keq-bërësit, forcat e errëta. "- Të kapen, të kapen, një nga një besnikët e Enver Hoxhës dhe të arrestohen!" Ky është urdhri! Jam ngritur që herët. Bie shi. Fryn erë. Ndeza televizorin, por jo cigaren. Kam nisur ta ndiej veten me të preokupuar pas vendimit që më komunikuan:
"- Nuk do të shkosh në asnjë vend pa lejen tonë!"
"- As për pirë një kafe?"
"- Jo, as për të pirë një kafe".
"- As në shtëpinë e vëllait?
"- Jo, as atje!"
Ky dialog më bie çekan në kokë. Ndodhem në arrest shtëpie, fizikisht, por shpirtërisht, jo, kurrë! Kanë ardhur kohë të vështira. Shqipëria po tundet nga themelet. "- E gjithë puna është tani të shpëtosh kokën!" Kështu më tha një miku im.
Ndërsa, dy të tjerë që ishin aty afër, duke më hedhur sytë rrëmbimthi thoshnin: "- Komunistëve u duhet treguar vendi, ish-komunistëve sot u duhet thënë: pa hë, zotërinj të nderuar, pa hajt t'ju rrasim njëherë në birucë...!" "- Patjetër, por, prapë e prapë, kjo punë duhet bërë me humanizëm..." Thashë me mendjen time, ku dinë këto kashturina nga bie humanizmi? Çështja që është shtruar sot është kjo: A jetë, a vdekje, a liri, a shtypje.
Pushteti i Bufit, i Pashkos apo i Karamuços është i ngritur mbi këmbë prej gipsi. Vepra e tyre është e çveshur nga parimet morale, pra edhe jetëgjatësia e pushtetit fals. Sipas mendimit tim, sot nuk ka dhe nuk mund të ketë politikë të lirë nga të ashtuquajturat pasione e qëllime të ulëta. Aq më tepër që politika nuk mund të jetë e çveshur nga elementët kriminalë, sepse "është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të gjendet një kufi i detyrueshëm për të gjithë midis krimit dhe dhunës politike". Një farë terrori, me sa vë re, nuk do të kufizohet vetëm me spastrimet, me përndjekjen e ish-komunistëve, me përndjekjen e atyre që kanë qenë pranë Enver Hoxhës, ata do të jenë karakteristikë e punës në vazhdim, e sistemit.
Duke gjykuar të gjitha rrethanat, do të thosha se klani i pushtetarëve kënaqet me ndëshkimin e kundërshtarëve të vet.
Për të shpjeguar këtë, vini re se ç'po bëhet me personin tim. As që duan të më shikojnë me sy. Se mos dua unë që t'i shikoj!
Nisën kontrollet në gardë atje ku bëhej furnizimi! Më kanë futur në një rresht me "bllokmenët"..
5 korrik 1992
Që nga dita e djeshme ndiej një neveri të thellë për ata që luajnë me ligjet. Revoltohem, kur mendoj se këta pseudojuristë duan të dhunojnë emrin tim. Unë s'kam dashur gjë tjetër në jetën time sesa ta kaloj jetën të ndershme. Mirëpo, ç'mund të ketë gjë më të paarsyeshme sesa të interesohen, "për të më kapur", kudo që punoja, bie fjala, për të kryer detyrën e komandantit të shërbimit për ruajtjen fizike të sekretarit të Parë të KQ të PPSH, Enver Hoxha? Nga mënyra se si më pyesin, nga mënyra se si këmbëngulin në kontrollet e bëra deri më sot, brenda dhe jashtë shtetit për veprimtarinë time, po ndiej erën e hakmarrjes që sipas mendimit tim do të arrijnë deri në burgosjen time politike.
Këtë e dëshmojnë edhe gazetat, të cilat e kanë bërë pronë publike emrin tim! "Nuk do të fshihem asgjëkundi. Po më kërkuan për hesap të tyre këtu në shtëpi do të më gjejnë. Do të sillem, ashtu sikur të mos kishte ndodhur asgjë… Vetëm nuk dua të sëmurem!" Sedra ime e lënduar mundohet që të gjejë arsyet, përse të më thërrasin mua në Hetuesi, në një kohë që në Ministrinë e Brendshme ka edhe një X. Ç, një R.J…? Pa shumë mundim kuptohet arsyeja: Të më bëjnë mua "kokë turku" që të shpëtojnë kokat e tyre.
8 korrik 1992
Sot ia arritën qëllimit ogurzi. Kërkuan të më arrestonin në mënyrë demonstrative, por nuk i lashë. Kundërshtova skraparlliçe.
"- Jo, u thashë, hekurat s'm'i hedh njeri në shtëpinë time. S'ka burrë nëne të më lidhë…!" Duke zbritur nëpër shkallët e pallatit, pati mirësinë të më përshëndeste Voica Kroi, një grua e nderuar korçare, fisnike;" - Ç'bëhet kështu…?", më tha ajo. "- Kanë ardhur në fuqi ata që nuk e duan Shqipërinë! Mos u shqetëso! Arshi Pipa ka dhënë urdhër për arrestime…!" "- Mos qofshin…! Por ti, shoku Sulo, qëndro dhe ardhsh shëndoshë!" Megjithëse kishte shumë qytetarë jashtë pallatit nuk dallova asnjë njeri tjetër. Një heshtje e pazakonshme e shoqëruar me vështrime plot frikë. Fati im natyrisht, nuk mbaroi me kaq. Ndoshta jam thirrur për të dëshmuar kundër Enver Hoxhës? Ky synim është me të vërtetë i marrë, moralisht i papranueshëm. Dolla jashtë me rrëmbim. Ja hypa triciklit dhe bashkë me vëllain, Ademin dhe nipin u paraqita atje ku më thanë me gjysmë zëri.Një ditë tjetër do ta përshkruaj me hollësi ngjarjen. …Polici më dorëzoi në paradhomën e burgut 313 të Tiranës. Atje ishte, nipi i A. Ba! Pasi përgatitën dokumentacionin përkatës, më morën çdo gjë vetjake. Më kërkuan me këmbëngulje edhe orën, por nuk ua dhashë. "Më duhet ora për të pirë ilaçet!" U tërhoqën. U kërkova të më lejonin lapsin dhe letrën, por nuk pranuan. "Ç'të duhet lapsi dhe letra?", më thanë. "Më duhet se jam në procesin e hetimit dhe do të përgatitem…!" Bënë sikur dëgjuan. E vetmja gjë që në këto çaste më dha pjesën e dhimbjes më të madhe. Mirëpo këtu duhet treguar qëndresë dhe gjakftohtësi… Dikush më dha një stilolaps dhe pak letër që shkrova këto radhë. Emrin do t'ia ruaj në kujtesë.
9 korrik 1992
Dita e parë e qenies time në qelinë e burgut të Tiranës.
Natyrisht, sot më pak, por në ditët që do të vijnë, ditari im do të jetë prova më e pakundërshtueshme se çdo të ndodhë me mua, se ç'ndodh në vendin tim, me njerëzit, me miqtë e mi. Për të qenë më i saktë, maratona ime me hetuesit kishte nisur që në vitin 1991, kur për herë të parë hetuesit më morën në përgjegjësi penale nën akuzat false "të shpërdorimit të detyrës" dhe të "cenimit të pasurisë shtetërore". Por "për mungesë faktesh e provash dhe me miratimin e Prokurorit të Republikës, çështja penale në ngarkimin tim", u pushua në prill të vitit 1992. Kjo, me sa e kuptoj, kishte të bënte me një nevojë instiktive për të mashtruar, për të luajtur kukamçeftas, për të fshehur përkohësisht natyrën e vërtetë të "drejtësisë. Katër muaj më vonë, me një guxim të paturpshëm dhe me një kënaqësi ironike, po ai prokuror firmos urdhrin "për marrjen time në përgjegjësi penale"! Unë e di mirë që mjeshtërit e gënjeshtrës "do të hedhin gurin e do të fshehin dorën", por me kurajë do t'i denoncoj deri në hollësitë më të ndërlikuara. Mua më intereson të jem i sinqertë për veten dhe me veten, me ligjet. Të qenit i ndershëm ka qenë dhe mbetet pasioni im i mirëfilltë. "Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra".
19 dhjetor 1992
Sot i shkrova një letër Lirisë.
Ndërsa në ditar vendosa të shkruaj vetëm dy rreshta; as dy rreshta, por vetëm katër fjalë:
"Dua të jem i lirë!"
E dashur Liri,
Nëntori është muaji me i bukur, muaji më i shtrenjtë për çdo shqiptar.Më 12 nëntor linde ti, Liria ime e dashur dhe e shtrenjtë. Këtë emër kaq të bukur e plot domethënës ta vuri babai yt, Kajmaku, aq shumë i dëshiruar për Lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Ai, edhe përse ishte larg, i emigruar në Amerikë, mendonte për mëmëdheun dhe kontribuonte shpirtërisht në shoqërinë "Vatra". Pasi u kthye në atdhe, po me ato ide përparimtare, punoi dhe zuri një vend më vete në radhën e luftëtarëve të lirisë kundër regjimit zogollian. S'kam përse të mos i them këto të vërteta në të cilat shquhen zotësia dhe vetitë e tij shumë të çmuara. Ti Liri, krenoheshe për emrin që të kishin vënë prindërit në prag të festave të mëdha të nëntorit. 12 nëntori ishte festa e familjes tënde dhe familjes time, festa jote dhe festa ime më intime, festa e miqve dhe e shokëve tanë të afërt. Të donte babai im, të adhuronte nëna ime për karakterin dhe moralin tënd. Nuk ua ktheve fjalën, nuk u a theve zemrën asnjëherë...
Të kujtohen apo jo ato ditë të gëzuara që kalonim mes tyre?
Sa afër i kemi pasur, sa afër do t'i kemi ata si njerëz aq të munduar nga jeta, por aq të nderuar nga koha, nga idea njerëzore.
Familjet tona u lidhën për të mos u ndarë kurrë, ashtu siç u lidhëm edhe unë, edhe ti. Bashkë, gjithmonë bashkë, në një provë kaq të fortë dhe konkrete edhe në këto kohë të lënduara nga tranzicioni.
Më ki kujdes Nikun!
Ma gëzofsh ditëlindjen për shumë vjet...!
Mbetem me dashuri
Sulua
30 dhjetor 1992
Më duket se jam ftohur natën nga që më kishte rrëshqitur nga dysheku batania. Era e disa kazanëve që janë pranë burgut e pranë qelisë, më nakatosin zorrët me atë kutërbimin e zakonshëm të plehrave, me afshin e ndezur e shpues të ca kalbësirave të hedhura pa kujdes sa andej-këndej. Nga kati i dytë zbret era e qymyrit të ndezur ndër soba. Polici rri në atë qoshen e tij dhe me njeri s'flet, por edhe asnjeri nuk i afrohet dhe as guxon t'i hedhë ndonjë romuz! Orët po rrokullisen dhe nuk sjellin asgjë të re. Të paktën, ujë. Tri ditë rresht që nga çezma s'pikon asnjë pikë ujë. "Jazëk!" Pa u larë s'kam asnjë mundësi që të shplodhem dhe as të plotësoj nevojat më të natyrshme. Çorapet e leshta më mbajnë ngrohtë, por ndjej se lëkura e këmbëve vende-vende është dekompozuar. Në orën dhjetë erdhi D. Ashtu, pak nervoz, siç isha, iu ankova për mungesën e ujit. Buzëqeshi me njëfarë inati, dhe, duke ikur, tha: "- Nesër do të të sjell ilaçet!" Në orën gjashtëmbëdhjetë, Vjollca më njofton se "të gjithë janë mirë". Lajme të tilla më shkarkojnë barrën e mërzitjes dhe të vetmisë.
Por, nuk e kuptoj, përse nuk i pranuan ushqimet as sot? E treta ditë që pyes veten tërë kohës: "Ç'ka ndodhur?" Më në fund, dera e qelisë u hap dhe u dhanë tre policë: Ramizi nga Peza, Ismeti nga Elbasani dhe Guri nga Gramshi. M'u dukën si ato retë e vjeshtës, që befas këputen dhe bien nga qielli poshtë me tërë peshën e tyre. "- Do të bëjmë kontroll!", thanë. "- Detyra juaj!"
"- A ke sende të ndaluara, të palejuara nga rregullorja?"
"- Zbatoni rregullat!" Tundën kokën dhe nisën të kontrollonin çdo gjë në imtësi. Pas kontrollit, ngritën vetullat, përshëndetën dhe ikën për në qeli të tjera. Ngjarja që mësova më vonë ma mbushi mendjen për kontrollin e dytë e të befasishëm brenda dhjetë ditësh. Ka mjaft nga ata të burgosur që e ngrysin ditën me thika, me drogë nën jastëk.
8 janar 1993,
e premte
Çdo të ndodhë sot? Akoma s'më është larguar nga trupi i ftohti i natës. Shumë ftohtë. Edhe tani ajri më ngacmon e më gudulis brimat e hundës. Nga retë bien përdhe hije të rënda dhe aty rrëshqasin, aty kalojnë, aty zhduken, aty afrohen përsëri me ngjyra mavi të mbyllur. Tej dritares, jo shumë larg qelisë time dikush i bie një violine. Dëgjoj të qeshura të njerëzve të lirë.
Të gjitha këto janë të bukura, por më shumë të trishtuara, dhe më duken si fillimi i një përralle. Dhe ngjajnë sikur tërë jeta ndërron psherëtima pikëllimi. Ka shtatë muaj që hetuesi nuk është caktuar. Më duket se nuk guxojnë, ose u pëlqen të më lënë në harresë derisa të mbarojnë punë me të ashtuquajturit bllokmenë!
Përmes zhurmës monotone të shiut që sapo filloi, në vesh më cys një pyetje: "Po Nexhmija si do të paraqitet në gjyq?" "Po Kinua?"
Natyrisht, hëpërhë s'marr përgjigje, por të dy më fanepsen sakaq përpara gjykatësve. Ata e kanë parasysh detyrën: Ta mposhtin të venë e Enver Hoxhës. Me siguri, ajo do të mbrohet edhe pse e dërmuar nga hidhërimi. Aktakuza të tilla qesharake e fyejnë çdo njeri veç edhe fyerja, siç e kam thënë edhe në një ditë tjetër, të bën esëll e të trimëron. Kjo është njëra anë, ana tjetër, ka të bëjë me mundësinë që akuzuesit ta ndëshkojnë rëndë. Bëhet fjalë për shpenzime tej masës! Si e qysh janë bërë, kjo s'më takon mua ta di në hollësi. Një gjë është e padiskutueshme: Hyrje-daljet e njerëzve nga të gjitha shtresat (brenda dhe jashtë vendit) kanë qenë të mëdha. Në atë mizëri njerëzish, sidomos 11-15 prill, janë të kuptueshme shpenzimet për kafe. Me sa më lejon kujtesa, në ditën e parë erdhën mbi 15.000 vizitorë. Por të numërosh kafet e ditëve të zisë sa familjare, aq edhe kombëtare, është turp. Ata që dëgjojnë këtë dëshmi, jo vetëm zemërohen, por edhe egërsohen. Kësaj drame, sipas mendimit tim, nuk i mungon tendecioziteti politik. Duke u shkëputur pak nga dita e sotme, kujtesa më çon në një takim një vit më parë te ish-shefi i shërbimeve pranë Enver Hoxhës.Që në fillim të bisedës më dha të kuptoj se, çështja, për të cilën do të shkëmbeheshin mendimet, ishte serioze.Serioz ai, më serioz unë. Ai donte të mësonte praktikën e shërbimit. I thashë: 1. Në shërbimin ushtarak kishte 7 veta si dhe roja që siguronin shtëpinë në dy drejtime: në hyrjen kryesore dhe në atë të familjes. Ndërkaq në shtëpinë muze ka një rojë, i cili mban lidhje me telefon. Domethënë, merrte dhe transmentonte çdo lidhje me telefon, merrte dhe transmentonte çdo porosi të Enver Hoxhës ose çdo porosi të të tjerëve për Enver Hoxhën. 2. Furnizimi i familjes bëhej nga Drejtoria e pritjes, sipas një rregulloreje dhe vetëm nëpërmjet një mikroshërbimi të brendshëm. Kjo do të thoshte se shërbimi ynë nuk përzihej fare me këtë sektor. 17 janar 1993, e diel E di se tregimet, a dëshmitë e një të burgosuri të vetmuar si puna ime, për disa janë të padurueshme. S'ka rëndësi. S'prish punë. Kam përpara ditë të tjera. Nuk do t'i ndahem Ditarit, ditëve që vijnë se, ato do të jenë të vërteta, të lira: Me këtë shpresë rroj dhe kujtoj, për të zbuluar skutat më të fshehta të prapaskenave, rroj, kur ndjej miqësinë, dashurinë e zjarrtë të njerëzve të mirë. Jo më kot them se, pikërisht kjo dashuri njerëzore më është konservuar në shpirt, është përcaktuar nga vitet, nga mosha, është e freskët si lulet. I dua ata të jenë mirë me shëndet dhe të mirë si gjithnjë.
Sot erdhi avokati. Edhe ai, edhe unë kishim dëshirë të bisedonim.
Duket sikur është njeri i ri, por nuk është ashtu. Një pamje të qetë, cilësi kjo që e fiton, në punë, të vështirë pranë të dënuarve. E pyeta dhe më pyeti për shëndetin, për familjen.
Në bisedë e sipër vura re se edhe atij i rëndonte si peshë e rëndë edhe frymëmarrja, edhe ashpërsia e atmosferës së rëndë të sallës, ku zhvillohen gjyqet. Më tha sinqerisht atë që mendonte për gjyqin tim, të cilin kam kohë që e pres. "E keqja është se çështja jote është bashkuar me atë të bllokmenëve!" Kaq më tha.
Paskam pasur të drejtë. Janë të rrallë njerëzit që kanë fatin tim. Janë të rrallë ata që mund të mbahen si burra. Pas mendjes time, a ka nga ata që mund të bëjnë një gjykim pa ndikime politike? Arrestimin tim e ka vendosur Partia Demokratike!
Pikë. "- S'kam asnjë faj, more Papu", i thashë avokatit me dashamirësi."- E di, ma ktheu, por këta i ka zënë tërbimi dhe s'pyesin fare për ligje". Ka disa njerëz që më kundërvihen indirekt. Gjajsme më binden dhe më shohin me keqardhje, duke ngritur sytë përpjetë. Pra, është në fatin tim ta shoh veten të tradhëtuar nga mos-mirënjohja e disa njerëzve. Është një nga gabimet e mia që i mendova disa bashkëpuntorë, (bile edhe disa nga gazetarët), të cilët s'e marrin penën të shkruajnë dy fjalë në mbrojtje të së drejtës time, (bile me qëndrimin e tyre, më duket se më bëjnë një luftë të heshtur). Por për sa kohë?
Punë për ta! Të gjithëve, këtyre, që janë brenda dhe të gjithëve, atyre që janë jashtë, u këshilloj gjakftohtësi dhe ndershmëri.
Për këtë do të jap vetë shembullin e mirë.
- Vijon nesër -