Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=90422
"Shtyllat elektrike, nė rrezik jeta e fėmijėve"
(Dėrguar mė: 16/12/10) Ermelinda Hoxhaj

Shtyllat e tensionit të lartë pranë shtëpive të banimit, tela alumini të zhveshura, shina metalike që zëvendësojnë shtyllat elektrike. Kjo është panorama në rrugën "Agush Gjergjevica", në lagjen nr.1, banorët e kësaj lagjeje janë ankuar pasi po vihet në rrezik jeta e fëmijëve të tyre. Shpeshherë telat sidomos në ditët e lagështa janë një rrezik shumë i madh për fëmijët pasi ato përcjellin rrymën në shinat metalike. "Jemi ankuar disa herë panë institucioneve përgjegjëse edhe tani që ato janë në varësi të CEZ-it, kemi bërë një kërkesë për shtimin e shtyllave normale, pasi një pjesë e familjeve kabllot që furnizohen me energji elektrike i kanë të lidhura në tarracën e një shtëpie tjetër banimi" - ka treguar një prej banorëve të zonës, Ylli Varoshi.
Ky është një problem i madh jo vetëm për familjet që kanë shtëpinë shumë afër këtyre shtyllave, por edhe për banorët e tjerë pasi kjo është rruga kryesore që kalon në këtë lagje. Gjatë një interviste për "Gazetën Shqiptare", një prej banorëve të kësaj lagjeje ka thënë se shpeshherë telat e zhveshur duke qenë se janë afër më shtyllën e tensionit të lartë preken dhe bëjnë masë duke shkuar deri në këputje të tyre.
Çfarë problemi ka me kabllot elektrike në zonën ku ju banoni?
Ne me kabllot elektrike kemi disa probleme. Një është mungesa e shtyllave elektrike, dhe për mungesë të tyre disa familje kabllot elektrike që furnizohemi me energji, familja ime dhe disa familje të tjera kalojnë mbi tarracën e shtëpisë së një banori tjetër të lagjes. Ndërsa një tjetër problem, që ka nevojë për ndërhyrje emergjente është mungesa e investimeve. Ne para disa vitesh, vetë si banorë kemi investuar në instalimin e disa shtyllave metalike për të marrë energjie elektrike, pasi askush nuk investonte, dhe sot pas 10 vjetësh janë po ato shtylla. Por nuk mund të përdoren për zona të banuara sepse janë rrezik për banorët. Sidomos në ditët me shi ato përcjellin rrymën dhe për fëmijët, që nuk dinë të ruhen është një rrezik i madh. Një pjesë e kabllove, të cilët janë të zhveshur janë shumë afër me shtyllën e tensionit të lartë, kur frynë erë ato përplasen e bëjnë masë, por më shumë frikë është në ditët me shi, se ka raste që edhe këputen.
Keni pasur raste të tilla që telat janë këputur gjatë këtij viti?

Po kemi pasur disa herë. Hera më e fundit ishte muajin e kaluar. Ne po kalonim për të shkuar në punë kur e gjetëm telin në rrugë. Ndaluam dhe bllokuam edhe kalimin e fëmijëve sepse ishim në merak. Pasi një pakujdesi e tillë mund t'u marrë jetën dhe të shkaktojë tragjedi. Por, me sa shohim në këtë vend vetëm po ndodhën tragjedi ndërhyhet se nuk merr njeri masa të tjera për të parandaluar tragjeditë. Dhe ne me kërkesat tona këtë gjë duam të bëjmë të parandalojmë ndonjë tragjedi të mundshme. Pasi fëmijët janë gjithë kohës jashtë, luajnë njëri me tjetrin dhe nuk kanë mundësi sesi të ruhen, pasi një më i rritur është më i kujdesshëm. Unë personalisht, kam hipur edhe në shtyllën e tensionit të lartë dhe kam vendosur disa kamerdare që përplasja e telave të ishte më e butë, por nuk kam çfarë të bëjë tjetër.
Zoti Varoshi, ju apo dhe banorë të tjerë të kësaj lagje i paguani faturat e energjisë?
Personalisht që para 10 vitesh që prindërit e mi jetojnë në këtë lagje, i kemi paguar rregullisht faturat e energjisë që konsumojmë. Për një pjesë të banorëve mund të them se i paguajnë rregullisht, por një vit apo dy vite para këtu ka qenë më problem mospagimi i faturave të energjisë. Që kur kanë ardhur dhe bënë ndërprerjen e energjisë për debitorët apo për lidhjet e paligjshme, kur në krye të KESH ishte zoti Bojaxhi, banorët e zonë s'kanë filluar dhe i paguajnë faturat. Ndaj duke qenë se jemi edhe pagues të rregullt të energjisë që konsumojmë kompania ka detyrime ndaj nesh.
A jeni ankuar pranë zyrave të CEZ-it për këtë problem?
Si banorë jemi ankuar edhe më parë, pranë KESH-it dhe OSSH-së. Por edhe tani që janë kaluar në varësi të CEZ-it, kam bërë kërkesë me shkrim për shtimin e shtyllave elektrike pasi kabllot që furnizojnë me energji mbi 10 shtëpi përfshi dhe shtëpinë time, janë mbi tarracën e komshiut. Kërkesën e kam bërë që më 16 tetor, por ende nuk kam marrë asnjë përgjigje. Familja që mban kabllot tona mbi tarracë po na bën një nder, por dhe ata janë në rrezik pasi kanë një sërë kabllosh mbi çatinë e tyre. Ne bëjmë apel që të ndërhyhet, për të ndaluar ndonjë tragjedi që mund të ndodhi. Çdo ditë jemi në merak për fëmijët tanë me telat elektrike që gjenden rrugëve.