Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=94224
Shkurt
(Dėrguar mė: 26/02/11)

Pronat, regjistrimi nis nga minoriteti
SARANDE - Të parët që nisin regjistrimin e banesave dhe tokave në Sarandë, janë minoritarët e komunës së Alikos. Burime nga Nënprefektura shtojnë se "për të mbërritur këtu, ka nisur regjistrimi në terren nga ekspertë të kompanisë spanjolle, fituese e tenderit". Kryekomunari Ilia Thanasi tha se komuna Aliko është duke plotësuar detyrimet si partnere e kompanisë spanjolle në procesin e regjistrimit, i cili ka nisur nga banesat.
Arrestohet për vjedhje 22-vjeçari
KRUJE - Në orën 19:30 të ditës së djeshme, policia e Krujës arrestoi 22-vjeçarin Festim Allushi, i shpallur në kërkim për veprat penale të "vjedhjes" dhe "prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake". Sipas burimeve zyrtare të drejtuesve të kësaj policie, Festim Allushi u ndalua në banesën e tij në Krujë pas një informacioni të sigurt për vendndodhjen. Për 22-vjeçarin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendim penal datë 04.06.2010, ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë.
Operacioni, ndalohen tre të kërkuarit
FIER - Gjatë 24 orëve të fundit, nga strukturat e sektorit të forcës së posaçme të operacioneve speciale dhe kërkimit në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Fier, u bë ndalimi i 3 personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. "Të ndaluarit e 24 orëve të fundit janë 25-vjeçari Klodian Çela nga Lushnja, i dënuar me 20 ditë burg në mungesë për falsifikim dokumentesh, 21-vjeçari Eni Veshi, ndaj të cilit është dhënë masa e sigurisë "arrest në burg" për "vrasje me dashje, mbetur në tentative" dhe 37-vjeçari Lavdërim Xhaferraj, i dënuar në mungesë me 12 ditë burg për "plagosje të rëndë nga pakujdesia", - konfirmojnë burimet policore.
Gjysma e rrethit të Hasit pa energji
KUKES - Defektet e shumta në rrjetin shpërndarës dhe ngadalësia e specialistëve për të riparuar avaritë ka bërë që prej gati një jave, më shumë se gjysma e rrethit të Hasit të jetë pa energji elektrike. "Shkaqet e kësaj situate janë amortizimi i madh i rrjetit elektrik i ndërtuar që në vitet '60 dhe mungesa e rikonstruksionit të tij ndër vite. Kjo bën që sa herë ka reshje, ka dëmtime të shumta të rrjetit, rrëzim të shtyllave etj. Jo vetëm kaq, por aktualisht punon për riparimin e defekteve në shkallë rrethi vetëm një grup pune me 4-5 persona, gjë që është krejt e pamjaftueshme për shkak të terrenit të hapur", - pohon Ismet Jaku, nënprefekti i rrethit.