Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=94552
Fshehtėsi pėr ofertat, mediat shpallin njė kompani greke
(Dėrguar mė: 04/03/11) Genc Kondi

Tenderi i rrugës së re Tiranë Elbasan, është kthyer në një "mollë të ndaluar" për informacionin mbi kompanitë që kanë marrë pjesë në këtë garë. Ministri Olldashi e konsideroi dje të suksesshëm tenderin. "Përfundimisht, brenda dy javësh do të kemi fituesin e kësaj procedure, e cila është më e rëndësishmja, që zhvillohet momentalisht në infrastukturën e vendit"- tha Olldashi, duke shtuar se në këtë procedurë janë aplikuar standardet teknike të prokurimit të bankave evropiane, duke u shtuar atyre dimensionet e prokurimit elektronik. Sa i përket ofertave, ministri Olldashi tha se oferta oferta më e lartë e paraqitur ishte rreth 81 për qind e shifrës limit, 15.4 miliardë lekë. Por sipas disa mediave televizive që janë më afër qeverisë, raportohet se firma fituese do të jetë kompania greke "Aktor s.a" e cila pretendon të kryejë punimet përkatëse, duke përfshirë tunelin e dyfishtë në Krrabë, me pak më shumë se 50 për qind të shumës, që ishte shpallur si shifër-tavan nga dikasteri dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Në këtë mënyrë, del se grekët janë dakord ta kryejnë punimin vetëm me 8.4 miliardë lekë të reja fonde, ose 60 milionë euro. Ofertat ekonomike do të vlerësohen krahas verifikimit të të dhënave të tjera teknike të kompanive, para se të shpallet fituesi i tenderit, dy javë më vonë. Në fakt, ndër pjesëmarrësit e tjerë në tender përfshihej edhe kompania e mirënjohur amerikane "Bechtel", por në partneritet me një subjekt nga Serbia, kompania "Strabag", etj. Sipas ministrit Olldashi, Nga 26 kompani, që morën pjesë fillimisht në fazën e parë të tenderit, të zhvilluar më datën 13 janar 2011, u përzgjodhën 13 kompani, që përmbushnin të gjitha kërkesat dhe detyrimet e dokumentacionit ligjor të prokurimit, 7 prej të cilave paraqitën dje oferta ekonomike. Në përputhje me ligjin, brenda një jave Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhet të bëjë verifikimet e fundit dhe justifikimin e ofertave që janë në vlerë më të ulët. Por ministri Olldashi tha se procedura ka ecur mbarë, "kështu që nuk pritet të ketë vonesa ankimore, gjithsesi kjo mbetet një e drejtë e të gjitha kompanive pjesmarrëse në proces. Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan vlerësohet të kushtojë 440 milionë euro, ndërkohë që ende ministria e Financave po negocion marrëveshjen e kredisë me Bankën Islamike për Zhvillim (IBD) për financimin e saj. Me IDB po negociohet një marrëveshje kredie prej 300 milionë dollarësh, ndërkohë që bordi i drejtorëve të kësaj banke ka akorduar vetëm 222 milionë USD. Pjesa tjetër do të financohet nga kredi të tjera dhe me kontributin e qeverisë. Por ndërkaq, bërja e kësaj rruge me procedura të rregullta, do të hapë pikëpyetje të mëdha për mënyrën dhe procedurën e tenderit për Rrëshen-Kalimash. Rruga që iu dha kompanisë Bechtel dhe që i ka kushtuar shumë buxhetit të shtetit, dhe për të cilën ka në fuqi një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzime nga ana e ish ministrit të transporteve Lulzim Basha.