Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=98095
Skandali, Osmanaj i KQZ raporton te sekretari i PD
(Dėrguar mė: 06/05/11) Bledar Hoti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve komprometohet politikisht tri ditë përpara zgjedhjeve të 8 majit. Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj i zgjedhur nga PD-ja, është filmuar nga “Vizion Plus” duke i dërguar një sms nëpërmjet telefonit mobil sekretarit organizativ të PD-së, Flamur Noka. Në të i kërkohej që komisionerët e PD-së të jenë të gatshëm për t’u trajnuar nga KQZ-ja. “Z.Flamur, po të keni komisionerë gati, trajnuesit e KQZ i kemi gati që sot pasdite, edhe nesër gjithë ditën (në orën 16:00 jo, se kanë trajnim me ata të numërimit të votave) vetëm të PD, ku të doni ju. Suksese!”, shkruhet në sms e Osmanajt dërguar sekretarit organizativ të partisë në pushtet. Ndërkohë që në këtë sms telefonike shprehet qartë anësia e administratës së KQZ-së, e cila thekson se trajnimi i komisionerëve nuk bëhet edhe për anëtarët e opozitës, por vetëm për ata të Partisë Demokratike. Anëtari Osmanaj nuk ngurroi t’i urojë suksese zyrtarit të PD-së për zgjedhjet elektorale të 8 majit. Osmanaj përpara emërimit në KQZ ka punuar në administratën e lartë, në Ministrinë e Brendshme, duke mbuluar çështjet e pushtetit vendor gjatë qeverisjes së PD-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet sipas ligjit me shtatë anëtare. Katër prej tyre zgjidhen nga maxhoranca dhe tre nga ana e opozitës. Pavarësisht se zgjidhen nga partitë politike në parlament, 7 anëtarët duhet të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin. Neni 17 i Kodit Zgjedhor përcakton në mënyrë të qartë pozicionin e anëtarit të KQZ-së në raport me zgjedhjet dhe veprimtarinë e tij institucionale. “2. Anëtari i KQZ-së ushtron funksionin në mënyrë të pavarur. Ai voton në përputhje me ligjin. 3. Anëtari i KQZ-së nuk merr pjesë në shqyrtimin dhe votimin e një çështjeje kur: a) ka marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me ndonjë nga kandidatët që kanë paraqitur ankim në KQZ; ose b) ka një nga pengesat e parashikuara në nenin 37 të Kodit të Procedurave Administrative”, thuhet në nenin 17. Tendenca partiake e anëtarëve të KQZ-së është vënë re edhe në raportin e fundit të OSBE-së dhe ODIHR-it. Ndërsa opozita ka akuzuar KQZ-në, anëtarët e maxhorancës për vendime të marra në kundërshtim me ligjin, si dhe në favor të partisë në pushtet.