GJERMANI- Partia konservatore e Angela Merkel u distancua sot me projektreformat në zonën euro të presidentit francez, Emmanuel Macron, një ditë para fjalimit të këtij të fundit në Parlamentin Evropian.
Unioni Demokristrian (CDU) i kancelares Merkel kritikoi në mënyrë të veçantë idenë e krijimit të një buxheti të zonës euro për të ndihmuar investimet.
“Mendoj se nuk do të ishte një ide e mirë, të kemi një buxhet të dytë të ndryshëm nga ai që ekziston tashmë në Bashkimin Europian”, theksoi për shtypin sekretarja e përgjithshme dhe numri dy i lëvizjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, një bashkëpunëtore e afërt e Angela Merkel.
“Bashkimi Europian, pas Brexit, ka shumë sfida buxhetore përpara, për të kompensuar largimin e Britanisë së Madhe”, theksoi ajo.
Ajo nënvizoi gjithashtu se vendet e zonës euro përbënin 85% të buxhetit të plotë aktual të BE-së dhe nga ky fakt një buxhet i dytë duket i vështirë për t’u krijuar.
“Si pasojë, ne jemi të mendimit se duhet të kemi si prioritet të merremi me çështjen e buxhetit kryesor të Bashkimit Europian”, shtoi Kramp-Karrenbauer.
Ajo u shpreh në përfundim të një takimi të deputetëve të partisë demokristiane dhe aleatit bavarez (CSU), lëvizje ende shumë skeptike ndaj propozimeve europiane të presidentit francez, Emmanuel Macron.
(BalkanWeb)