Pas dialogut me homologun rus Putin, Presidenti Donald Trump ka shpjeguar se marrëdhënia me Rusinë ka ndryshuar pas bisedës së sotme.

“Mosmarrëveshjet mes dy vendeve tona janë të njohura dhe presidenti Putin e unë i diskutuam gjerësisht sot. Edhe gjatë tensioneve të Luftës së Ftohtë, kur bota dukej shumë e ndryshme, Rusia dhe ShBA mbanin dialog të fortë. Marrëdhënia jonë nuk ka qenë kurrë më e keqe se sa tani. Megjithatë, kjo ndryshoi. Rreth katër orë më parë”, tha Trump.

Në takimin mes Trump dhe Putin në Helsinki u diskutua dhe goditja e terrorizmit radikal islamik. Në konferencën për shtyp, Presidenti i Amerikës tha se SHBA dhe Rusia mund të shpëtojnë qindra jetë në Siri.

Duke folur më herët, Putin tha se ishte koha për të diskutuar “cështje të vështira shumëkombëshe”. Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit u rënduan nga aneksimi i Krimesë nga ana e Moskës në vitin 2014.

Rusia akuzohet gjithashtu për ndërhyrje në zgjedhjet e SHBA-së në vitin 2016, gjë që mohohet fuqimisht nga Putin.

Duke folur përpara takimit të parashikuar të së hënës, Trump tha se shpresonte te një “marrëdhënie  e jashtëzakonshme mes dy vendeve” dhe fajësonte administratat e mëparshme për tensionet Rusi-SHBA.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: