TIRANË- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar pas takimit të komisionerit evropian për zgjerimin Johannes Hahn me kabinetin qeveritar dhe kryeministrin Edi Rama.

Ndoshta duke iu referuar komplimenteve të Hahn për tryezën, Kryemadhi thotë se fjalët e bukura dhe as tryezat e stiluara me simbolet europiane nuk janë hap përpara.

Ajo merr autorësinë e strategjisë që ka shpalosur kryeministri Rama dhe thotë se ia ka kërkuar ish-ministrja Gjosha por nuk e ka zbatuar kurrë.

Për sa i përket kritikave për opozitën në lidhje me shkollën e magjistraturës, Kryemadhi shkruan se komisionerin Hahn e kanë gënjyer.

Hahn tha se reforma në drejtësi ka dhënë rezultat dhe duhet të vijojë, por do të kishte rezultat katastrofal nëse si pasojë e saj, Shqipëria mbetej pa gjyqtarë. Ndaj ai kërkoi që me konsensus politik të miratohet ligji i magjistraturës në mënyrë që të shmanget ky ngërç në sistemin gjyqësor.

Por opozita është shprehur kundër këtij ligji.

STATUSI I KRYEMADHIT
Fjalët e bukura nuk të çojnë gjëkundi, aq më pak në BE!
As tryezat e stiluara me simbolet europiane dhe që i kushtojnë shtrenjtë buxhetit të Shqipërisë, nuk janë hap përpara për plotësimin e kushteve të rrepta, që na kanë vënë partnerët tanë në Bruksel.
E gjithë strategjia që kryeministri shpalosi sot si arritje të qeverisë së tij nuk është gjë tjetër vetëm një kopje e strategjisë që ministrja Klajda Gjosha ia ka kërkuar për ta zbatuar, por që se bëri kurrë.
Deri më sot kur i vënë me shpatulla pas muri u detyrua të pranoje dhe zbatojë ato që duhet të kishte bërë prej vitesh e që i ka pasur në tryezën e punës.
Paaftësia, arroganca dhe korrupsioni, përfshirja në trafiqe dhe lënia e Shqipërisë jashtë hapjes së negociatave nuk mund të ndreqen me kopjet që i merr nga ish-ministrja e integrimit.
Asnjë deklaratë e thënë në anglishte të qartë, asnjë kompliment apo lajkë e bërë për ndërkombëtarët e Brukselit apo ata që janë në ikje e sipër, nuk e zhbën dot trafikun e drogës, përfshirjen në krimin e organizuar, shkatërrimin e administratës publike dhe ngecjen në reformën në drejtësi.
Ndaj çdo përpjekje për show me ngjyra e ndriçim artificial është thjesht i dalë mode si metodë për të gënjyer shqiptarët, që sot më shumë se kurrë e kanë kuptuar dhe ndjerë paaftësinë, makutërinë, banditizmin dhe arrogancën e veshur me rroba të bukura të një qeverie në ikje e sipër.
Vetëm një qeverisje e re, pa Ramën kryeministër, e vendosur për të larguar bandat nga bashkëqeverisja do të mund të bëjë atë që të gjithë shqiptarët presin; plotësimin e kushteve për të qenë sa më shpejt pjesë e familjes europiane.
P.S. E kanë gënjyer kaq shumë komisionerin Hahn, sa nuk i kanë thënë, që për studentët e magjistraturës numrin e tyre e vendos KLP dhe KLGJ, të cilat ky kryeministri që e pret nuk ka për t’i ngritur kurrë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb