Skuadra e Hamburg që prej vitit 1963 kur ka lindur edhe Bundesliga kishte luajtur gjithmonë në elitë, por dje pavarësisht fitores nuk e shmangu rënien nga kategoria, duke sjellë edhe një reagim të ashpër të tifozëve të cilët i vendosën flakën stadiumit.

Veprim i cili nuk justifikohet por Hamburgu ndryshe nga Bayern i që po dominon në 2 dekadat e fundit, nuk kishte luajtur asnjëherë në kategorinë inferiore.

Me rënien e Hamburgut tashmë janë vetëm 4 skuadrat që nuk kanë luajtur asnjëherë në kategori të 2-të në 5 ligat më të rëndësishme të Europës. 3 janë në Spanjë dhe 1 në Itali.

Bëhet fjalë për Realin e Madridit, Barcelonën dhe Athletic Bilbaon në La Liga dhe Interin në Serie A. Ndërkohë në të gjithë Botën janë plot 27 klube që nuk kanë rënë asnjëherë nga kategoria. Përveç atyre 4 që përmendëm më lart, në Portugali nuk kanë zbritur asnjëherë në ligën e dytë, tre skuadrat emblemë të këtij vendi, Porto, Sportingu i Lisbonës dhe Benfica.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Holandë me PSV-në, Ajaxin dhe Feynoord që kanë luajtur gjithmonë në elitë ashtu si edhe në Turqi e Greqi, teksa respektivisht Fenerbahce, Besiktas, Galatasaray, Olympiacos, Panathinaikos e Paok nuk kanë prekur asnjëherë fundin. Në Skoci Celtic dhe Aberdeen kanë qenë gjithmonë pjesë e Premiership. Në Amerikën e Jugut spikasin, Cruzeiro, Santos, Sao Paulo e Flamengo në Brazil, Boca Juniors i vetmi klub që nuk ka rënë asnjëherë nga Superliga argjentinase, Colo Colo në Kili, Barcelona në Ekuador dhe Nacional e Penarol në Uruguaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb