TIRANE- Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24 sqaron edhe njëherë pozicionin e tij në lidhje me projektin e Teatrit të Ri Kombëtar. Ai shprehet se është për kushte të mira dhe një teatër të ri, ndërsa thotë me plot besim se ndërsa teatri ka mbetur njësoj si para 25 vitesh, ai nuk do donte të ishte gjallë, pas 25 vitesh, nëse Teatri do vazhdonte të mbetej ashtu si sot.

“Më bën përshtypje që po luftohet të jemi sot si para 25 vitesh, nuk do doja të jetoja sikur teatri pas 25 vitesh të mbetet si sot. Nuk e di kush do ta mbante këtë faturë”,- thotë Çuli.

Duam të dimë qëndrimin tuaj zyrtar për Teatrin?
Është qëndrimi i një administratori që kërkon më të mirën për një institucion. Punoj në një godinë të degraduar që rrezikon të mos jetë më funksionale, aktorë që luajnë në temperatura të ulëta që më dhimbsen. Unë jam drejtuesi dhe duhet të jem i rreptë por herë pas here i justifikoj për ankesat protestat në zyrën time. Shpresoj që pas 25 vitesh me një dimër të tmerrshëm ti ofrojmë publikut diçka të re.

Sapo keni dalë nga një takim me kryebashkiakun Veliaj e minstren Kumbaro. Çfarë mund të na thoni?
Ka shumë mendime, shumë interesa dhe pak racionalitet

Kur flisni për interesa për kë e keni fjalën?
Për pjesën që është pro dhe kundër shembjes së Teatrit. Më bën përshtypje që po luftohet të jemi sot si para 25 vitesh, nuk do doja të jetoja sikur teatri pas 25 vitesh të mbetet si sot. Nuk e di kush do ta mbante këtë faturë.

Kush është zgjidhja e pranueshme?
Qeverisë Shqiptare i takon që të bëjë urgjent prezent projektin e Teatrit të Ri Kombëtar, pas këtij pr.ligji të publikuar. Kush do të jetë? Kush janë sallat, magazinat kushtet. Them që unë personalisht nuk dua të punoj në këto kushte. Jam për një Teatër të Ri Kombëtar. Duhet t’i shohim gjërat çfarë na vlen më më tepër.

Sa e lehtë dhe sa e vështirë është të punosh me aktorët?
Nuk është punë e thjeshtë të punosh me 28 aktorë, janë 28 mendje të ndryshme. Është edhe pozitive dhe e lodhshme. Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Elia Zaharia etj ndajnë një mendim tjetër nga këta. Një grupim i pedagogëve të Akademisë së Arteve. Kam marrëdhënie pune dhe ato janë korrekte. Disa i kam miq më të afërt disa më të largët. Sido që ti kem marrëdhëniet talenti i tij është më i fortë se çdo kapriço e drejtorit.

Format e protestave të tyre si i shihni?
Me përjashtim të ndonjë individi me doza të tepruara ekstremiteti pjesa tjetër nuk do arrinte në forma të tilla, flas për ata tipat që e mbrojnë me gjak. Nuk mbrohet me gjak teatri por me arsye. S’ka nevojë për gijotinë e revolucion francez. Rezistenca e paqtë është më me vlerë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: