TIRANE – Armando Hallvaxhiu, operatori i News24, që ndërroi jetë ditën e djeshme pasi u mbyt teksa zhytej në ujërat e Karaburunit, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
34-vjeçari, të cilit pasioni i mori jetën, pikëlloi jo vetëm familjarët por edhe kolegët dhe njerëzit që e njihnin dhe e thërrisnin shkurt Mandi.
Ceremonia e përcjelljes së Aramandit zhvillohet sot në orën 15:00 në varrezat e Tufinës. Stafi i “News24”, “BalkanWeb”, “Gazeta Shqiptare”, “Radio RASH”, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, është thellësisht i tronditur për humbjen e kolegut.
Armando Hallvaxhiu ka punuar në disa media kryesore në vend, ndërsa prej disa vitesh ishte pjesë e ekipit të televizionit më të madh informativ në vend News24.
Mandi njihej për përkushtimin në punë dhe pasionin që kishte për zhytjen në thellësitë e detit si dhe peshkimin.
Ai kishte vendosur bashkë me disa shokë të shkonte këtë fundjavë në Vlorë dhe të zhytej në thellësinë e bregdetit të Jonit, por fatkeqësisht nuk ka mundur të dalë prej andej dhe është mbytur në vendin e quajtur shpella e ”Haxhi Ali-ut”.
(e.f/BalkanWeb)