Një emigrant shqiptar, i dëshpëruar për shkak të heqjes së lejeqëndrimit në Belgjikë dhe i indinjuar se nuk ka gjetur mbështetje nga Ambasada e Shqipërisë atje për shqetësimin e tij, ka qëlluar veten me armë zjarri, por fatmirësisht plumbi nuk i ka prekur organe jetësore.

Historia e pazakontë ndodhi dje në Anversa të Belgjikës dhe u soll nga “Fiks Fare” me zë e figurë, ku qytetari Petrit Ndoci ishte drejtuar me një telefonatë vetëm dy ditë më parë.

Në telefonatën e tij, emigranti tregonte se kishte 25 vite në emigracion dhe kishte një problem për të cilin kishte kërkuar ndihmën e emisionit investigativ në Top Channel. Menjëherë pas telefonatës, qytetari u kontaktua nga gazetari i “Fiks Fare” dhe rrëfeu historinë e tij.

Sipas tij, në vitin 2011 ishte arrestuar nga policia pasi akuzohej për përdhunim dhe në vitin 2012 ishte dënuar me 16 muaj burg. Por, ai pretendon se në atë kohë ishte i pafajshëm dhe iu ngrit kurth nga një person, për shkak të një çështjeje për 10 mijë euro.

Gjithsesi, ai thotë se edhe për këtë çështje bëri 16 muaj burg dhe më pas rifilloi jetën e tij pa pasur asnjë shqetësim deri më 8 mars të këtij viti. Në fillim të muajit mars, ai është shtruar në spital pasi vuante nga pankreasi. Kur ka dalë nga spitali, ai ka marrë kartelën mjekësore dhe është paraqitur pranë Sigurimeve Shoqërore, ku ka paraqitur lejen e qëndrimit me të dhënat e tij. Por punonjësja i ka thënë se ai nuk figuronte i regjistruar.

Në këto kushte, ai ka shkuar në polici dhe ka kërkuar të verifikohen të dhënat e tij. Edhe punonjësja e policisë i ka thënë se nuk ka të dhëna në sistem dhe për këtë arsye duhej të paraqitej në komunë. Të nesërmen, pasi ai ka diskutuar dhe me të shoqen është paraqitur në komunë, ku është vënë në dijeni se ai ishte çregjistruar që në muajin nëntor të vitit 2016. Punonjësja e komunës e kishte vënë në dijeni se, ai ishte hequr nga regjistrat pasi cilësohej person me rrezikshmëri të lartë.

Ai ka mbetur i shtangur dhe në këto kushte ka kërkuar ndihmën e avokatit, por siç tregon, çështja e tij zgjat deri në dy vite dhe ai nuk lejohet të marrë pjesë në gjyq. Për këtë arsye, ai tregon se ka kërkuar ndihmën e Ambasadës shqiptare në Belgjikë, ku ka kontaktuar në telefon me një punonjëse të Ambasadës. Pasi ai i ka shtruar shqetësimin që kishte, punonjësja nuk i ka dhënë ndonjë zgjidhje.

Petrit Ndoci tregon se ai priste që Ambasada ta mbështeste, madje të ofronte ndihmën, pasi ai është qytetar shqiptar, por është zhgënjyer shumë.

Në një situatë të tillë, ai ka marrë vendimin që t’i japë fund jetës. “Nuk e di ç’do të bëj, nuk dua të marr jetë njerëzish se janë të pafajshëm, por dua që të mos nëpërkëmbet dinjiteti im. Nuk i dua letrat belge, por të më cilësojnë person të rrezikshëm pas kaq shumë vitesh që punoj, është shumë e rëndë. Më vjen keq për vajzën time belge, por nuk e kuptoj sesi mund të më ndodhë kjo”, tregoi ai në telefonatën që pati me gazetarët e “Fiks Fare”, duke paralajmëruar se dita e enjte do të ishte dita e fundit për të dhe që do të kontaktonte sërish me emisionin tonë.

Sot (e enjte) në mëngjes, ai telefonoi sërish dhe paralajmëroi se kishte vendosur që të kryente një akt të rëndë (vetëflijimi). “Fiksi” i kërkoi që ai të mos ndërmerrte hapa të tillë dhe që t’u jepte kohë, duke i ofruar ndihmën që të kontaktojë me Ambasadën shqiptare në Belgjikë dhe të ndjekë çështjen e tij në gjykatë, por qytetari dukej i vendosur. Ai dha vetëm një orë kohë.

Pas telefonatave, ai pranoi identitetin e tij të plotë dhe u arrit të komunikohej me video. Gjatë komunikimit me video, ai tregon një pistoletë dhe thotë fillimisht se kishte vendosur të kryente një akt të rëndë, por nuk do merrte jetë njerëzish, megjithëse do i jepte fund jetës. Për këtë, ai thotë se do të komunikonte me policinë dhe se brenda 20 minutash do të kryente aktin.

Në komunikimin tjetër me video, ai shpjegon se sapo ka telefonuar policinë dhe u kishte thënë se ishte person i rrezikshëm dhe i armatosur, prandaj kërkonte praninë e tyre që të largonin njerëzit, pasi aktin kishte zgjedhur ta kryente në një park pranë rajonit të policisë.

Fillimisht, ai rrëfen se kishte shkuar një furgon policie të cilëve u kërkoi të merrnin masa, por ata ishin larguar. Ndërkohë, ai vijonte komunikimin me “Fiksin”, por nuk pranonte të tërhiqej nga vendimi i tij, duke u shprehur se “kishte kohë sa të pinte një cigare”. Në ato momente, ai thotë se ka mbërritur një makinë civile, por që kishte punonjës policie brenda. Rreth orës 12:42, duke komunikuar me policët në gjuhën vendase, ai i drejton pistoletën vetes dhe sërish debatojnë mes tyre. Në ato momente, ai hedh telefonin në tokë dhe dëgjohen vetëm të bërtitura… Më pas dëgjohet një krismë dhe duken disa punonjës policie që afrohen te trupi i shtrirë i qytetarit dhe i japin ndihmën e parë. Aty telefoni fiket.

“Fiks Fare” tentoi të marrë informacion për gjendjen e qytetarit shqiptar, i cili kreu këtë akt në formë proteste ndaj Ambasadës shqiptare, por ishte shumë e vështirë për një informacion të saktë. “Fiksi” telefonoi disa herë edhe në numrin me të cilin qytetari i kishte kontaktuar, por askush nuk përgjigjej.

Rreth dy orë më vonë, pikërisht në 14:37, i njëjti numër kthen telefonatën dhe nga ana tjetër shfaqet Petrit Ndoci, i cili tregon se ishte plagosur dhe se do të hynte në sallën e operacionit. Ai tregon plagën, që fatmirësisht nuk i kishte prekur zemrën. Madje, ai tregon se ruhej me punonjës policie në dhomën e spitalit, ku së shpejti do t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale. “Fiks Fare” do të ndjekë edhe sot rastin e emigrantit në Belgjikë, i cili denoncoi pranë nesh këtë ngjarje të pazakontë për gazetarinë shqiptare./Tch.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: