NGA: Ina Allkanjari
Një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën e familjes Daci në Bathore të Tiranës mbrëmjen e së enjtes. Shënjestër e sulmit ka qenë familja e shtetasit Gazmir Daci, i cili aktualisht ndodhet në burg, pasi akuzohet për veprën penale të vrasjes së Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait të tij, Robertit. Nga shpërthimi në katin e parë të banesës ka pasur vetëm dëme materiale, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Familja Daci akuzon për këtë sulm familjen Kolaveri me të cilën prej vitesh ndodhen në konflikt. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, motra e Gazmir Dacit tregon tmerrin e përjetuar në familje nga shpërthimi i eksplozivit, duke theksuar se në banesë ndodheshin edhe fëmijë të mitur të moshës 3-4 vjeç.

Ajo akuzon familjen Kolaveri për sulmin, duke treguar se ky është rasti i katërt që kërcënohen nëpërmjet vendosjes së tritolit, ndërsa një rast tjetër kanë tentuar të ekzekutojnë në ambientet e burgut vëllain e saj.

“Është hera e pestë që na sulmojnë. Dy herë na është vendosur tritol në shtëpi, dy herë te lokali, që është biznesi i familjes sonë dhe një herë kanë tentuar të vrasin vëllain në burg. Kemi kërkuar ndihmë nga shteti, nuk na japin asnjë lloj zgjidhjeje, kemi nevojë për mbrojtje”, u shpreh motra e Gazmir Dacit në gjendje të rënduar psikologjike nga sulmi. Ndërkohë ditën e djeshme babai i Gazmir Dacit, Xhelal Daci paralajmëroi autorët se do të bëjë vetëgjyqësi, nëse shteti nuk merr masa.

Mbrëmjen e së enjtes banesa e familjes suaj është bërë shënjestër e një sulmi me eksploziv. Kush ndodhej në shtëpi në momentin e shpërthimit, pati të lënduar?
Në momentin e shpërthimit ndodhej në shtëpi motra, mami dhe tre fëmijët. U trembëm shumë, dolëm direkt nga shtëpia dhe lajmëruam policinë, e cila erdhi në banesën tonë shumë shpejt. Nuk pati të lënduar, por fëmijët janë tmerruar, sepse janë të vegjël.

Patët mundësi t’i identifikonit autorët?
Jo, por shtëpia është me kamera sigurie, policia i sekuestroi.

Keni dyshime se kush mund të jenë personat të cilët vendosën tritolin?
Dyshojmë se autorë janë personat me të cilët jemi në konflikt prej vitesh, me familjen Kolaveri.
Ju dyshoni se autorët janë pjesëtarë nga familja Kolaveri, me të cilët jeni në konflikt prej vitesh. Keni pasur më herët kontakt me këtë familje për të qetësuar situatën në të cilën ndodheni?
Në gjithë këto vite kemi pasur kërcënime të vazhdueshme. Por jo, kontakt direkt nga familja Kolaveri nuk kemi pasur asnjëherë. Kjo është e tmerrshme, të vendoset tritol në shtëpi kur brenda në banesë ndodhet gruaja me fëmijë të mitur, të moshës 3 dhe 4 vjeç. Nuk është dëgjuar në asnjë vend tjetër kjo gjë.

Flitet për disa sulme të kryera ndaj familjes suaj ndër vite. Çfarë masash keni marrë, u jeni drejtuar institucioneve shtetërore për mbrojtje?
Është hera e pestë që na sulmojnë. Dy herë na është vendosur tritol në shtëpi, dy herë të lokali që është biznesi i familjes sonë dhe një herë kanë tentuar të vrasin vëllain në burg. Kemi kërkuar ndihmë nga shteti, nuk na japin asnjë lloj zgjidhjeje, kemi nevojë për mbrojtje.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2018/07/28/i-vendosen-tritol-ne-banese-motra-e-gazmir-dacit-hera-e-peste-qe-na-sulmojne/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb