SHKODER- Pika kufitare e Hanit të Hotit është transformuar rrënjësisht, duke mundësuar hapësira me moderne për të gjithë ata që kalojnë kufirin nga Shqipëria në Malin e Zi, dhe anasjelltas.

Në këtë pikë kufitare sot qytetarët dhe bizneset përfitojnë shërbime shumë herë më të shpejta e cilësore krahasuar me disa vite më parë.

Në ceremoninë e inaugurimit, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, shprehu mirënjohje dhe falënderim për Bashkimin Europian, që kontribuoi në realizimin e këtij projekti.

Sakaq, ai theksoi se, duke qenë se turizmi është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, investime të kësaj natyre synojnë që të ofrojnë shërbime sa më cilësore për qytetarët dhe turistët.

“Financimi nga projektet e BE për këtë investim shkon rreth 2.5 mln euro. Shprehim falënderim për kontributin e dhënë nga BE për të kthyer këtë pikë të kalimit kufitar në një shërbim më cilësor. Qeveria shqiptare ka në prioritetet e saj zhvillimin e turizmit, ndaj po kujdeset që portat hyrëse për në vendin tonë të kenë standardet e duhura. Masat që kemi marrë në kuadër të sezonit turistik, synojnë edhe ofrimin e shërbimit cilësor në portat hyrëse. Objektet që inauguruam sot do të japin kontributin e tyre në lëvizjen e shpejtë të qytetarëve. Jemi të bindur se ky investim do të realizojë pritshmëritë, për të mundësuar menaxhimin e duhur të kufirit”, tha ministri Xhafaj.

(BalkamWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb