Rritja ekonomike në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas vlerësohet të jetë 3.36%. Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2017, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, pati rritje prej 3.84% krahasuar me vitin 2016.

Kontributin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë sektorët e “tregtisë, transporti, akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, si dhe ai i “administrimit publik, arsimit dhe shëndetësisë”.

Të dy këto degë të ekonomisë kanë kontribuar me përkatësisht 0.66 dhe 0.64 pikë përqindje. Aktiviteti i ndërtimit, po ashtu sipas INSTAT, pati rritje me 0.53%.

Kontribut pozitiv kanë dhënë pjesa më e madhe e degëve të ekonomisë, me përjashtim të bujqësisë dhe degës së informacionit dhe komunikacionit.

Rritja e degës “aktivitetet financiare dhe të sigurimit” ka pasur rritjen më të madhe me 11.24%, duke reflektuar edhe njëherë ecurinë e mirë të sektorit bankar në vend.

Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka ndërkohë një rritje prej 21.99% në raport me tremujorin e fundit të 2016-ës, si pasoj[ e rritjes së sektorit të turizmit, por edhe investimeve në këtë sektor.

Ndërkohë, rënia më e madhe i takon sektorit të energjisë elektrike, i cili vuajti pasojat e një thatësirë që uli prodhimin e hidrocentraleve publike dhe private në vend.

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,14 %. Konsumi final i qeverisë u ul me 1,84 %.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb