TIRANE – Pas largimit nga grupi parlamentar i PS-së, deputeti Ben Blushi ka folur në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut për arsyet që e shtynë drejt marrjes së këtij vendimi.

“Pse kemi marrë vendim të ikim nga rilindja? Nuk mund të rrimë në një parti që nuk pranon zgjedhjet brenda partisë”- tha deputeti.

I pyetur se përse qëndroi në PS pasi socialistët erdhën në pushtet, Blushi tha: “Nuk jam bashkuar me Ramën, qëndrova në partinë time. Nuk jam pajtuar me Ramën, kam qenë besnik i partisë time. Pse Rama është PS-ja. Rilindja është Rama. Një parti nuk është një njeri”.

Deputeti Ben Blushi pohoi se në muajin korrik, kur sipas tij qeveria praktikisht e humbi shumicën për shkak të krizës me LSI-në, ju kërkua vota nga socialistët, por ai tha se kishte vendosur si kusht rikthimin e zgjedhjeve brenda PS-së dhe korrektimin e cilësisë së qeverisjes.

Blushi: “Nuk është vendim personal. Jemi dy deputetë që pasi i konsumuam të gjitha mundësitë për të bashkëjetuar në një parti, vendosëm të largoheshim. Ne kemi bërë një betejë brenda PS, që nga fillimi i vitit 2016 për të kërkuar zgjedhje të lira. Nëse në Shqipëri një parti e cila eliminon zgjedhjet në të gjitha forumet duke hequr mundësinë për tu zgjedhur, kjo nuk është normale për mua. Kjo është arsyeja themelore. Unë kam qenë konsekuent nga dita e parë. Në vitin 2009 kam kërkuar që Rama të japë dorëheqjen si kryetar i PS dhe nuk e beri. Humbi zgjedhjet na la katër vjet në opozitë dhe unë kërkova të jepte dorëheqjen.

Kur e patë që PS mori pushtetin u bashkuat me Ramën?
Blushi: Nuk jam bashkuar me Ramën, qëndrova në partinë time. Nuk jam pajtuar me Ramën, kam qenë besnik i partisë time. Pse Rama është PS-ja. Rilindja është Rama. Një parti nuk është një njeri

Në përgjithësi identifikimi i kryetarit me partinë është shumë i fortë. A keni qenë ju që e pranuar rilindjen si koncept?
Blushi: Ta shpjegoj pse kemi marrë vendim të ikim nga rilindja, nuk mund të rrimë në një parti që nuk pranon zgjedhjet brenda partisë.

Gjithë pakënaqësia juaj vjen se Rama nuk pranoi zgjedhjet brenda PS?
Blushi: Nuk ka asnjë mundësi për të korrektuar një parti nga brenda nëse ajo eliminon zgjedhjet. Unë kërkova të kandidoj dhe PS, ose më saktë rilindja, mori vendim personal. Nuk ka ndodhur që një parti të marrë vendim për ti’ hequr dikujt të drejtën e garës.

Kishit një garë dhe u tërhoqët?
Blushi:Nuk jam tërhequr nga asnjë garë. E vetmja garë është kjo e 2016. Unë kam qenë në garë në 2009. Në një parti normale zgjedhjet bëhen 1 herë në 4 vjet. Në Republikën e Shqipërisë kemi të drejtë të zgjidhemi 1 herë në 4 vjet. Nëse del dikush dhe thotë i shtyjmë, je dakord ti?

Jo nuk jam.
Blushi:Jetojmë në një sistem pluralist. Partitë që e përbëjnë atë janë detyrimisht demokratike. Për këtë arsye kërkova të ketë zgjedhje. Vendimi që u mor është Ben Blushit i hiqet e drejta e garës. Ke dëgjuar në ndonjë vend demokratik këtë? Kjo ka ndodhur me mua.

Pse 2 veta kanë vlerë më shumë se një parti e tërë?
Blushi:Në një qytet të vogël të Gjermanisë bëheshin zgjedhje. Nga 600 veta 2 votuan kundër Hitlerit, 588 pro. Rilindja pra Rilindja. Kjo parti nuk ka të drejtë të marrë vendim që nuk bën zgjedhje. Për të marrë vendim ndryshojmë kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për të bërë zgjedhje 1 herë në 8 vjet. Për çfarë kemi dalë në ‘91, unë kam qenë një nga ata që ka dalë? Nëse kjo parti mori vendim që njeriun ta zgjidhte me referendum, kjo është qesharake. Ke parë të zgjidhet Angela Merkel me referendum. Kjo e bëri edhe më qesharake Rilindjen. Referendumet janë shpikur për të zgjidhur një çështje, zgjedhjet për të zgjedhur një njeri. Edi Rama u bë çështje.

Nëse do ishe ministër sot do kishte kundërshtime?
Blushi:Nuk ka asnjë lidhje.

Çfarë ndodhi në 2013 mes jush dhe Ramës? Ju shiheshit si një kandidat për në kabinet?
Blushi:Kontestimi ka ndodhur para këtij viti. Në 2009.

Rama mund të mos iu kishte vendosur në krye të listës në një qark?
Blushi: Po kë do kishte vënë Elvis Rroshin? Mark Frrokun?

Unë nuk kam ngritur dorën për asnjë nga këta. Nuk mund të konstatoja sepse unë nuk njihja asnjë listë për veç asaj të Elbasanit. Ishte ekskluziviteti i kryetarit të Partisë, i ka zgjedhur personalisht si miq.

Nëse ju jeni në atë parti dhe kjo parti e mbush parlamentin me persona të tillë është edhe përgjegjësia juaj…
Blushi: Unë nuk kam asnjë përgjegjësi për futjen në parlament të vrasësve, përdhunuesve, hajdutëve.

Çfarë është prishur në raportin tuaj me Ramën?
Blushi: Raporti im ka qenë me parimet dhe jo Edi Ramën. Të shpjegova si ra një parim. Se si Partia Socialiste eliminoi zgjedhjet, për shkak të dhunës, forcës, frikës. Unë kam 2-3 vjet edhe përpara se të eliminoheshin zgjedhjet që flisja në parlament edhe në shtyp për devijimin e pamundur dhe të shëmtuar të një partie e cila mori votat për arsye të tjera dhe po qeveris ndryshe.

Asnjë nga premtimet që u dha në 2013 nuk janë mbajtur.

Është mbajtur ai për taksën progresive…
Blushi: Ka aplikuar taksën progresive për punën, për të varfrit jo për kapitalin. Në taksën për punë, që janë njerëzit që kanë paguar më pak. Edi Rama nuk ka aplikuar taksën progresive për të pasurit, përkundrazi ka lënë taksën e sheshtë që kishte Saliu. Sali Berisha kishte taksën e sheshtë 10 % që pavarësisht që sa fiton do paguash 10%. Edi Rama e bëri taksën 15% por sërish është e sheshtë. Një drejtor banke që mund të ketë bërë një shkollë shumë të mirë, e di sa paguan? 23% mbi pagën. Pronari i bankës paguan 15% mbi fitimin. Kush tatohet më shumë? Unë nuk mund të isha me këtë variant. Kjo është një nga arsyet që nuk jam me Rilindjen. Në 2013 kam folur pikërisht për këtë gjë që përsëri nuk u bë.

Pse nuk u bë?
Blushi: Rilindja është një grup i djathtë. Kanë të njëjtën platformë për të mbështetur vetëm të pasurit e Shqipërisë, për këtë arsye. Ka 2-300 mijë njerëz që kanë ikur nga Shqipëria në 3 vjet.

Po ikin dhe mjekë, infermierë, jo vetëm të varfër…

Blushi: Po sa janë këta?!

Nga 2013 deri në fillim të 2016-ës ju keni patur kritika në mënyrë permanente për qeverinë, ja keni thënë kryeministrit ballë për ballë këto gjëra?

Blushi: Në një parti që nuk bën zgjedhje dhe nuk mbledh asnjë forum nuk mund ti thuash këto gjëra. Kam folur në parlament.

Keni patur tratativa me zotin Rama për të riformatuar marrëdhënien tuaj?

Blushi:  Jemi takuar 2-3 herë me njerëz të tjerë.

Zonja Hafizi deklaroi se Rama  ju ka kërkuar të bëheni ministra kur ishte kriza me Metën…

Blushi:Kjo qeveri praktikisht humbi shumicën në korrik, në vigjilje të votimit për reformën në drejtësi. Ishte një krizë e dukshme mes rilindjes dhe LSI-së, për gati një javë qeveria pothuajse ra. Nga 71 të domosdoshëm ishin rreth 63-64 mandate. Në atë ngushticë numrash sigurisht që pati njerëz që erdhën për të kërkuar votën. Kemi kërkuar vetëm një gjë. Erdhën kërkuan se çfarë do bënim nëse do kishte mocion nga Saliu dhe Ilir Meta. Ikemi thënë vetëm një gjë, ka vetëm një rrugë që të ktheni zgjedhjet në PS dhe të korrektoni cilësinë e qeverisjes. Korrektim do të thotë të ndryshosh rrugë. Të bësh disa reforma për të varfrit, të rrisësh pagat dhe pensionet, të ulësh çmimin e energjisë për të varfrit, të rrisin asistencën sociale, të heqin dorë nga koncesionet. kjo qeveri i ka bërë gabim, kam kërkuar të mos e bëjë më.

Një parti, e treta apo e katërta voton 3 herë ndryshe për katër vjet. E di pse ndodh kjo? Që një parti mund t’iu kthehet vendimeve siç është rasti i ligjit të mbetjeve? Kur nuk ka demokraci të brendshme brenda partisë. LSI është një ndërmarrje private, PS apo rilindja po kthehet në një ndërmarrje private.

Kjo nuk mund të ndodhë në Francë, nuk mund të ndodhë në Gjermani.

Nuk paska në atë parti asnjë tjetër veç ju të dyve?
Blushi: Në mars i ke dhënë ti kronikat. Shkova në Elbasan në një takim. Dolën rreth 100 banditë e një sallë me 2 mijë vetë që ulëritën kundër meje. E çfarë po kërkoja unë zgjedhje. Kjo do të thotë se kalbëzimi ka shkuar aq thellë. Asnjë nuk e sheh veten si anëtar partie por si punëmarrës.

A i gjeni një gjë të mirë kësaj qeverie?
Blushi: Reformën territoriale e kam votuar, kam folur për të. Pavarësisht se nuk është e plotë, nuk është e kryer. Nuk e di sa është në kurriz të opozitës, nuk më kanë bindur argumentet e saj.

Kjo qeveri e ka deformuar të drejtën koncesionare. Unë të jap një të drejtë, ti e shfrytëzon dhe paguan taksa mbrapsht dhe fut njerëzit në punë. Kurse këta e kanë bërë, këta japin para.

Si është kjo qeverisje me atë paraardhëse?
Blushi: Në metodë nuk është se ka ndonjë ndryshim. Kjo qeveri nuk ka pasur ende ngarkesa si Gërdeci apo 21 janari. Si metodë nuk ka ndryshim. Është e njëjta metodë. E kam thënë që po qeverisim si Saliu pa Saliun. Çfarë ka ndryshuar ngarkesa fiskale, privatizimet, punësimi. Kishim shumë të varfër, kemi më shumë të varfër.

Çfarë ka ndryshuar? Ka ikur Saliu ka ardhur Edi po qeverisin njësoj.

Ju e sollët këtë qeveri?
Blushi:Unë nuk kam premtuar as që mbetjet e gjithë Evropës të futen në Shqipëri. As që Elvis Rroshi të jetë kandidat dhe akoma në detyrë.
(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: