Nga: Raimonda Shundi (Dervishi)

Në fakt ajo është Tatiana Sulejmani. Apriori evidentohet dyshtetësia e saj; emri rus, mbiemrin shqiptar. Është fëmija i parë i dashurisë së historive diplomatike të komplikuara, por me kaq interes për Tiranën pritëse në fillim vitet 50’. Kadare, Agolli, Mula… ishin vetëm një pjesë nga emrat që mundën të na e shpërfaqnin (haptazi, ose nënë zë) atmosferën Moskovite. U komentuan gjatë pasionet e studentëve të parë në vendin e Dostojevskit, Toltstoit, Balshoit, Stanislavskit… Arsimimi në vendin e kulturës më impresionuese për shumë kënd, ndryshoi përfundimisht destinacionin e tyre final. Njëra prej tyre ishte edhe familja e personazhit të ditës në “BalkanWeb”, ikona e baletit Shqiptar të viteve 70’, Albana Sulejmani. Si mund të flasim për Tanianën dhe të mos i rrëfejmë lexuesve që jetojnë në epokën e konsumizmit emocionalo-virtual se dikur gjërat funksiononin shumë më ndryshe nga sot; në çdo gjë e gjithkund?

Familja Sulejmani
Nexhat Hysen Sulejmani (babai), Kosovar i shëtitur nga Stambolli në Kavajë. Studimi në Itali në Akademinë Ushtarake, përkon edhe me fillim-luftën, ndaj studion vetëm tre vjet dhe ndërpret vitin e fundit pasi vullnetarisht shkon në luftë. Teritoret e nxehta të luftimeve e konsoliduan kolonelin model, megjithë dhimbjen e humbjes së shumë miqëve të dashur. Studimet në Moskë i ndjek në akademinë Ushtarake “Lenin” për rreth tre vjet. Puna dhe përkushtimi bën të tërheqë vëmëndjen e profesoreshës së Frëngjishtes (Nadjushi nga familjet intelektuale Moskovite). Vizitat e shpeshta në shtëpinë e sajë krijuan mundësinë e njohjes me mbesën e tyre bukuroshe, Margarita. Miqësia me ushtarakun nga Kosova Margaritës i ndryshoi përfundimisht jo vetëm mbiemrin, por edhe nënështetësinë. Për të kjo histori e ëmbël ishte lidhja e parë dhe e fundit me një djalosh. Miqësia mes të rinjëve ndez ankthet e dakordordimit me ambasadat reciproke, por fati ishte në anën e tyre. 18 vjeç transferohet në Shqipëri dhe nga aty gjithçka shkon si në fundet e ëndërruara vetëm në përalla, të lumtur përgjithmonë. Shqipëria ishte vendi ku rusja kaloi pjesën tjetër të jetës të saj, por tashmë si një Shqiptare. Fëmija e parë është Albana jonë, ndërsa i vëllai Iliri, vjen në jetë pas katër vitesh diferencë.

Duartrokitjet e nxehta pas çdo premiere zjarronin publikun, por ftohtë, tepër ftohtë shihej nga kokat e shtetit që asistonin në shfaqje. Atyre u pëlqente vetëm partizani, kooperativisti, punëtori muskuloz dhe asgjë më tepër. Kurrsesi nuk e miratonin personazhin e dashuruar mes djalit e vajzës në skenën e baletit tonë, qoftë edhe shkarazi, mungesa e së cilës dhe vënia e vulës proletare e rëndonte shfaqjen, e rëndonte edhe balerinët ,baletmaestrin… ndaj të cilëve Partia–shtet shpesh mostronte dhëmbët me masat ekstreme që ajo ndërmerrte. Profesor Kanaci, Sulejmanin e shihte si gurin e tij të çmuar dhe çdo premierë si e huaj apo edhe Shqiptare, por sidomos ato që ai vinte vetë, I takonte pa dyshim vetëm të parës sonë të baletit, Albana Sulejmani.

Ajo ishte balerina soliste mes dy meshkujve protagonistë të Tkob (Ilir Kerni, Ludmill Cakalli) të suksesshëm në të gjitha vëniet e Teatrit të Operas dhe Baletit të viteve 70’. Personifikim i përsosur i emrit të madh që ajo përfaqëson në genin amëror. Albana u largua nga Shqipëria rreth viteve 97’. Në kohën kur piramidat krijuan zemëratën e frikshme. Jeton prej vitesh në Itali (Milano) së bashku me të shoqin edhe ai balet maestër (Ludmill Cakalli) si dhe të ëmblën vajzën e tyre. Suksesi Italian ishte vetëm çështje kohe. Tashmë është nga mësueset e baletit më të kërkuara, jo vetëm në teritorin Italian. Shkolla e saj është nga më populloret, ndërsa Albana me të shoqin janë si gjithmonë aty duke lartësuar emrin dhe baletin Shqiptar. Treshja e të rinjëve ishte treshja e emrave më potentë që dolën nga ajo shkollë. Ishin tre emrat e parë të lokomotivës së talenteve tanë me profesorët e studiuar në Rusi. Ishte treshja ku sakrifica, eleganca, teknika, muzikaliteti e finesa shkonin në të njejtin fill, atë të balerinit model.

Intervista për “BalkanWeb”

Jeni ikona e baletit Shqipëtar të viteve 80’, çfarë do të kujtonit nga ajo kohë?
E di se unë as që e kuptoja se isha ikonë? Në ato vite ne dinim të punonim dhe vetëm të punonim. Për mua ishin vitet më të lumtura edhe pse vështirësitë nuk ishin të pakta. Teatri për mua ishte gjithçka, atmosfera ishte magjike dhe më tërhiqte si një fëmijë i humbur . Nuk di një herë që të kem munguar. Madje edhe kur isha me temperaturë 39… nuk mungoja. Shpesh nëna ime kur shihte cfilitjen time më thoshte – “do të të heq nga baleti” ndërsa unë i përgjigjesha – “ më mirë të vdes, se sa pa balet”.
Atmosfera, kushtet, aktivitetet, autoritarizmi dhe kufijtë e të qenurit në rregull me normat partiake, sa ju kanë krijuar stres apo kënaqësi? (pak atmosferë të atyre viteve)
Na vinin shpesh persona të cilët nuk kishin të bënin me baletin për të na gjykuar shfaqjet tona dhe sinqerisht viheshim në vështirësi kur na paraqesnin absurdin e kërkesave të tyre. Sidomos kur na vinin funksionarë të lartë partie. Gjykonin ideologjikisht shfaqjet tona dhe me arrogancën e padijes ndaj profesionit tonë. Na pengonin të ekzekutonim kryesisht disa shfaqje të repertorit botëror. Të paktën mundi të riparohej disi kjo traditë vitet e fundit me ndryshimin e sistemit politik.
Si do ta quanit periudhën ku studiuat dhe punuat në teatër?
Teatri për mua ishte shtëpia ime… e dytë. Në këtë periudhë, problemi kryesor ishte se si të perfeksionohesha teknikisht dhe artistikisht. Në shkollë mëson shumë gjëra, por eksperienca në skenë është gjë tjetër. Në historinë e teatrit tonë por edhe atë botëror, për tu emëruar një solist, duhet relativisht shumë kohë, ndërsa për mua dhe dy kolegët e mi, kjo kohë u kapërcye shpejt. E them dy kolegët e mi Ludmill Cakalli dhe Ilir Kerni, sepse të tre patëm të njejtin vlerësim. Në këto vite na quanin “treshja e të rijve “. Ndoshta ishte edhe paksa fati ynë pasi solistët aktualë i përkisnin një tjetër mosheje. Pra, mungonin të rijtë, dhe ne mundëm të mbulonim një boshllëk aktual në teatrin të atyre viteve.
Diçka më në veçanti për profesor Panajot Kanaci dhe Agron Aliaj; si ju gjeti për tu kthyer në të preferuarën e tyre?
Me maestro Panajotin kam punuar shumë. Ai më besoi të gjitha rolet kryesore të baleteve të tij. Profesori ishte një koreograf i mirëfilltë dhe jo vetëm për faktin se ishte diplomuar në Moskë, por sepse kishte një kulturë të gjithanshme me një inteligjencë që rrallë e takoje. Unë kështu e njoha prof Panajotin dhe kështu do të mbetet gjithmonë, supernjeri. Ndërsa profesor Agroni nuk ishte thjesht personi që “ushqeu” trupën e baletit klasik, por për mua, ai ishte emri që më riti në shkollë dhe më shoqëroi në pjekjen time artistike edhe në teatër. Është e vërtetë se isha e preferuara e tij, pse-në nuk e di ta them, por di vetëm se ai ishte gjithçka për mua. Faleminderit!
Çfarë mbani mënd nga koha e turneve në teatër?
Kemi bërë shumë turne, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit. Turnetë në vend ishin të vështira artistikisht, pasi kushtet e balerinit dhe spektaklit në përgjithësi janë shumë specifike, por publiku ishte shumë i grohtë dhe entuziast. Ndërsa turneun e parë jashtë shtetit e kamë bërë në Kinën e largët të Mao ce Dun-it në vitin 1972, unë isha vetëm 14vjeç. Ishim vetëm fëmijë dhe nuk kuptoja asgjë nga politika, por ky turne nuk harrohet kurrë. Jo vetëm që patëm mundësi të njihnim artistë të zotë kinezë, por sidomos pritja nga e tyre ishte fantastike. Një nga batuta tona të nënzëshme ishte se “do shkojmë për turne te goca e tezes” meqenëse dy popujt tanë ishin parti motra. Ndryshe ndodhte me turnetë në Paris, Greqi, Turqi, Itali… Ato ishin turne shumë impenjative. Unë isha protagoniste e roleve kryesore, ndaj përgjegjësia qe shumë-fish më prezente. Publiku ishte entuziast, ndërsa unë dhe kolegët nuk dinin si të përshkruanim kënaqësinë e punës tonë.
Si ishte dieta juaj ditore?

Dieta nuk ka ekzistuar ndonjëherë, si atëhere kur isha e re e që kërceja gjithë ditën, ashtu edhe tani që jam në rolin e Maestrës. Besoj që është në natyrën time. Unë nuk kam qenë ndonjëherë ngrënëse e madhe… pooor, më pëlqejnë ëmbëlsirat.
Është e natyrshme që një emër si juaji xhelozon kolegët; sa të rrezikshëm ishin dikur, po sot?
Xhelozia ka qenë dhe do të jetë në çdo fushë. Ndoshta në art është më e theksuar. Për natyren time ky aspekt nuk më ka munduar kaq shumë. Kam qenë gjithmon e mirëpritur dhe e inkurajuar nga brezat me më eksperiencë. Ka njerëz që aspekti i xhelozisë i shkatërron, ndërsa në rastin tim, nuk më ka kushtëzuar aspak. Tani në rolin e mësueses, mbas një esperience kaq të gjatë pune në Itali, xhelozia pothuajse nuk na takon më. Komplimentat na rrethojnë kudo.
Kthehemi pak në vitet e para të ikjes në Itali; pse u larguat në kulm të karrijerës?
Në momentin që lash teatrin ishte një periudhë e vështirë si për Shqipërinë, por në veçanti edhe për Teatrin e Operas. Unë kujtoj që dadoja ime e mbyllte vajzën në korridor për të mos u kapur nga plumbat qorrë, pasi aty nuk kishte dritare. Frika e kësaj situate na e ngarkonte përditshmërinë. Ne kishim një shtëpi në qëndër të Tiranës (dhuratë e shtetit), në katin e gjashtë. Ishte pa ashensor dhe kur vinte uji, për banorët ishte një festë e vërtetë. Pa ujë ishte një ditë e mallkuar. E imagjinoni që unë pasi kisha punuar në sallë për orë të tëra, kur vija në shtëpi duhej të ngjisja edhe ujin me kova deri në katin e 6? Këto dhe shumë të tjera, na bënë që të na mbushej mendja të emigronim. Fati im i keq ishte se ika në një moshë ku mund të jepja edhe shumë më tepër për trupën tonë të baletit, sidomos kur pjekuria artistike ishte shumë herë më e madhe. I kam uruar pafundësisht ata artista që mundën të mbesin dhe vazhduan të punonin në teatrin e asaj periudhe të shëmtuar.
A ishte zgjedhja e duhur largimi në itali, a do ta ribënit sërisht?
Për pytjen se nëse do ta ribëja… nuk e di si të pëgjigjem.

Kur u përballët me profesionistët në Itali, si ishte reagimi i tyre pasi panë se çfarë u kishte bekuar perëndia me prezencën tuaj e të tët shoqi?
Italia nuk bëhet kurrë Amerikë. Kjo për faktin se ata nuk munden të pranojnë profesionalizmin dhe aftësitë e të huajve si puna jonë. Ne nuk është se e vuajtëm shumë, por…racizmi ekziston në Itali.

Familja juaj është shumë e bukur, treshja perfekte. Cfarë të pëlqen të publikosh për ta, pasi e di se jeta familjare është pjesërisht e rezervuar?
Momenti më i rëndësishëm ishte kur bëmë bashkë me tim shoq Ludmillin kursin “Maitre de ballet” në Skalan e Milanos e cila zgjati 2 vjet. Punët ishin provime serioze. Atje ne mësuam shumë gjëra, sidomos për atë çka ndodhte në botën e baletit. Ballafaqimi mes dy shkollave tona here-pas-here më vendoste në prioritet, pra kemi patur shkolla të mira dhe dinjitoze.
Në Tiranë njihesh me Albana Sulejmani, në Itali me Tatiana; pse?
Zgjidhja e emrit Albana në vend të Tatiana nuk ishte aspak zgjidhja ime por as edhe e familjes time. Ishte zgjedhje politike. Në vitet e para të 1980, kur unë fillova të njihesha shumë nga publiku ynë, dikush me marifet më këshilloi që ta ndërroja emrin. Mesazhi ishte i qartë: balerina e parë Shqiptare duhet të ketë emër Shqiptar, megjithëse nëna e saj është ruse.
Vini nga një mama Ruse dhe baba në karrjerë ushtarake. Çfarë ju ka mbetur nga mënyra e edukimit nga familja e parë, për ta kaluar tek ajo që aktualisht ke?
Unë jam produkt i asaj familje dhe i jam mirënjohës për jetë. Sipas jush, si mund të rritet një fëmijë me mama mësuese dhe baba ushtarak?… Faleminderit pridërve!
Italia ka vijuar me suksesin e rradhës; sa ju kënaq kjo gjë?
Mënyra e edukimit është e njëjta, por ka nuanca te reja që na dikton koha.
A e ndiqni se çfarë ndodh me jetën artistike dhe politike në Shqipëri?
Ne jemi shumë të zënë, por mund të them se kohën që ndjek televizor e ndaj përgjysëm. Më pëlqejnë emisionet mbi natyren, ndjek televizionet Shqiptare dhe marr informnacione për zhvillimet e artit dhe kulturës. Nuk i lë pas edhe informacionet për politikën. Politika për mendimin tim më zhgënjen vazhdimisht. Jam e kënaqur për artin dhe kulturën tonë pasi e shoh se po bën hapa përpara. Baleti Shqiptar po bën përpjekje të mira për të shkuar më tej, por duhet impenjim më i madh nga qeveria, këtë nuk e shoh të jetë.
Sa Shqiptare ndjehesh?
Ne jemi lindur Shqiptarë dhe do vdesim po Shqiptarë.
Nëse do ju kërkonit të drejtonit Teatrin e Operas, si do ishte përgjigja juaj?
Nuk jam menduar ndonjëherë ti kërkoj gjë drejtorit të radhës së Teatrit, por duke qënë se është një istitucion i vështirë për tu drejtuar, duhet ndihmë nga ana e pushtetit. Për të drejtuar një teatër jam e sigurt që do të them JO! Një balerinë nuk mund jetë kurrë një drejtues i mirë i një istitucioni kaq kompleks siç edhe është teatri i operas. Nëse do të më propozohej për ta drejtuar trupën e baletit… mund të mendohesha paksa.. gjithmonë nëqoftëse ky propozim do më ishte bërë vite më parë.
Si ishte orari i punës tuaj, sot a është faqebardhë shkolla jonë e baletit?
Dita e punës dikur fillonte në orën 09:00 deri më 13:00. Pasdite niste rreth orës 17:00 deri më 20:00.Unë nuk them se shkollat tona të baletit sot nuk janë si ato që na kanë përgatitur ne dikur. Pedagogët që na kanë dhënë njohuritë e tyre, vinin nga shkolla të njohura ruse. Megjithatë mbas disa vitesh tranzicioni, mund të them se shkolla e baletit është në rrugë të mbarë dhe drejtohet nga persona me pasion të madh për punën.
– Vëllain tuaj Ilir Sulejmani-n spektatori e njeh në ato pak filma që ka mundur të realizojë deri sa u largua; a është i realizuar atje ku ndodhet?
Për Ilirin mund të them vetëm se është mirë në Bruksel dhe duke ndjekur hapat e babait tonë si një Kosovar i vërtetë. Tani së fundi i shoh përsëri filmat që ka xhiruar në Shqipëri. Mendoj se ka gabuar që nuk e ka ndjekur këtë pasion të parë. Sipas meje, ajo ishte rruga e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb