BalkanWeb.TV Foto Forum Horoskopi Moti Gatimi Kontakt
ARTIKUJ TEK
Intervista
24 Gusht 2011 - 20:17 | LAJME
TRANSLATE
 
Halim Kosova: Unë, fëmija që bridhja pas kuajve dhe lexoja "Liza në botën e çudirave"
Nga: ESMERALDA KETA
Për të, puna është një pasion i pashtershëm. Një pasion, të cilit i është përkushtuar me të gjitha fuqitë që prej më shumë se 30 vjetësh dhe sot po korr frytet. Mijëra kartolina, e-mail-e, sms dhe përshëndetje në rrugë janë falenderimi më i mirë për punën që ai bën. Gjinekologu i njohur, Halim Kosova , drejtor i martenitetit “Mbretëresha Geraldinë”, rrëfen në një intervistë për "Gazetën Shqiptare" përgjegjësinë e madhe që mban mbi supe kur futet në sallën e lindjes për të pritur një bebe, marrëdhëniet me kolegët, fëmijërinë e tij, dashurinë për Elsën, bashkëshorten që i qëndron gjithmonë pranë dhe vajzën, Livia e djalin, Genti, të cilit dëshiron t'i lërë stafetën.

Çfarë ndjesie ju jep fakti që të gjitha gratë duan të lindin fëmijën e tyre me Halim Kosovën?
Padyshim që ndjenja e parë është kënaqësia. Cilitdo që ka marrëdhënie pune ose profesionale me publikun, qoftë ky artist, sportist apo profesionist i çdo fushe, do t'i pëlqente dhe do të lumturohej nga duartrokitjet dhe falenderimet për punën e mirë. Viktor Hygo thoshte se "kënaqësia më e madhe e njeriut në jetë është kur e duan të tjerët". Edhe për ne mjekët, vlerësimi i pacientëve është barometri i sedrës sonë profesionale. Por pyetja juaj, në rastin tim ka një veçanti, sepse unë nuk jam thjesht një mjek gjinekolog që veproj si individ; pothuajse gjithmonë e kam ushtruar profesionin tim në ekip, duke qenë një prej anëtarëve të tij. Sot, madje, falë disa rrethanave organizative jam edhe drejtues i këtij ekipi. Kur gratë kërkojnë të lindin me mua, ato besoj se kanë parasysh namin e mirë të krijuar nga puna e gjithë ekipit. Punën time si mjek gjinekolog brenda ekipit më lejoni ta përqas me atë regjisorin e një shfaqjeje, i cili, krahas rolit drejtues, luan njëkohësisht edhe vetë rolin e një personazhi si aktor. Në fund të "shfaqjes" nuk është çudi që të marr dyfish duartrokitje e dyfish kënaqësi për suksesin; por, mos harroni, edhe shumëfish përgjegjësi në rast dështimi...!
Sa fëmijë keni parë të vijnë në jetë?
E kam të pamundur një përgjigje të saktë, por ju siguroj se kanë qenë njëri më i bukur se tjetri...Më besoni, nuk kam parë fëmijë jo të bukur. E dini?...Një pasdite, kur hyja në një lokal me bashkëshorten, më ndalon një zonjë, që ishte me të bijën dhe mbesën 5-6 vjeçe. Ajo zonjë grua më drejtohet me respekt e më thotë: "Doktor, e shikoni vajzën që ka lindur me ju?". I drejtohem vajzës së vogël e i them: "Ua sa qenke rritur!". Por zonja më ndërpret: "Jo, doktor, ajo është mbesa, atë e ke pritur shumë më pas, vajza ime është e ëma e saj...!". Shpreha habi për çastin dhe vetëtimthi mendova sa shpejt ikin vitet...I kthehem e i them me shaka: "Mos më keni ngatërruar? Pse kaq i vjetër qenkam unë?". Nuk e di, a do të arrij të pres edhe fëmijën e kësaj vajze të vogël...Do të ishte një mrekulli, se do të bëheshin kështu tre breza. Por edhe në qoftë se unë nuk do arrij, kam kënaqësinë se do mund ta ruajë në vazhdimësi këtë traditë ndoshta im bir, i cili po mbaron Fakultetin e Mjekësisë. Atë do e porosis të numërojë e shënojë çdo foshnje që pret...Çdonjëri nga ata është dhuratë më vete për prindërit dhe shoqërinë, siç e thotë bukur edhe Dritëroi: "Qajnë foshnjat në maternitete. Ata nesër do drejtojnë qeveri e shtete...".
Biznesmenë, politikanë, njerëz të artit, gazetarë (ose bashkëshortet e tyre), cila nga kategoria e këtyre femrave është më tekanjoze kur vjen në maternitet?
Unë nuk di që në maternitetin ku punoj të ketë ardhur dikush me teka. Vijnë vetëm me kërkesa dhe shpresa. Vijnë me besim, pse jo, edhe me frikë e dyshim, por përgjithësisht, me entuziazëm...A mund të quhen teka këto? Ato të gjitha janë të natyrshme gjatë një procesi siç është lindja. Mos harroni se lindja e një fëmije nuk është thjesht akt biologjik, por njëkohësisht është edhe akt i shenjtëruar. E cila është ajo vajzë që nuk ka ëndërruar të bëhet nënë? Po prindërit e çiftit, me sa shpresë presin një nip apo një mbesë? Pa harruar të përmendim që i shtohet shoqërisë edhe një anëtar tjetër. Lindja, në vetvete, përmban edhe një numër rreziqesh. Disa prej tyre janë të njohura, por shumë prej tyre jo të këndshme e të papritura, duke u zbuluar vetëm në fund...Prandaj, në të vërtetë, në aktin e lindjes përfshihen njëherazi disa aktorë, të cilët shfaqin shqetësim dhe interesim të drejtpërdrejtë që procesi i lindjes të përfundojë me sukses maksimal si për nënën, ashtu edhe për foshnjën. Çdo e ashtuquajtura "ndërhyrje" apo një fjalë e thënë për "më shumë kujdes", është e justifikuar dhe e mirëkuptuar nga ne, pavarësisht se nga kush vjen. Ajo është shprehje ndoshta dhe e mentalitetit të përhapur gjerësisht tek ne, që po e njohe doktorin ose aq më shumë shefin apo drejtorin, si dhe po iu tha një fjalë atij, sidomos nga dikush me rëndësi, gruas në lindje do t'i kushtohet më shumë vëmendje apo përkujdesje. Kjo është krejt naive, ose më saktë, e tejkaluar tashmë te ne, por unë gjithsesi jam i detyruar në njëfarë mënyre t'i pres me qetësi të tilla "ndërhyrje". Njëkohësisht, dua t'ju siguroj se më i mobilizuar se kurrë ndihem në rastet e grave të thjeshta të popullit, sidomos kur vijnë nga fshati apo nga rrethet. E dini pse? Jo për "politikë" dhe as për sentimentalizëm, meqenëse ato janë pa përkrahje, por për tri arsyet mjekësore specifike që ato mbartin në vetvete. E para, sepse ato zakonisht vijnë në maternitet në gjendje më të rëndë, shpesh me vonesë dhe pa përkujdesje mjekësore, të pandjekura mirë; e dyta, duke qenë të mbingarkuara me punë e të mësuara të durojnë shumë e të mos flasin në ato kushte ku jetojnë, ato rrallëherë mund të ankohen, duke fshehur realisht rrezikun që mbartin në të vërtetë dhe duke mos shfaqur gravitetin real të gjendjes së tyre. (Njihet në mjekësi ajo thënia: "Kujdes të sëmurin që nuk rënkon, sepse aty ndodhin të papriturat). E treta, sepse ato kanë pak ose aspak njohuri lidhur me mënyrën e bashkëpunimit dhe rolin që ato vetë duhet të luajnë gjatë procesit të lindjes. Dhe në këtë rast, siç pohon Dan Brown "padija -lind mosbesimin". Ato dyshojnë ose ndodh të mos besojnë që për to po bëhen të gjitha përpjekjet e duhura për të kthyer në rrjedhën normale ndërlikimin e shfaqur. Në këtë kontekst, ndonjëherë lindin e përhapen edhe thashethemet për "privilegje" apo "pabarazi" në shërbim, nga të cilat zë fill, ndoshta edhe pyetja juaj. Përmenda jo më kot çështjen e ndërsjelltë të bashkëpunimit, sepse në të vërtetë, pak vetë e dinë që lindja është jo veç vepër e personelit mjekësor, por edhe e vetë nënës. Madje, edhe e babait të fëmijës, të cilin ne tani gjithnjë e më shpesh e ftojmë të vijë në sallat e lindjes jo si spektator, por si mbështetës psikologjik dhe aktiv i gruas së vet gjatë gjithë aktivitetit të lindjes. Punëtor, fshatar, intelektual, qeveritar apo gazetar… baballarët tek ne ende shumë pak janë të ndërgjegjësuar se materniteti është një "bankë" e vërtetë, jo e parave, por e një lloji unik krejt të veçantë; bankë në të cilën ata në mirëbesim "depozitojnë" njëherësh jo një, por disa nga thesaret më të shtrenjta të jetës së tyre: si atë të gruas, ashtu edhe të foshnjës, të trashëgimisë e pse jo, të lumturisë së tyre të ardhshme familjare.
Sa e vështirë është të drejtosh një spital për femrat?
Puna me femrat na ka ndihmuar t'i çmojmë në mënyrë më komplekse ato. Ato janë pa dyshim mbretëreshat e rregullit, "maniaket" e pastërtisë, pasionaret e së bukurës dhe zana të delikatesës. Që në momentin e parë, kur ato hyjnë në ambientin e spitalit edhe pse janë me dhimbje ose në "hall", shumica e tyre, me një vështrim të vetëm e të shpejtë i vënë një notë të mirë mjedisit të përshtatshëm. Për gjithçka sa u tha më lart, duhet të pranojmë se ato janë një hap më para se burrat në etikën e komunikimit njerëzor. Si të tilla, me ato duhet kujdes, se preken dhe lëndohen shumë më tepër se burrat; u bën përshtypje të veçantë edhe mangësia e vëmendjes ndaj tyre, janë të papranueshme gjestet e vrazhda, shikimi i vëngërt apo toni i lartë i zërit gjatë komunikimit me to. Materniteti, fal misionit është në fakt një tempull femëror, ku edhe burrat vihen plotësisht në shërbim të tyre. Kjo është e veçanta, privilegji por edhe problematika specifike që e dallon nga spitalet e zakonshme. Materniteti që aktualisht drejtoj, ka edhe një privilegj tjetër, ai mban emrin e një mbretëreshe. Geraldina jonë rrezaton hirësi, paqe dhe klas. Ajo sikur ka sjellë në spitalin tonë urtësi dhe feminilitet me aromë europiane...Pas këtyre, kuptohet vetë përgjigjja e pyetjes suaj; sigurisht që është vështirë të jesh drejtor i një spitali për femrat, ai pritet të jetë menaxheri i tij, që në gjuhën e tyre tingëllon "nikoqirja, amvisa" e këtij spitali. Jo më kot thonë që burri më i përshtatshëm për një post është...një grua. Në një institucion femëror nuk është e lehtë të jesh drejtor burrë. Më e vështira, por jo e pamundura është të jesh drejtor i mirë me notë kaluese në ato që përmenda më lart. Megjithatë, më duhet të pranoj se edhe kështu ndihem i privilegjuar. Më shumë se për vete, më gëzojnë kartolinat, letrat, tufat e luleve, sms-të, apo e-mail-et falenderuese të dërguara nga nënat pas lindjeve, atëherë besoj se e kam kaluar provën jo pa sukses. Të mos harrojmë se nëpërmjet linjës së komunikimit të ndërtuar me pacientët prej shumë kohësh, më vijnë edhe vërejtje apo sugjerime për punë më të mirë, gjë që tregon se jo gjithmonë kalohen provat me sukses në punën tonë të përditshme. I mirëpres gjithmonë ato, sepse, nëpërmjet tyre mund të ndryshoj diçka për mirë në institucion, gjithashtu edhe pacientja apo familjarët e saj mbeten gjithmonë të kënaqur nga mënyra se si reagohet pas një ankese apo vërejtje të bërë...dhe kjo për mua është shumë e rëndësishme. Ndërkohë duhet kuptuar se suksesi në maternitet, si në të gjitha spitalet e tjera, varet shumë nga cilësia dhe saktësia e kujdesit ambulator, prej nga pacientet vijnë tek ne. Mangësitë e këtij sistemi reflektohen pa diskutim në rezultatin final. Suksesi, gjithashtu varet shumë edhe nga kualifikimi i vazhdueshëm profesional i stafit mjekësor, si dhe nga shkalla e motivimit dhe shpërblimit të tyre për punën e bërë. Studimet e bëra jo vetëm në vendin tonë, tregojnë që shkalla e kënaqësisë së personelit mjekësor për shpërblimin e marrë reflektohet me shtimin paralel të kënaqësisë së pacientëve me shërbimin e ofruar nga ta.
Cila është ajo histori, pozitive apo negative, që ju ka mbetur në mendje?
Ngjarje pozitive ndodh të kemi thuajse çdo ditë, prandaj ato lehtësisht dhe harrohen...nuk ngjisin.., por ato të motivojnë dhe i japin kuptim jetës. Kurse e kundërta ndodh me rastet e hidhura, ato nuk na ndahen edhe po të duam t'i harrojmë, ato na vijnë pas ndër vite e jo rrallë na zgjojnë edhe nga gjumi. Në fakt, heshturazi mësojmë njësoj prej të dyjave, ashtu siç ndodh kur mësojmë hapat e parë në jetë, të ngasim së pari biçikletën, makinën etj. Fillimisht edhe rrëzohemi disa herë dhe gërvishtemi, por më pas rrugëtojmë gjatë me to, ndoshta dhe gjithë jetës, duke mos e harruar kurrë më atë që kemi mësuar... Gjëja më e dëmshme në profesionin tonë, por sidomos në menaxhim a drejtim, është "të mësuarit me rutinën", pra të mësohesh të bësh "asgjënë" dhe "kotësinë". Kjo ndodh kur mësohesh t'i lësh gjërat siç i ke gjetur e të harxhosh energjitë e kohën duke fajësuar pararendësin. Mendoj se kur flitet për sukseset ose dështimet, mungon një interpretim i plotë dhe i saktë për to. Shpesh ato interpretohen në mënyrë fragmentare si produkt i çastit. Në perceptimin tim, si suksesi ashtu edhe dështimi kanë në pamjen sipërfaqësore jo rrallë aspekt mashtrues. Në asnjë rast ata nuk janë përfundimtarë, nuk janë të ngurtësuar, por përkundrazi janë fluidë, avullojnë nga një situatë në tjetrën dhe si të tillë duhen vlerësuar e menaxhuar pa ndërprerje. Pikërisht këtë kam ndjerë si sfidën time më të vështirë në detyrën e drejtorit. Një nga pyetjet që u bëj çdo ditë kolegëve të mi dhe vetes gjatë mbledhjeve të mëngjesit është: "E di që dini, po pse dreqin nuk i bëni ato që dini, dhe pse nuk i bëni ato ashtu siç duhen bërë?". Ende kërkoj e pres përgjigje për to, i bindur se mjekësia e mirë s'është gjë tjetër, veçse bërja saktë e gjërave shumë të thjeshta.
Si ka qenë të punosh gjinekolog në kohën e monizmit? Ka pasur kufizime? Sekrete që nuk duheshin nxjerrë jashtë ndërtesës së maternitetit?
Le të jemi që në fillim të qartë, fëmijët nuk lindnin dje komunistë dhe as sot demokratë. Nënat ishin njësoj nëna, si atëherë, ashtu edhe sot. Ne regjimin e mëparshëm kujdesi ishte i strukturuar, por kishte mjaft mangësi në pajisje, mjete e barna, gjithashtu. Rreth 60-70% e popullatës jetonte në fshatin e kolektivizuar, ku 90% e punëve bujqësore të rënda në terren i kryenin po gratë. Kushtet e shtatzënisë për to ishin tepër të disfavorshme, si për shëndetin e tyre ashtu dhe të fëmijës së porsalindur. Si rrjedhim, vdekshmëria dhe sëmundshmëria përreth lindjes ishin nga më të lartat në Europë. Mbaj mend që gjatë asaj periudhe, rreth 9-12 nëna humbisnin jetën çdo vit vetëm në spitalin tonë, që kishin ardhur vërtet në gjendje shumë të rëndë. Ky ishte një nga treguesit më të dukshëm të dështimit të një sistemi shëndetësor. Sot ndryshimet social-ekonomike janë rrënjësore dhe njëkohësisht mundësitë e shëndetësisë edhe më të mëdha. Teknologjia e re filloi të hyjë me shpejtësi si në sistemin shëndetësor publik, ashtu dhe në atë privat. Filluan të rinovohen spitale si dhe të zbatohen reforma të rëndësishme në sistemin shëndetësor, por vende-vende, ende disi të ngadalshme. Kualifikimet dhe kontaktet me botën perëndimore e deri në Amerikë u shtuan shumë. Më shqetëson edhe sot fakti që drejtuesi i një spitali ende nuk ka në dispozicion autonominë e duhur për të vënë sa më parë në vend gjërat që nuk shkojnë...Vazhdimi i kësaj situate, kam përshtypjen se po gërryen pa u kuptuar çdo ditë humanizmin në radhët tona, i cili mendoj se është zemra dhe truri veçanërisht i këtij profesioni, duke cenuar jo rrallë edhe shërbimin ndaj pacientit, apo duke bërë të shfaqen probleme etiko-profesionale shpesh të rëndësishme.
Po pas viteve të monizmit, kur shqiptarët fituan edhe lirinë seksuale, si paraqitej situata? A kishte shumë aborte, përdhunime, marrëdhënie me shumë partnerë, apo dinin si ta ruanin veten?
Dihet që problemi më i madh pasi fiton një liri është mënyra se si e përdor atë. Parë nga ky këndvështrim, liria seksuale u keqkuptua dhe u keqpërdor...Synimi i saj ishte të hiqeshin pengesat e lidhura me mentalitetet e mëparshme, por jo masat mbrojtëse për rreziqet e kanosura. Pasojat për vendin tonë ishin që nga një vend pa asnjë rast me HIV ose AIDS, pasojë kjo e izolimit tonë ekstrem, kaluam në një shpërthim të rasteve me sëmundje seksualisht të fituara dhe të transmetuara. Nga një vend me abort ligjërisht të ndaluar apo të rregulluar me raport mjekësor, në abort të lirë brenda afateve të përcaktuara në ligj. Si rrjedhim u rrit shumë ngarkesa e materniteteve me to, duke u ulur njëkohësisht fertiliteti i popullatës. Promovimi i shëndetit riprodhues nëpërmjet planifikimit familjar është rruga e duhur, por implementimi i tij është ende joefektiv, sporadik dhe jo i shtrirë njëlloj në të gjithë vendin. Ligji mbi abortin e lirë është europian, por po shpërdorohet nga personeli mjekësor, sidomos në sektorin privat. Ky ligj, nga parandalues i humbjeve të jetëve të nënave në të shkuarën apo i ndërlikimeve me pasoja të pariparueshme për të ardhmen e tyre, përdoret sot si mjet kryesor fitimi për to.
Shpesh, të huajt japin përshtypje negative kur shikojnë vajzat shqiptare të veshura shumë ekstravagante në mes të ditës. Në syrin e një mjeku gjinekolog, a janë shqiptarët një popull i "shthurur"?
Së pari, duhet të përcaktojmë se çfarë quhet shthurje e për çfarë lloj shthurjeje është fjala. Së dyti, nga ç'vend vijnë këta të huaj dhe ç'lloj formimi kanë ata. Tashmë jemi afirmuar si një popull me dinjitet dhe qytetari europiane, dhe ajo që nuk mund të anashkalohet, është tradita jonë e vyer gjatë shekujve për çështje nderi. Dy betimet që rëndonin më shumë në ato kohëra ishin "për besë" dhe "për nder". Pavarësisht ndryshimeve që pëson bota në drejtim të sensualitetit dhe ndikimit të pashmangshëm edhe drejt vendit tonë, pavarësisht ndryshimit dhe zbutjes së klimës apo afrimit tonë me të nxehtin tropikal, nuk mund të thuhet se veshja "ekstravagante" është shprehje e asaj që po humbasin vetitë dhe tiparet morale të femrës shqiptare dhe të hamendësosh se ka pësuar shmangie ajo që quhet cipa e njeriut. Pak a shumë, të njëjtën situatë më kujtohet e kam ndeshur shumë e shumë vjet më parë gjatë një specializimi në Perëndim dhe tani bëj krahasim disa herë dhe them: ndoshta janë periudha që i kalon çdo vend, kush më parë e kush më pas...Vajzat e gratë shqiptare, të shquara për pamjen e jashtme në Europë, janë nga më inteligjentet, më dinamiket dhe sipas vlerësimit tim, të ndjeshme, por pa sensualizëm të sëmurë. Ato janë mjaft mirë të arsimuara, me përkushtim familjar, të komunikueshme e të zonjat në punë. Të huajt me të cilët kam pasur kontakte të shumta, për Shqipërinë kanë një afeksion të veçantë dhe, si të thuash, dashurohen me bukuritë e saj, por edhe të njerëzve përgjithësisht të qytetëruar e femrave të bukura dhe të emancipuara. Për herë të dytë, kanë dëshirë të kthehen sa më shpejt në këtë vend me bukuri e peizazhe të rralla jo vetëm, por si çift bashkëshortor, duke admiruar patjetër edhe sharmin e vajzave tona të mrekullueshme.
Cila ka qenë periudha më e vështirë për ju si mjek?
Fillimi, siç ndodh rëndom në jetë, mbetet i vështirë. Për një profesion si ai i mjekut, ku përgjegjësia është edhe më e madhe, se ke të bësh me jetën e dy krijesave njëherësh, fillimi, por edhe vazhdimi...paraqesin vështirësi serioze. Nuk mjafton të përvetësosh sekretet profesionale, por edhe të fitosh shkathtësinë dhe aftësinë praktike profesionale. Krahas kësaj, duhet menduar edhe për krijimin e një opinioni të mirë në mjedisin ku punon. Në këtë rast mund të shkojë krahasimi i ardhjes së nuses së re te shtëpia e dhëndrit, kur asaj i duhet të fitojë simpatinë e vjehrrës, vjehrrit, kunatave, kunetërve e kështu me radhë. Në maternitet, kryesisht nëpërmjet punës, do të duhet t'i përshtatesh që në fillim punës në ekip, do të duhet të dish të ballafaqohesh me stafin drejtues dhe personelin e gjerë. Pavarësisht se në ditët tona nuk janë kushtet e viteve 1978- 1979 kur unë fillova punë këtu ku jam sot, me vështirësitë e fillimit të punës ndeshet çdo kuadër i ri. Natyrisht, që në hapat e parë meritë e çdo të riu është të rrëmbejë sekretet profesionale nga mjekët me përvojë, gjë që, me sa më kujtohet, jam munduar ta realizoj. Afërmendsh që u jam mirënjohës edhe drejtuesve të spitalit, kolektivit me të cilin punova në atë fillim. Këta dy faktorë do të mbeteshin të parëndësishëm, në qoftë se nuk do t'u shtoje përpjekjen e vazhdueshme për kualifikimin e mëtejshëm e të vazhdueshëm, njohjen me literaturën dhe shkencën bashkëkohore, gjithnjë me synimin për të ecur me ritmin e kohës. Këto që përmendëm më sipër, të kujtojnë një ndërtesë të madhe, mbushur me kthina e labirinthe, një "ndërtese" që duket se do t'i gjendet fundi vetëm me mbylljen e jetës...Vështirë të ndaj ndonjë periudhë më të vështirë se tjetra në më shumë se 30 vjet punë. Megjithatë, kursi i trajnimit jashtë shtetit, kur specializohesha në Itali për diagnozën e paralindjes, ka pasur vështirësinë dhe bukurinë e veçantë, edhe për faktin se isha i pari mjek shqiptar specializant në atë fushë plot interes dhe të panjohur deri atëherë tek ne. Duke u kthyer në ditët e sotme si drejtues i spitalit, përveç vështirësive të ndryshme në rutinën e një dite të zakonshme, pjesë përbërëse e natyrës së punës mbetet edhe debati me kolegë mjekë për çështje pune apo zbatimin e rregullit të brendshëm. Sigurisht që sikletin më të madh e kam kur më duhet të marr masa të skajshme apo të largoj dikë nga puna. Për të evituar a parandaluar situata të tilla, të padëshirueshme për të dyja palët, njoh si një vaksinë tepër të efektshme mënyrën e organizimit të punës bazuar në transparencë dhe mbikëqyrje të vazhdueshme. Në këtë mënyrë, i bëhet nder punës, në përgjithësi, punës drejtuese dhe, ç'është më e rëndësishmja, gjithë personelit, duke ua prerë rrugën gabimeve, pra zbatimi i profilaksisë edhe në këtë drejtim.
Cilat janë disa nga kënaqësitë e punës suaj në drejtim ?
Kënaqësi më sjell çdo ndryshim për mirë në maternitetin që drejtoj. Tani mund t'ju them me siguri se dëshira për ndryshim lind fillimisht në zemër, mandej ajo kalon në mendje, ku edhe përpunohet...Plani për çfarë? Me kë? Me se? Pa qenë nevoja për ndonjë urdhër nga lart, dëshira vepron vetë, të gërryen përbrenda, derisa të realizohet. Në atë amalgam dëshirash dhe vizionesh zë fill përzierja e përgjegjësisë, sedrës dhe guximit për të provuar të bësh atë që para teje nuk ka qenë, ka munguar, sepse, ndoshta është gjykuar si e pamundur. Është, si të thuash, një lloj fermenti, i cili nuk të lë të pajtohesh me diçka që qëndron në vend prej kohësh, lufton limontinë, pa pranuar të biesh në kompromis me të vjetrën konservatore. Vërtet, kur u emërova drejtor nuk ishte e keqe gjendja e maternitetit si godinë apo e mjedisit; kishte pajisje funksionale, personel e kuadro pjesërisht të kualifikuar. Në ditët tona, e themi me bindje dhe shihet mirëfilli nga të gjithë, mjaft gjëra...
...kanë ndryshuar për mirë. Natyrisht, ato nuk i bëri një njeri. "Kur je një, edhe rëndësi po pate, s'e ngre dot asnjë trung dypëllëmbësh e jo më një shtëpi me shumë kate", do të thoshte Majakovski. Pa një staf të motivuar dhe, sidomos, pa miq e partnerë brenda e jashtë vendit, nuk do të realizoheshin ndryshimet në mjediset e shumta të maternitetit. Vetë misioni i maternitetit, i lidhur me jetën e foshnjave dhe të nënave, është tërheqës për partnerët, i ndjeshëm veçanërisht nga të huajt. Por sekreti që mpiks bashkëpunimin dhe investimin për gjallimin e punës dhe ndryshimet pozitive në maternitetin tonë, është besueshmëria, e parë kjo në kuptimin e materializimit të fondeve të dhëna me arritje e ndryshime të dukshme, konkrete. Askush nuk afrohet pa prova dhe garanci; ata duhet të binden e ta shohin nga afër që "fidani" i mbjellë prej tyre është ngjizur, ka zënë dhe është formësuar si pemë, për të dhënë nesër frutat e nevojshëm për të gjithë. Ç'është e vërteta, realizimi i çdo ndërmarrjeje të tillë ndeshet me vështirësitë e veta, kërkon punë këmbëngulëse e sistematike, pra pa këtë përkujdesje, fidani i "mbjellë" nuk do të rritej...dhe kështu kurrë nuk do arrihej qëllimi për të cilin u mboll. Pas kaq vitesh bashkëpunimi aktiv me donatorë partnerë të huaj e vendas, mund të them me krenari që materniteti "Mbretëresha Geraldinë" i ngjan një zgjoi, në hojet e të cilit kanë hedhur mjaltë një numër i madh agjencish, shoqatash, ambasadash, organizatash socialo-shoqërore; madje edhe personalitete e individë të huaj. Lista e tyre është kaq e gjatë, saqë nëpërmjet kësaj interviste nuk di kë të falenderosh më parë. Megjithatë, nuk mund të lëmë pa përmendur USAID-in, i cili nëpërmjet AIHA-s financoi bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me spitalin "Nëna dhe Fëmija" në Rhod Island - Providence të ShBA-së, ambasadën e ShBA në Tiranë, Komunitetin Europian, Fondacionin holandez "People for People", ambasadën gjermane nëpërmjet GTZ, OSBE, ambasadën e Australisë në Athinë e që mbulon Shqipërinë; ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë, si dhe kompanitë e mirënjohura AMC, "Sigal", "Western Union" etj. Duhet shënuar patjetër që e veçanta e sponsorizimeve prej tyre është se ato u bënë jo vetëm shembull i një shërbimi shumë cilësor ndaj pacienteve dhe fëmijëve të porsalindur, por në të njëjtën kohë, për mënyrën e re të organizimit administrativ nëpërmjet transparencës dhe mbikëqyrjes, ato u bënë burim fondesh si për rikonstruksione, pajisje dhe trajnime të personelit, por po ashtu bënë të mundur që sipas mundësisë e punës së gjithsecilit të shtonim edhe rrogat mbi pagën fikse. Sigurisht, për të gjitha këto projekte e veprimtari kemi pasur miratimin dhe mbështetjen e Ministrisë sonë të Shëndetësisë në vazhdimësi. Ndërkohë, e kemi ndjerë si detyrë që frytet e këtij partneriteti aktiv të mos i monopolizojmë, por t'i promovojmë dhe t'i përhapim në të gjithë vendin, madje edhe në Kosovë. Tani e tutje, nëpërmjet sistemit të Telemedicinës të instaluar së fundi te ne, gjithashtu me financim të Misionit të USAID-it në Tiranë, do të kemi edhe më shumë mundësi për këtë qëllim. Impresionuese për ne ka qenë edhe iniciativa vetjake e zonjës Klaudia Janizhevski, e cila që në vitin 1996, me një ndjeshmëri të thellë humanitare, duke parë gjendjen në repartin e fëmijëve të abandonuar, krijoi organizatën "Në Mbështetje të Bebeve të Braktisura" (OSAAB). Kjo zonjë grua, së bashku me disa vullnetare të tjera amerikane arritën të grumbullojnë fonde në ndihmë të fëmijëve të braktisur në spitalin tonë. Që prej asaj kohe, fëmijët e braktisur në maternitetin tonë kanë jo vetëm një vend ku ata të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore, por kanë edhe një repart të veçantë, ku atyre mbi të gjitha u ofrohet e iu falet dashuri njerëzore... Por pa dyshim, pika kulmore e partnershipit dhe mbështetjes me fonde të qeverisë amerikane, një ngjarje vërtet historike për maternitetin tonë mbetet vizita e Zonjës së Parë të ShBA-së, Laura Bush, më 10 qershor të vitit 2007, e shoqëruar nga kolegia jonë e nderuar, zonja Liri Berisha, presidente e Fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", me të cilën prej shumë vitesh kemi siguruar e ruajtur një bashkëpunim të ngushtë e intensiv. Ishte kënaqësi dhe privilegj i madh për mua, që në emër të stafit të maternitetit, nënave dhe fëmijëve të porsalindur, të kisha mundësi të falenderoja direkt zonjën Bush, për ndihmën e çmuar që qeveria amerikane me fonde nga populli amerikan, kishin dhënë jo vetëm për spitalin tonë, por për të gjithë shërbimin e nënës dhe fëmijës në vendin tonë. Krahas entuziazmit dhe mobilizimit në punën tonë të përditshme, ajo emocionoi dhe frymëzoi gjithë personelin tonë me kartolinën e dërguar fill pas kthimit në ShBA, ku midis vlerësimesh të tjera, shkruan: "...Admiroj punën e shkëlqyer në spitalin 'Mbretëresha Geraldinë'...".
Po nga ana shkencore dhe pedagogjike, cili është impenjimi juaj?
Jam anëtar i Katedrës së Obstetrikë-Gjinekologjisë që prej vitit 1998, duke u angazhuar edhe në procesin mësimor me studentët e Mjekësisë. Drejtoj shërbimin e Obstetrikës, si dhe kam një numër referimesh shkencore si brenda, edhe jashtë shtetit. Së fundmi, jam aprovuar në bazë të formimit, punës dhe përvojës si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe Kirurgjisë "A. Gemeli", të Universitetit Katolik Sacro Cuore, në Romë-Itali për një cikël leksionesh të përvitshme atje. Botimet e realizuara së bashku me kolegë të tjerë të kësaj fushe do të mbeten pa dyshim një ndihmesë në fushën e gjinekologjisë e obstetrikës për kolegët dhe brezat që vijnë. Ndër arritjet me rëndësi të realizuara në fushën e edukimit në vazhdimësi, do të përmendja së fundmi Shkollën e Endoskopisë CLASS, bashkëpunim midis Romës, Parisit dhe Tiranës, si edhe atë të ekografisë apo edhe të kirurgjisë pelvike, në bashkëpunim me kolegë nga qendra universitare perëndimore. Të gjitha këto kurse janë ndërkombëtare, të sponsorizuara nga kompani prestigjioze si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Me gjithë arritjet e deritanishme, puna për ngritjen shkencore e profesionale vazhdon...
Në rininë tuaj, keni qenë një tip i qetë dhe studioz, apo harrakat dhe që vraponit pas vajzave?
Nuk kam vrapuar pas vajzave, por nuk rrija dot pa rendur pas kuajve. Që në fëmijëri kam mbushur fletë vizatimesh me figura kuajsh, gjithnjë në lëvizje; madje, arrija të vizatoja kuaj edhe me sy të mbyllur, aq shumë më tërhiqte fuqia, dinamizmi, bukuria apo eleganca e kësaj kafshe mahnitëse! Drejtoresha e kopshtit ku unë jam rritur, më kishte problem si trazovaç dhe shpesh u thoshte prindërve të mi: "Ky djalë, në jetë o do të jetë i shkëlqyer, ose shumë i keq". Më vjen keq për të, se nuk i doli fjala duke u bëre ky që jam...Sa për libra, ata nuk më kanë munguar gjatë fëmijërisë sime, pasi edhe sot e kësaj dite ruaj si kujtim nga një daja im mësues letërsie në atë kohë dhe shkrimtar modest sot, libra si: "Zemra", "Liza në botën e çudirave", "Aventurat e Tom Sojerit", "Tregime të moçme shqiptare" etj. Sot, duke parë rininë e kohës shpesh kujtoj atë periudhë dhe vlerësoj edhe më shumë atë ndihmë të vyer, të dhënë në atë kohë që pa u kuptuar shërbente në formimin e vazhdueshëm. Nëna, rrobaqepëse në Teatrin e Kukullave dhe në Teatrin Popullor, merakosej gjithmonë, kur i përfshirë nga loja me shokët në rrugë, kaloja orarin e vendosur në shtëpi...Ndërsa babai, financier, duke u marrë gjithë jetën me shifra, ishte pak skrupuloz e autoritar dhe kërkonte me fanatizëm zbatimin e orarit për çdo gjë në shtëpi. Mbaj mend që më duket si për inerci e vazhdoi sa ishte gjallë, herë pas here, paçka që isha bërë edhe me dy fëmijë...
Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj? A ju mirëkupton për orët e gjata në punë, apo ju është dashur punë për ta bindur?
Me sa di unë, asnjë gjuhë nuk e thotë më bukur e më saktë fjalën bashkëshorte. Pra, në një moment delikat, jeta të thërret të hedhësh "shortin" me dikë tjetër. Punë fati. Po iu ra mirë të dyja palëve, fituan. I ra mirë vetëm njërit, fitoi.., sa keq për njërin...ose keq për të dyja palët, humbën së bashku...Besoj se më takoi të isha me fat, ose na takoi të dyve të ishim me fat. Edhe Elsa thotë po kështu. Pra, kemi fituar të dy. Kemi kaluar tashmë 25 vjet që e provojmë dhe themi se fituam, na ra shorti si bashkëshortë. Populli thotë që fati i shkon atij që e kërkon. Por jeta tregon se edhe mbasi vjen fati, ai duhet mbajtur, duhet ruajtur, sepse vetëm fati nuk është i sigurt. Ai është fluid, i brishtë dhe duhet menaxhuar e ushqyer vazhdimisht me dashuri e përkujdesje, pa ndërprerje gjithë jetën dhe pa u lodhur a mërzitur, si në "dimër" e në "vere", sepse me kalimin e kohës me të lidhen edhe shumë e më shumë gjëra të tjera në jetë...Martesa me fat nuk është gjë tjetër mendoj, sesa plotësim i njëri- tjetrit në aspekte të ndryshme të jetës...Pa bërë ndonjë marrëveshje paraprake, që në fillim si në heshtje i ndamë detyrat, unë zanatin, ajo fëmijët dhe familjen...dhe pa dyshim frytet më të shëndetshme të familjes sime do të quaja fëmijët tanë; Gent e Livia. Si pa dashur, linja e edukimit për ta ka qenë shembulli ynë personal. Sot më shumë se kurrë jam i bindur se në edukimin e mirë të fëmijëve më me vlerë se fjalët, është shembulli i vetë prindërve gjatë jetës së përditshme...
Me gjithë këto angazhime në punë, a arrini të gjeni kohë për familjen?
Mos ta ekzagjerojmë...nëse angazhimi dhe përkushtimi në detyrat tona profesionale, shoqërore apo shtetërorë do eklipsonte familjen, nuk do kishim sot asnjë drejtues, funksionar të lartë qeverie apo aktivist të martuar. Ata do ishin të gjithë ose beqarë, ose të divorcuar. Puna sipas meje, nuk përbën pengesë për familjen, përkundrazi i jep asaj jetë, gjallëri dhe krenari. Pengesa e vetme për familjen është mungesa e dashurisë, sinqeritetit dhe mirëkuptimit reciprok. Ato janë karburanti i saj, pa to familja ngec e shuhet, qoftë edhe duke ndenjur gjithë ditën fizikisht "pilaf" në shtëpi. Familja nuk do patjetër t'i përkushtosh kohë pa fund, por ajo do patjetër afeksion, vëmendje, sakrifica dhe përgjegjësi. Ajo kurrsesi nuk duhet konceptuar si burg, as për burrin, as për gruan, përkundrazi duhet ndërtuar dhe duhet të funksionojë si urë ndërlidhëse e hapur, si të botës së brendshme të çdonjërit nga ne si individ, ashtu dhe asaj të shoqërisë në të cilën jetojmë e për të cilën punojmë. Dua të shtoj se unë jam i atij brezi, që familjen nuk e shikonte ngushtë në trinomin "burrë-grua-fëmijë". Sot disi harrohen e lihen jashtë saj prindërit tanë që na rritën dhe edukuan. Unë jam i lumtur që nëna vazhdon të jetë pjesë e shtrenjtë, e pandarë e familjes sime, e vendosur në dhomën më të mirë të apartamentit modest në të cilin jetoj dhe ndihem me fat që e kam, fëmijët rriten me gjyshen pranë e që Elsa ndjehet njësoj si fëmija i saj...
A ju ndodh që në punën tuaj të keni shpesh edhe histori të tilla si ajo e Griseldës? A është e vështirë në këto raste t'u komunikoni njerëzve të vërtetën?
E vetmja gjë që më ka mbetur në mendje nga ajo histori është se si ndonjëherë, probleme shumë të thjeshta për t'u vërtetuar shpejt e me saktësi të arrijnë e të krijojnë imazhe të pamerituara apo njolla edhe për të gjithë vendin, si brenda, ashtu edhe jashtë tij, të cilat ndonjëherë zhduken me shumë vështirësi. Personalisht, duke u njohur me rastin nga afër e kam konsideruar për pacienten më shumë sëmundje sesa trillim me keqdashje. Uroj tashmë t'i ketë kaluar edhe ajo vetë pasojat e asaj situate jo të zakontë edhe për familjen e saj...
Ju kemi parë të angazhuar edhe tek "Iniciativa për Tiranën"...
Koha e "Iniciativës për Tiranën" si forum qytetar, ku u shfaqën mendime të ndryshme në të mirë të qytetit, tashmë duhet zëvendësuar me veprime konkrete për të bërë realitet premtimet e dhëna. Angazhimi im, jo vetëm si qytetar i Tiranës, por edhe si mjek apo specialist i fushës ku punoj, do të jetë të kontribuoj në vazhdimësi në ndihmë të familjeve në nevojë, për të pasur edhe ato mundësi që të ndjekin shtatzënitë e tyre në mënyrën e duhur. Ky është kusht i padiskutueshëm për të përfunduar shtatzënia me lindje të shëndetshme si për nënën, ashtu dhe foshnjën e saj, por këtë le t'ia lëmë kohës të flasë...
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
    Kthehu Dėrgo Printo Home
Komento
       Shqiperia
28 Gusht 2014
Bulqizė, aksidentohen dy tė rinjtė tė sapofejuar, vajza nė gjendje tė rėndė
Njė aksident me pasojė 2 tė plagosur ka ndodhur nė orėt e vona tė sė mėrkurės, nė rrugėn nacionale Peshkopi-Bulqizė nė vendin e quajtur Shupenzė.

KOMENTO
       Kosova
27 Gusht 2014
Krasniqi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese politik dhe i korruptuar
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, dhe kryetari i këshillit të NISMA, Jakup Krasniqi ka thënë se vendimi i Kushtetuese është politik dhe i korruptuar. Ai ka thënë se GJK-ja nuk meriton as respekt, pasi sipas tij respekti fitohet nga vendimet e drejta, e këtë sipas Krasniqit nuk e ka bërë Gjykata
KOMENTO (3)
       Rajoni
28 Gusht 2014
Maqedoni, 31-vjeçari hidhet para trenit në Tetovë
Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:00 në Tetovë, kur treni i linjës Shkup - Kërçovë ka goditur për vdekje 31 vjeçarin G.G nga Shkupi.
KOMENTO
       Bota
28 Gusht 2014
Brukseli, operacion për të ndihmuar Italinë në shpëtimin e imigrantëve
Komisioni Evropian vendosi sot të fillojë një operacion të ri në Mesdhe për të ndihmuar Italinë të përballet me fluksin e imigrantëve dhe i kërkon shteteve anëtare të vendosin në dispozicion mjetet e nevojshme.

KOMENTO
       Sport
27 Gusht 2014
Spanjë, Xavi Alonso i jep fund karrierës ndërkombëtare
Mesfushori i Real Madrid, Xabi Alonso, nje prej lojtareve-kyç te triumfit te seleksionit spanjoll mes viteve 2008 e 2012, beri te ditur te merkuren se i ka dhene fund karrieres se tij nderkombetare me “Roja” ne moshen 32-vjeçare pas 114 seleksioneve
KOMENTO
       Kulture
27 Gusht 2014
Kumbaro në Dubrovnik: Ballkani flet me gjuhën e kulturës
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro mori pjesë në takimin rajonal mes ministrave dhe përfaqësuesve të kulturës së Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Malit të Zi, që u organizua nga datat 25-26 gusht, në qytetin e Dubrovnikut
KOMENTO (2)
       Metropol
28 Gusht 2014
73-vjeçarja Britanike: Kërkoj partner të ri në këmbim të dokumenteve, edhe shqiptar
Një 73- vjeçare nga Britania e Madhe thotë se meshkujt 50 vjet më të rinj se ajo kthejnë kokën kur e shohin duke kaluar në rrugë. Jane Pesch 73 vjeç thotë se futet shpesh në faqet e lidhjeve dhe kërkon meshkuj të rinj për lidhje madje edhe shqiptar.

KOMENTO
       Teknologji
27 Gusht 2014
Katėr ushqimet tė cilat u mbajnė tė rinj
Dėshironi tė ruani dukjen dhe formėn rinore? Mjeku.Net ju sjell katėr ushqimet tė cilat duhet t’i pėrfshini nė dietėn tuaj qė nga dita e sotme. Ata pėrmirėsojnė shikimin, jetėn seksuale dhe mbajnė nėn kontroll tensionin e gjakut
KOMENTO
      
 
 
  TV | News24 - Live
 
   
   
   
 
 
   
   
   
  Radio | Rash - Live
 
  toolbar  
   
   
 
SONDAZH
 
 
Nensondazh
 
   
 
 
BALKANWEB.TV
Jeta e foshnjės 16-muajsh peng i ilaēit qė mungon nė Pediatri, QSUT pret tenderin
 
 
BALKANWEB.TV
Ndėrtimi nė Dajt, Ristani: Asnjė procedim, krimi mjedisor me bekimin e Ramės
 
 
BALKANWEB.TV
Rivitalizimi i sheshit “Iliria” nė Durrės, nis puna pėr heqjen e shatėrvanit 85-vjeēar
 
 
BALKANWEB.TV
“Eagle 8”, Arvizu: Shqipėria krah NATO-s. Kodheli: Do qėndrojmė pro aleatėve
 
 
BALKANWEB.TV
9 vjeēarja humb kontrollin e armės, vret instruktorin e saj
 
 
BALKANWEB.TV
Vlorė, shkarkohet drejtori i Spitalit Psikiatrik, kapet me shkelje nė tendera dhe emėrime
 
 
BALKANWEB.TV
Vrasja nė Vlorė, viktima i sapoliruar nga burgu
 
 
BALKANWEB.TV
Bota ne nje minute, foto top te dites
 
 
BALKANWEB.TV
FMN nė Tiranė, takim me dyer tė mbyllura nė Ministrinė e Financave
 
 
BALKANWEB.TV
Tasmani, njihuni me delen qe ka 6 vjet pa u qethur
 
 
BALKANWEB.TV
Shkėndije Mujaj lanēon njė kėngė pornografike
 
 
BALKANWEB.TV
Tahiri: Qeveria luftė frontale, kush ndėrton pa leje gjykohet pėr krim mjedisor
 
 
BALKANWEB.TV
Rama: Shqipėria kontribut madhor nė projektin “Korridori i Kaltėr”
 
 
BALKANWEB.TV
‘Krimi mjedisor’, PD denoncon: Njė ndėrtesė pa leje afėr shtėpisė sė Ramės
 
 
BALKANWEB.TV
Grushta mes deputetėve shqiptarė nė Parlamentin e Maqedonisė
 
 
 
 
FOTOGALERI
Lara Bingle, krejtėsisht nudo nė plazh
 
 
FOTOGALERI
\'Tomatina\' festa e ēmendur
 
 
FOTOGALERI
Ja kush zgjidhet Miss ISIS-i
 
 
FOTOGALERI
Vesa Luma me pushime, poston tė pasmet nė Instagram!
 
 
FOTOGALERI
Pozon nudo pėr tė dashurin, fotot pėrfundojnė nė faqe pornografike
 
 
FOTOGALERI
Qyteti i femrave u bėn ftesė beqarėve
 
 
FOTOGALERI
Mario Balotelli pikturon stemėn e Liverpoolit ne fytyrė
 
 
FOTOGALERI
Metali i can kafkėn, burri i mbijetonin aksidentit tronditės
 
 
FOTOGALERI
Keshtu si jemi ne femrat e vėrteta, projekti i Liora K
 
 
FOTOGALERI
Erin Heatherton, modelja seksi e Victoria’s Secret
 
 
FOTOGALERI
Alketa Vejsiu: Fshatare e lumtur jam!
 
 
FOTOGALERI
Fedez, reperi i cmenduar pas Xhulias sė tij: Bėjmė seks cdo ditė
 
 
FOTOGALERI
9 vjeēarja humb kontrollin e armės, vret instruktorin e saj
 
 
FOTOGALERI
Armėpushimi, mijėra palestineze kane festuar gjatė natės nė Gaza
 
 
FOTOGALERI
Greqi, vijojnė zbulimet nė varrin antik, del nė dritė dyshemeja me mozaikė
 
 
FOTOGALERI
Gigi Buffon - Ilaria D’Amico, dallgė pasioni
 
 
FOTOGALERI
Zbulohen velinat e reja tė “Fiks Fare”
 
 
FOTOGALERI
Rama mbėrrin nė Berlin, nė rradhė me qytetarėt!