TIRANE– Ish-ministri teknik i PD, pas marrëveshjes Rama-Basha për zgjedhjet e 25 qershorit, Dritan Demiraj, thotë se i ka përcjellë kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako, një listë me më shumë se 120 policë të inkriminuar. Por ai thotë se Çako i është justifikuar duke i thënë se nuk mund t’i largojë.

Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Demiraj tha se tashmë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj e ka marrë këtë listë, po e analizon dhe pritet largimi i këtyre punonjësve të policisë.

“Unë kur kam qenë në detyrë kam propozuar disa shefa komisariatesh që ishin të përfshirë në vjedhjen e votave, dhe moszbatimin e ligjit për zgjedhje të lira e të ndershme, apo kanë lidhje me bandat e trafikut të drogës. Kam patur një listë me persona drejtues të policisë së shtetit, që ia kam kaluar Çakos, dhe është justifikuar pse t’i largoj. Është lista me 120 e ca persona, që kam informacion të saktë se ministrin Xhafaj është duke u marrë me identifikimin e tyre, dhe analizimin e listës, dhe pritet t’i largojë nga detyra.

Do të doja të mos kishte vetëm deklarata në kuadër të propagandës, por të ketë veprime konkrete. Këto skandale të pafundme që po plasin dhe do të vazhdojnë edhe në vijim nuk mund të mbulohen më. Duhet që personat përgjegjës të japin llogari. Më duhet të them se ka një impenjim të ministrin Xhafaj, dhe i uroj suksese në këtë drejtim. Por jam skeptik sa i takon faktit se mund të pastrohet policia me këta drejtues që janë prej vitesh aty”, u shpreh ish-ministri Demiraj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: