Nga: Rea SHUNDI

Për të patur progres dhe për të arritur ndryshime të dobishme në vendin tonë, nevojiten njerëz mendjehapur dhe me njohuri gjithpërfshirëse. Duke kthyer kokën me admirim dhe zili ndaj vendeve me mirëqënie të lartë, kemi dashur të përshtasim drejtpërdrejtë arritjet e tyre. Por punën (dhe rrjedhimisht meritën) për t’I arritur ato ia kemi lënë në dorë kryesisht pushtetarëve. Kur përballemi më pas me një zhillim të përçudnuar, fajin e kanë po ata që abuzuan me “mirëbesimin” tonë.
Kjo gjë mundet të ndryshojë me përfshirjen tonë të dedikuar dhe sistematike në jetën qytetare. Por kjo fjalë nga ana tjetër, duke na premtuar forcimin e zërit tonë, na hedh mbi supe dhe përgjegjësi, peshën e të cilave deri tani nuk kemi dashur ta mbajmë.
Pra çfarë mund të bëjmë ne, me këto të dhëna që kemi, për të ndryshuar rrënjësisht drejtimin e shtrëmbër që fati ynë dhe I vendit tonë ka marrë? Mund të bëhemi ne ashtu siç duam të jenë pushtetarët apo qytetarët tanë, duke I ofruar dhe atyre sa më shumë shembuj konkretë.

Pyetja tjetër që lind është: si të bëhemi ne qytetarë të dënjë për tu patur shembull? Duke mësuar nga ata që na zgjojnë zili; dukë nxjerrë prej tyre elementët që admirojmë të kemi dhe duke I përvetësuar.

Japonia nuk është nga vendet më të bekuara nga natyra, por si për ta kompesuar këtë ka njerëzit më të disiplinuar e përkushtuar. Fundi I tmerrshëm I Luftës e la Japoninë të rrënuar, dhe jo vetëm materialisht. Megjithëatë brenda pak dekadash, ajo dhe njerëzit e saj e morën veten në mënyrë të atillë sa të arrinin edhe kulmin e zhillimit ekonomik. Duke qëndruar vetëm tek ky detaj I historisë së saj, shohim tiparet më dalluese, premtuese për zhvillimin e mëtejshëm të saj. Por pa I njohur mirë, pa nxitur mendjen e hapur dhe urinë për njohje, nuk mund të nxjerrim dot asnjë mësim për veten tonë.
Unë kam dashur të sjell disa pika dalluese të mënyrës së tyre të të menduarit, punuarit dhe vepruarit, të thëna nga vendas e të huaj. Kam sjellë tetë këndvështire të ndryshme në intervistë, dhe kam qëndruar në tetëmbëdhjetë aspekte të jetës në punë, familie, shoqëri dhe më gjerë.
Besoj (dhe shpresoj) se lexuesi do të mësojë disa të reja interesante dhe të dobishme, jo thjesht për hirë të të diturit mbi një vend të dallueshëm nderkombëtarisht, por për të zbuluar një burim të ri drite në horizontin përballë tij.

Të punuarit në vitet 90’

– Nëse do të mund të zgjidhje një periudhë kohore për të hyrë në tregun e punës, cilën do të zgjidhje?

Miki – Diplomë e Letërsisë Angleze.
Filloi rreth viteve 90’ si punonjëse zyre – tani mësuese e gjuhës Japoneze.
Mbase, para “flluskës”.
(Flluska ishte pika kulminante e ekonomisë Japoneze. Shpërthimi I saj më pas, në fillimin e viteve 90’, qe I ngjashëm me Depresionin e Madh.)
Kam dëgjuar se në periudhën e “flluskës”, 100 dollarë përdoreshin si të ishin 10.

– A qe e vështirë të gjeje një punë në atë kohë?

Juko – Diplomë universitare mbi Edukimin Parashkollor
Filloi rreth viteve 90’ si mësuese parashkollore.
Oh aspak, ishte mjaft e thjeshtë. Por mbas një viti, u bë shumë e veshtirë.

Kazu – Diplomë bachelor në Kimi
Filloi rreth viteve 90’ në tregun e shitjeve
Meshkujt dhe femrat ishin totalisht ndryshe.

Miki – Që ne momentin që merren në punë, meshkujt dhe femrat kanë pozicione të ndara. Femrat kryesisht merren me shkresa. Ishte shumë e mërzitshme. Femrat janë vetëm për të ndihmuar meshkujt.

– A mundi ndonjë prej atyre femrave të ngrihej në pozicion më të lartë?

Miki – Jo, aspak. Madje neve as nuk na quajnë vajza. Femrat përgjithësisht fillojnë punën në një kompani, e pas 2-3 vjetësh martohen e largohen. Ky ka qënë stili I tyre.

Orët e punës në vitet 90’

Japonia është e përfolur shumë për oraret e tejzgjatura të punës, kështu që pyeta se si kishin qënë këto orare gjatë viteve 90’.

Miki – Unë e lija zyrën time në orën 5:30. Kam qënë shumë me fat.

Kazu – Shumicën e rasteve punonjësit qëndronin deri në 7 apo 8 të darkës.

Juko – Mua më duhej të zgjohesha në 5 të mëngjesit, sepse më duhej të udhëtoja për dy orë nga shtëpia në zyrën time të punës. Pastaj filloja në orën 7:30 dhe për të ikur kapja trenin e fundit, që është në mesnatë. Në punë më I madhi, ose ai që ka filluar punën më parë se unë, është gjithçka. Ata vendosin, jo thjesht shefi. Kështu që më duhej të pyesja atë nëse mund të largohesha mbasi mbaroja. Ai pastaj mund të më thoshte “Po kemi mbaruar, por kjo mësuesja po punon akoma. Hajde ta presim atë, hajde të bejmë ca muhabet. Hamë edhe ndonjë patatinë, e flasim ca bashkë.”
Kështu që në fund të gjithë qëndronin deri në 10 të darkës. Kjo është pjesë e kulturës Japoneze. Mua duhet të më vijë keq të largohem kur ka të tjerë që akoma po punojnë.

Punësimi i përjetshëm

Pjesë e marrëveshjes për të qënë kaq I përkushtuar pas punës, është se punëdhënësit në Japoni të garantojnë vendin e punës për gjithë jetën.

Juko – Më përpara në tregun e punës, ti mund t’I besoje kompanisë, sepse kompania mund të të mbante atje gjatë gjithë jetës tënde. Punonjësi duhej të vdiste për kompaninë. Ky lloj koncepti ka qënë. Çdo justifikim ishte I pranueshëm. Por tani nëse kompania të thotë “Ne po kalojmë një periudhë krize financiare, kështu që po bëjmë shkurtime dhe na duhet të të heqim nga puna”. Si mund të kem unë besim tek ajo kompani? Ata nuk ka mbrojnë. Kështu që edhe për mua bëhet e pranueshme të mos dua të shkoj në festat e të pirit pas punës.

Fillimi i punës

Pra, si është të kërkosh për një punë tani në Japoni?

Kris – Diplomë universitare në Ekonomi, Japonisht dhe Antropologji
Filloi rreth viteve 10’ në pasuri të patundshme – Tani në Turizëm
Punëdhënësit mund të të pyesin për gjithçka. Mund të të pyesin për problem shëndetësore, nëse je apo jo I martuar, nëse je besimtar; mund të të bëjnë pyetjet më personale që mund të të shkojnë në mendje dhe e kanë të drejtën. Gjithashtu në CV-të Japoneze, është e detyruar të vendosësh dhe një foto.

Kazu – Dega (e diplomës) nuk është edhe aq e rëndësishme. I rëndësishëm është universiteti.

Anxhela – Diplomë në psikologji dhe Japonisht
Filloi rreth viteve 10’ në shitje
Kur fillon punë, nuk pretendohet të dish shumë. Kështu ata në një farë mënyre të trajnonë dhe të rrisnin lart.

Statuset e punësimit
Edhe pse është relativisht e lehtë të gjesh një punë në Japoni dhe papunësia është në nivelet e më pak se 3% të popullsisë, nuk nënkupton se mund të gjesh punën me statusin që dëshiron.

Kris – Besoj se ka rreth 4-5 diferenca në statusin e punësimit në Japoni. Kemi punësimin me kohë të plotë, ku ke kontratë që zgjat rreth një vit, që shpesh është e rinovueshme. Një lloj tjetër është puna me kohë të pjesshme, që zakonisht mund ta gjesh në ndonjë pikë të MekDonald’s. Aty paguhesh në bazë të orëve. Lloji tjetër është “freelance” pra I lirë. Freelance do të thotë që paguhesh në bazë të projekteve. E fundit do të ishte puna e përkohshme. Këtu ti vendosesh në një rreth pune të përkohshëm dhe kompania të zgjedh kur ka një detyrë që të të caktojë.

Stili i punës në Japoni

Si është pra të punosh në një kompani Japoneze?

Anxhela – Une s’ia kisha idenë se si do të ishte. Besoj se kur fillova në fillim, u befasova nga se sa e ngjeshur ishte gjithçka, pra nuk ke si të thuash qoshen tënde. Të gjithë ulen në të njëjtën tavolinë. Menaxheri yt mund të jetë fare ngjitur me ty. Kur shkon në punë në mëngjes duhet të thuhet me zë të lartë “Ohayou gozaimasu” (Mirmëngjes) dhe kur mbaron po ashtu thuhet “Otsukaresamadesu” (Punë e mbarë për sot).

Kris – Në fakt ne kemi mbledhje çdo të Hënë dhe të Premte. Të Hënave zakonisht diskutojmë se çfarë do bëjmë gjatë javës. Të premteve diskutojmë se çfarë bëmë, si funksionoi dhe çfarë planifikojmë për javën tjetër.

Yuta – Diplomë universitare në Letërsi, Filozofi dhe të tjera
Filloi rreth viteve 00’ në IT.
Japonezët mund të jenë pak të ngadaltë kur vjen puna tek teknologjitë e reja. Zakonisht përdoren Excel dhe Microsoft Ëord.

Anxhela – Dominuese është hierarkia. Është e vështirë të shprehësh opinion tënd të plotë. Në fakt është e veshtirë thjesht të thuash atë që mendon.

Komunikimi

Perëndimorët dhe shumë të tjerë mund të shohin se si të punuarit me Japonezët është më shumë art sesa shkencë.

Miki – “Po”-ja Japoneze nganjëherë nuk është “po”. “Ndoshta” Japoneze është 80% të rasteve “jo”.

– Pra si mund ta dish kur është një “po” e vërtetë?

Miki – Mbase nuk e di kurrë.

Ivi – Diplomë universitare në Marrëdhënie të Biznesit Ndërkombëtare
Filloi rreth viteve 00’ në Shitje – Sot në Turizëm
Ivi – “Keigo” (format I japonishtes së mirësjellur, që përdoet në mënyrë formale kryesisht për të ruajtur distancën dhe për të lartësuar dëgjuesin) ka qënë shumë e vështirë për tu mësuar, por shefi im ishte shumë I mirë me mua.

Yuta – Unë kam punësuar shumë perëndimorë, kryesisht Amerikanë, dhe vura re një konflikt të vogël kulturash. Amerikanët zakonisht janë më të drejtpërdrejtë. Nëse nuk janë dakort, duan ta shprehin. Në një kompani shumë tradicionale, një gjë e tillë do të krijonte probleme.

Orët e punës

Deri tani folëm për orët e punës gjatë viteve 90’, por le të dëgjojmë se si janë këto orë sot.

Daiçi – Diplomë universitare në Dizenjo
Filloi rreth viteve 00’ në punë të ndryshmë – Tani në Industrinë Përpunuese
Në Japoni dhe në kulturën Japoneze, shoqëria pret një shërbim perfekt. Klientët e presin këtë nga kompanitë e mëdha. Prandaj ne punojmë fort. Unë jam shumë fatlum sepse jeta ime, kontrata ime e punës, nuk përmban punë më orar të zgjatur. Kur mbaroj mund të kthehem në shtëpi. Por e di se një punonjës tjetër me kontratë, si pjesa më e madhe e njerëzve, duhet të qëndrojnë në punë disa orë më shumë fare pa menduar. Sikur ata e edukojnë veten që kjo gjë është normale. (qesh) Ky është art.

Kazu – Deri në orën 5 merren shumë e-maile dhe thirrje në telefon, kështu që mbas asaj ore është më e lehtë të punosh. Ashtu mundem të përqëndrohem në punën time. Prandaj qëndroj në zyrë deri në 7 ose 8.

Juta – Sigurisht që varet shumë nga sektori dhe kompania. Në IT punohet shpesh më orë të zgjatura por unë kam fatin të mos punoj ashtu, kryesisht sepse kam zgjedhur kompani ku nuk më duhet të punoj ashtu.

Miki – Po ndryshojnë. Ditët e sotme nëse ke mbaruar punë, mund të kthehesh në shtëpi. Ka raste që kompanitë e bëjnë të detyrueshme të kesh mbaruar para orës 9. I mbyllin të gjitha dritat dhe kompjuterat përnjëherë. Po ndryshojnë.

Ivi – Gjithmonë kam mbaruar rreth orës 6 ose 7. Nganjëherë edhe largohem në orar të përpiktë nëse I kam mbaruar të gjitha. S’më ka rënë rasti të përjetoj orët e tejzgjatura të punës Japoneze.

Kazu – Perëndimorët dhe europianët kanë aftësi shumë më të mira menaxhimi të kohës së punës. Ata janë shumë më të përqëndruar në harkun kohor 9 me 5.

Pushimet

Tani le të merremi me kohën jashtë punës

Kris – Normale në Japoni janë 10 ditë të pagura pushimesh. Të jem i sinqertë, nuk e besoj se ka shumë që i marrin ato ditë.

Ivi – Meqë unë jetoj në Japoni tani, shefi im e kupton që ka punonjës të huaj që duan të kthehen në shtëpitë e tyrë jashtë shtetit. Prandaj më ka qëlluar të marr pushime më të gjata që ka qënë gjë e mirë. Por nga ana tjetër unë punoj gjatë gjithë kohës nga kompjuteri ose telefoni.

Anxhela – Më duket se njëherë doja të merrja një periudhë të gjatë pushimesh, por menaxheri im më tha që nësë i kisha “dy para mend”, nuk do të merrja 10 ditë pushim përnjëherë, sepse çfarë do mendonte grupi im i punës pastaj?

Kris – Sepse nëse e “humbet” atë periudhë kohore, në një farë mënyrë punën tënde po ia jep dikujt tjetër për ta mbaruar. Shumë njerëz nuk preferojnë të japin përgjegjësitë e tyre ashtu, t’ia japin barrën e tyre dikujt tjetër.

Ivi – Kam vënë re se Japonezët nuk para bëjnë pushim. Edhe kur janë sëmurë, ndodh të vijnë përshembull mbasditeve ose të punojnë me orë të zgjatura në fundjavë.

Kazu – Unë fillova me 40 ditë në vit por pjesën më të madhe të kohës mund të marrësh vetëm 20. Sigurisht që mund t’I merrja edhe unë. Por maksimumi do të ishtë dy javë. Në fakt, edhe dy javë na duken një kohë shumë e gjatë. Tepër e gjatë. Një javë duhet të jetë më mirë.

Nomikai (Festat e pijes)
Një gjë që mund të të “mohojë” të drejtën e të shijuarit të kohës tënde pas punës, është Nomikai, ose festat e pijes.

Anxhela – Mbasi mabroja punën, më duhej shpesh të dilja me klientët e mi dhe të shkonim nëpër festa pijesh. Mbas asaj shkonim përgjithësisht edhe në karaoke, dhe kështu që më qëllontë shpesh të shkoja në shtëpi rreth orës 3 ose 4 të mëngjesit. Pastaj në 6 ose 7 çohesha përsëri për të shkuar në punë, në zyrë, në orën 8 dhe të pretendoja se asgjë nga nata e shkuar nuk kishte ndodhur dhe se isha shëndoshë e mirë si asnjëherë.

Ivi – Mendoj që femrat janë më pak të detyruara të shkojnë nëpër festa të tilla sesa meshkujt.

Anxhela – Sigurisht që pinim, por asnjë nuk na shtynte të pinim shumë nëse nuk donim. Mendoj që kjo ka të bëjë me faktin që jam femër, dhe një verpim I tillë do të konsiderohej “abuzim pushteti” ose “ngacmim seksual”, nëse të shtynin të pije shumë. Ose nganjëherë shefi thjesht dontë të kishte një “natë jashtë mes burrash”.

Miki – 20 vite më parë, edhe nëse ti nuk doje, ishe I detyruar të pije më shefin tënd. Por kohët e fundit të rinjtë thjesht rrefuzojnë. Farë thjeshtë mund të thonë “nuk dua”.

Disiplina, gabimet dhe vështirësitë gjatë punës
Kris – Në një sens të përgjithshëm, Japonezëve nuk u pëlqen të konfrontohen. Shumicën e rasteve nuk do të të përmendnin ty drejtpërdrejt nëse do të kishin ndonjë problem. Thjesht shkojnë drejt e tek shefi yt. Kështu besoj veprojnë nëse kanë ndonjë pakënaqësi me ty, dhe do të preferoja të ishte ndryshe. Fare thjeshtë do ishte sikur të vinin e të të thonin kur kishin një problem, për ta zgjidhur aty me ty.

Daiçi – Në fakt ne e ndajmë sëbashku çdo problem çdo mëngjes 5 minuta përpara se të fillojmë punën. Asnjë nuk e thotë se kush e bëri, thjesht themi se çfare ka ndodhur.

Anxhela – Shefi im më kritikonte përballë të gjithëve në zyrë kur bëja ndonjë gjë keq. Në Japoni thuhet se kur shefi të kritikon do të thotë që ai ka ende shpresë tek ti, që ai pretendon shumë prej teje, kështu që të kritikon. Kur nuk të kritikon më nga ana tjetër, thjesht do të thotë që është dorëzuar fare me ty, sepse në Japoni përgjithësisht nuk pushohet njeri nga puna.

Kris – Njëherë e prisha fare më nje perkthim që më ishte caktuar, dhe shefi im e kuptoi që kishte shumë pjesë që mungonin. Sepse të them të drejtën nuk bëra punë të mirë në atë rast. Ai filloi të më kritikonte përballë të gjithë stafit, që besoj në Amerikë do të quhej “abuzim pushteti”.
Unë gati sa nuk qava por ishte një goxha eksperiencë. Thjesh e pranova sepse e dija që kisha bërë gabim.

Lënia e punës
Kris – Në një kompani Japoneze askush nuk të heq nga puna në përgjithësi. Por nëse vërtetë duan, ajo që do të bënin do të ishte… mund të të ulnin pagën, mund të të vendosnin në një zyrë të keqe, mund të të zhvendosnin fare – janë të gjitha brenda të drejtave të tyre. Kështu që në shumicën e rasteve njerëzit vullnetarisht largohen, nëse fillojnë t’ua bëjnë jetën ferr në atë aspekt

Ivi – Do të thoja që 90% e atyre që largohen nga puna pas vitit të parë janë të huaj. Kam përshtypjen e fortë se për një Japonez, të larguarit nga puna është e turpshme.

Kazu – Nëse largohet një person që ka më pak se 3 vjet në një kompani, më pas do të mendojmë se ai nuk ka premisa për të qënë një punonjës I mirë.

Përfitimet e të punuarit në Japoni

Anxhela – Një nga gjërat e mira të të punuarit në një kompani Japoneze është se ata mbulojnë gati gjithçka, si përshembull sigurimet shëndetësore, transportin çdo mëngjes. Disa kompani madje mbulojnë edhe shtëpinë.

Daiçi – Për mua ofrimi I banesës pa pagesë është perfekte.

Kris – Mendoj që një nga anët pozitive është se ndjehesh vërtetë sikur je pjesë e një skuadre. Dështimi yt është dështimi I të gjithëve. Suksesi yt është po ashtu suksesi I të gjithëve, dhe ata e festojnë edhe atë.

Çfarë do të përmirësoje nga mënyra e të punuarit në Japoni?

Miki – Nëse qëndron më gjatë në zyrë, konsiderohesh punonjës I mirë. Kjo nuk është e vërtetë.

Ivi – Japonia është një vend kaq I bukur. Të gjitha produktet e tyre janë perfekte sepse Japonezët janë shumë të fokusuar në detaj. Por pas kësaj ane perfekte që I tregojnë botës, ka punonjës të lodhur e të trishtuar. Nëse do të mundesha, do të doja ta ndryshoja këtë. Mendoj se Japonezët vërtetë duhet ta ndryshojnë këtë.

Miki – Nëse ligjet ndryshojnë por jo mendja e njerëzve, atëherë asgjë në fakt nuk do të kishte ndryshuar. Ligji mbetet ligji. Të rëndësishmë janë mendimet e njerëzve.

Anxhela – Do të doja të shihja më pak festa pijesh jashtë punës. Gjithashtu më pak punë më orë të zgjatura. Por tani mendoj se Japonia është në binarët e duhur dhe se kompanitë e mëdha po fillojnë të ndryshojnë vërtetë.

Juko – Nëse do të bëhej ndarja e punëve të ndryshme në më shumë kategori, atëherë mbase do të na duhej të punonim edhe më pak me orë të zgjatura.

Anxhela – Mbasi mbaroj punën time, shoh gjithë ato burra e gra me kostume serioze dhe kollare, dhe të gjithë duken kaq të lodhur. Mendoj se duhet të heqin dorë nga kostumet.

Daiçi – Mirë do ishte të ishin më fleksibël. Sikur më të mëdhenjtë të mësonin të silleshin me punonjësit më të vegjël.

Juko – Ambjenti Im i punës tani është mjaft I kënaqshëm, sepse është një ambjent internacional dhe me atmosferë të mirë në grup. Ka ndërthurje kulturash dhe ne e respektojmë njëri-tjetrin. Do të doja që situata ime e tanishme të bëhej normale edhe për kompanitë e tjera në Japoni.

Ndryshimet e gjinisë sot

– A vazhdon ndarja gjinore, e pranishme gjatë viteve 90’, edhe sot?

Anxhela – Nuk mendoj që jam trajtuar shumë ndryshe atëherë nga tani. Madje mendoj se jam trajtuar dhe trajtohem si të isha mashkull.

Juta – Do të thoja që në fushën e IT-së, aq më tepër në kompanitë e reja e më të vogla, nuk ka shumë diferenca gjinore. Pra në një farë mënyrë nuk ka rëndësi nëse je mashkull apo femër, për sa kohë që ke aftësitë e duhura.

Roli i gruas në formimin e vendit të punës së të ardhmes

– Nuk është aspak sekret që numri I kompanive Japoneze me gra në udhëheqje është shumë I ulët. Me shifra do të ishte diku rreth 10% e tyre. Nëse do ta kishin femrat në dorë mbarvajtjen e punës në Japoni, çfarë do të bënin?

Juko – Mua më duket se roli i gruas në shoqëri po ndryshon. Mendoj se femrat mund të kryejnë punë më me efikasitet sesa meshkujt. Nganjëherë i them bashkëshortit “Pse punon deri kaq vonë? Nuk është se po punon me efikasitet” dhe ai mërzitet, e mohon. Por në vendin e tij unë do të verpoja ndryshe.

Miki – Mua nuk më duhet të shqetësohem për të ardhurat, pasi bashkëshorti im fiton mjaftueshëm. Nganjëherë ai më thotë “Puna jote është për ty, është si hobi për ty.” Jo nuk është. Mua më pëlqen shumë puna që bëj. Bashkëshorti im më thotë që mbase panvarësia ekonomike nuk do ta bëntë vajzën tonë të lumtur. Kur ajo të martohet një ditë me ndonjë burrë të mirë dhe të jetë shtëpiake, mbase kjo do të jetë lumturia për të.

Shtëpiaket atëherë dhe sot

– Më përpara të qënurit mama dhe shtëpiake ka qënë normale, por sot më shumë prej këtyre femrave po e gjejnë veten të hyjnë sërisht në tregun e punës. Si ju duket ky ndryshim?

Juko – Po ndryshon për më mire, meqë pjesa më e madhe e këtyre vajzave po kthehen sërisht në punët e tyre të mëparshme.

Miki – Por është më shumë me kohë të pjesshme.

Juko – Mendoj që mamaja ime po jeton këto ditë më mirë se ç’jetonte kur ishte e re, pasi u martua me babain tim. Kur unë isha e vogël, mamaja duhej të merrej më gjithë punët në kuzhinë dhe në shtëpi. Nëse babai merrej me ndonjë gjë, atëherë reputacioni I mamasë sime do të bëhej shumë, shumë I keq. I një gruaje të keqe. Por këto ditë shoqëria është në ndryshim. Gratë kanë filluar të punojnë edhe jashtë shtëpisë, kështu që normalisht edhe burrat duhet të ndihmojnë me diçka. Kështu që babai im filloi të lante enët. Por ende nuk di të gatuajë.

Miki – Nganjëherë më duket se gjenerata ime është gjenerata e fundit që do të ketë shtëpiake. Në gjeneratën e vajzës simë, patjetër që ajo do të ketë nevojë për një punë.

– Por prapë, ju jeni edhe në punë edhe shtëpiake.

Miki – Po…

– Si funksionon kjo gjë?

Miki – Epo është… e nevojshme.

Në fund, me gjithë hovin e madh të zhvillimit dhe të punuarit në mënyrë rigoroze, Japonia ka qënë dhe mbetet ende një vend që mbi të gjitha, lartëson komunitetin. Nga vlerat më të mëdha, përveç dinjitetit dhe disiplinës, njerëzit duket se mbajnë bashkëpunimin. Mbase nga jashtë kjo është në mospërputhje me natyrën e distancuar e të ftohtë të Japonezëve, por mendoj se pikërisht është ky treguesi I pranisë së tij. Rrethi I tyre I ngushtë, familja, e pasuar nga miqtë e kolegët, është mjaft I zgjedhur dhe reduktuar. Por në fund, secili njeri operon në sinkron me të gjithë të tjerët. Ajo që I ka bashkuar dhe bashkon, është përgjegjësia morale, e të qënurit qytetar, koleg, e familjar. Ata dinë ta njohin peshën e tyre, madje me modestinë më të madhe, dhe dinë ta respektojnë atë të të tjerëve. Sepse ata e dinë që vetëm kështu do të vazhdojë të mbahet në këmbë e të funksionojë optimalisht një perandori e tillë mendjesh dhe arritjesh, siç është vendi I Japonezëve.
Ne nga ana tjetër, nuk do të thotë se duhet të dekurajohemi. Përkundrazi, duhet të frymëzohemi për arritjen e më të mirës sonë. Por jam e mendimit se për ta arritur, në vend që të gjejmë ku të tregojmë gishtin për të zhvendosur problemin, duhet të fillojmë të mendojmë e punojmë për të mirën tonë së bashku. Dhe jam po e bindur se kur të ndalojmë vërtetë së pari me zili e paragjykim nga njëri-tjetri, do të bëjmë më në fund dhe hapin e parë më të rëndësishëm drejt mirëqënies së qëndrueshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: