Juventusi duhet të paguajë më shumë se 120 milionë euro për kartonin e Cristiano Ronaldos, pasi 100 milionë euro do të shkojnë për Real Madrid, ndërsa 20 deri në 25 milionë euro do t’i paguhen agjentit të tij, Jorge Mendes. Sipas Sport Mediaset, përfaqësuesi i portugezit ka arritur marrëveshje me Los Blancos që CR7 të largohet në bazë të klauzolës që e lejon prishjen e kontratës për 100 milionë euro, me kusht që lojtari të transferohet te një klub jo-rival. Mirëpo, për të ndodhur kjo, Mendes duhet të përfitojë afro 20-25 milionë euro në bazë të komisioneve të ndryshme. Kjo nuk do të jetë hera e parë që Juve paguan shuma të mëdha për lojtarët në bazë të përqindjeve të caktuara sipas marrëveshjeve. Mino Raiola përfitoi një shumë të majme parash kur Paul Pogba u transferua te Manchester United, asokohe si lojtari më i shtrenjtë. Ndërsa këtë verë, Emre Can i kushtoi Juventusit rreth 16 milionë euro në bazë të komisioneve, pavarësisht se kontrata e tij me Liverpoolin kishte skaduar. Nëse këto shifra janë të vërteta, atëherë Ronaldo do t’i kushtojë Zonjës së Vjetër së paku 120 milionë euro (shumë që mund të shkojë deri 150 milionë, në varësi të përqindjes që ka agjenti apo palët tjera të përfshira). Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se CR7 kërkon 30 milionë euro pagë neto vjetore dhe kontratë katërvjeçare.(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb