Për transferimin e Cristiano Ronaldos te Juventusi ka folur së fundmi një nga lojtarët më të mirë që ka patur “Seria A”, Kaka. Braziliani ka deklaruar se ardhja e portugezit te ‘zonja e vjetër’ do të tërheqë vëmendjen drejt kampionatit italian, i cili disa vite më parë ishte kampionati më i fortë në botë.

“Për kampionatin italian ardhja e Cristiano Ronaldos është e shkëlqyeshme. Është një emër i madh i futbollit. Do të tërheqë vëmendjen drejt Serie A. Shpresoj që kjo që ka bërë Juventus do të inkurajojë ekipet e tjera, në veçanti Milanin që më intereson që të bëjë një ristrukturim jo vetëm në fushë, por në të gjithë strukturën e klubit.

Mendoj se Juventus është një rast i veçantë. Pavarësisht të gjitha problemeve të futbollit italian dhe krizës në vend, arriti të ristrukturohej dhe të jetë një klub në nivel të lartë”,-deklaroi Kaka.

Braziliani ka kaluar periudhën më të bukur të karrierës së tij në kampionatin italian, teksa mbërriti në vitin 2003 dhe për 6 sezone “pushtoi” botën me Milanin, duke fituar edhe Topin e Artë në vitin 2007.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb