TIRANE- Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar për rastin e vetëvrasjes së policit në Fier, ku familjarët u shprehën se shkak ishte bërë vettingu.

Përmes një statusi në ‘Facebook’ Këlliçi thekson se vettingu është për policët e thjeshtë dhe jo për bosët e krimit në Policinë e Shtetit. Sipas tij formulari i vettingut po kthehet në shqetësim real për efektivët, në një kohë kur sipas tij shefat e tyre hanë darka me personazhe vip të botës së krimit.

Kastriot Fafaj- tha Këlliçi- është viktima e parë e kësaj marrëzie. “Bashkëpunëtorët e Saimir Tahirit, ish drejtues të lartë të policisë së “rilindur” të Edi Ramës, sot janë zhdukur nga sytë këmbët e jo nga frika e këtij shteti, por nga frika e trafikantëve që u prenë në besë. Të flasësh për Vetting në polici në një kohë që duhet bërë vetting në qeveri, është një paradoks i madh dhe show i panevojshëm.”, shkruan Këlliçi, ndërsa shton se Tahiri i lirë në Kuvend, bën gangsterin.

REAGIMI I KËLLIÇIT
“Vetting” për policin e thjeshtë, por jo për “Bosët e Krimit” në Policinë e Shtetit!
Formulari i Vettingut në policinë e shtetit po kthehet në një shqetësim real për efektivët e thjeshtë të rendit që çdo ditë përballen me krimin e rrugës që u rrezikon jetën, në një kohë që shumë prej shefave të tyre janë duke ngrënë ndonjë darkë në restorantet luksoze të bregdetit me personazhe VIP të botës së krimit. Policëve u kërkohet të plotësojnë një formular të detajuar a thua se punojnë në strukturat e FBI-së amerikane, sakaq eprorët e tyre janë militantë të devotshëm me teserë partie që e kanë katandisur Policinë e Shtetit në ditët e saj më të zeza. 48-vjeçari Fatmir Fafa nga Fieri, është viktima e parë e kësaj marrëzie të radhës të qeverisë, teksa ai u vetëvra me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit Fier.

Babai i të ndjerit u shpreh qartë për mediat, se djali i tij u vetëvra pikërisht për shkak të presionit nga procesi i vettingut. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përpara se të bëjë vettingun për policët e thjeshtë, duhet të japë shpjegime se përse paraardhësi i tij, i hetuari nga Antimafia Italiane për trafik droge Saimir Tahiri, me bekimin e të cilit u kanabizua i gjithë vendi, nuk është sot prapa hekurave, por bën gangsterin në Parlament dhe kërcënon me gjuhë rruge qeverinë për të mos e tradhtuar.
Bashkëpunëtorët e Saimir Tahirit, ish drejtues të lartë të policisë së “rilindur” të Edi Ramës, sot janë zhdukur nga sytë këmbët e jo nga frika e këtij shteti, por nga frika e trafikantëve që u prenë në besë. Të flasësh për Vetting në polici në një kohë që duhet bërë vetting në qeveri, është një paradoks i madh dhe show i panevojshëm.

Saimir Tahiri dhe shpura e tij në Ministrinë e Brendshme, me lejen e Edi Ramës e vunë Policinë e Shtetit në shërbim të grupeve të drogës, që sot janë zotëri e vërtetë të vendit, pasi kjo qeveri nuk ka vullnetin e as moralin ti luftojë. Më shumë se kurrë, sot dinjiteti i policit të thjeshtë shqiptar është nëpërkëmbur, e kjo për shkak të një strategjie të qartë të vënies së policisë në shërbim të trafikantëve, për të blerë vota, e për të siguruar mandate deputetësh për individë që sot do duhej të ishin prapa hekurave, e jo në tempullin e demokracisë, në parlament. Kur Policia e Shtetit nuk është e aftë të mbrojë veten e të parandalojë tragjedi brenda radhëve të saj, merreni me mend se sa të mbrojtur janë qytetarët e këtij vendi…
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: