NGA ORNELA MANJANI

TIRANE– Kthimi dhe kompensi mi i pronave për 26 mijë dosje do të marrë fund brenda tri viteve. Fondi për kompensimin e ish-pronarëve do të rritet progresivisht çdo vit dhe do të arrijë në 5 miliardë lekë. Ndërkohë që po përcaktohen tri mënyra për kompensimin e pronarëve: me para, me kompensim fizik dhe me alternativën e kompensimit progresiv. Drafti i ri, “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, është shpjeguar nga drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato. “Është parashikuar që procesi i shqyrtimit të dosjeve që janë pa vendim pranë Agjencisë do të përfundojë brenda një afati minimum prej 3 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa procesi i kompensimit është llogaritur të përfundojë brenda një periudhe prej 10 vitesh”, – thotë Qato. Drejtoresha e AKKP-së ka shpjeguar se projektligji që po hartohet parashikon një formulë realiste dhe rendit procedura konkrete për realizimin e kompensimit, duke i dhënë zgjidhje eficente dhe përfundimtare çështjes së kompensimit të pronave. Kompensimi të mos kryhet kryesisht me të holla, por të shihet me përparësi përdorimi i metodave alternative të kompensimit. “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë shpjegimin që drejtoresha e AKKP-së ka bërë dje mbi ligjin “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”.

1. NXJERRJA RREGULLISHT E VKM-së PËR KOMPENSIM
Në draft projektligjin që është në fazë përfundimtare konsultimesh është përcaktuar që kompensimi do ti referohet si rregull të përgjithshëm respektimit të rendit kronologjik të vendimit. Draft projektligji ka parashikuar një mënyrë të re të administrimit të këtij procesi dukë shmangur burokracitë e për aplikime të detyrueshme nga pronaret. Sipas parashikimeve të bëra, procedura e kompensimit do të kalojë në disa hapa si : krijimi i regjistrit te vendimeve për kompensim duke reflektuar në të mangësitë për çdo dosje/vendim kompensimi; vendosjen e një afati të arsyeshëm ne plotësimin e mangësive nga subjektet, vlerësimin financiar të vendimeve përfundimtare për kompensim dhe më pas procedohet me kompensimin dhe derdhjen e shumës përkatëse në një llogari bankare. E gjithë kjo procedurë do të behet nga Agjencia pa aplikim të subjektit, në bazë të rendit kronologjik. Gjithashtu, për herë të parë drafti parashikon gjithashtu një buxhet vjetor, me rritje progresive në 10 vjet proces nga 1 deri në 5 miliard lekë, si një garanci më shumë për realizimin në kohë të kompensimit. Gjithashtu drafti parashikon edhe mënyra të tjera për realizimin e kompensimit, duke parashikuar ankandin, kompensimin fizik në pronën e njohur dhe kompensimin progresiv si mekanizma të rinj dhe efikase për realizimin e procesit të kompensimit. Në këtë draft parashikohen procedurat të hollësishme për zbatimin e këtij draft projekt/ligji si dhe është parashikuar shfuqizimi i ligjit nr.10239/2010 dhe përcaktimi i të gjithë procedurave dhe fondit të kompensimit në këtë draft.

PUBLIKIMI I FONDIT FIZIK
Listat e fondit fizik (tokë dhe objekte), aktualisht janë të publikuara në faqen zyrtare web të AKKP-së dhe janë lehtësisht të aksesueshme për publikun se bashku me informacione të tjera në funksion të transparencës dhe informimit të publikut. Drafti i propozuar nga ana e AKKP-së, çështjen e publikimit e ka parashikuar si përcaktim detyrues, pasi ky fond dhe të gjitha fondet të cilat në vijim të procesit do të vihen në dispozicion të kompensimit të pronarëve, do të përdoren për kompensim, sipas procedurave të përcaktuara në draft.

SHQYRTIMI I KËRKESAVE
Në draft/projekt ligjin “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, është parashikuar që procesi i shqyrtimit të dosjeve që janë pa vendim pranë Agjencisë do të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm minimumi 3 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit ndërsa procesi i kompensimit është llogaritur të përfundojë brenda një periudhe prej 10 vitesh. Si garanci për respektimin e këtyre afateve është parashikuar edhe shtimi i organikes në strukturën e Agjencisë, ku aktualisht jemi në proces komunikimi zyrtar për vënien në eficencë të kësaj kërkese menjëherë mbas hyrjes në fuqi të ligjit. Drafti do të shkoje së shpejti për mendim pranë ministrive kompetente dhe pasi të jetë shqyrtuar nga ministritë, institucionet kompetente, e grupet e interesit do t’i jepet një zgjidhje përfundimtare këtij rekomandimi.

VENDIMET
Dërgimi nga ana e AKKP-së pranë ZVRPP për regjistrimin e të gjithë vendimeve (titujve të pronësisë) të marra prej saj sipas të cilëve është vendosur për njohje dhe kthim/kompensim të pasurive të paluajtshme, si detyrim i parashikuar në nenit 193 të K.C., është një tjetër çështje e cila është parashikuar në draft/projektligj. Në gjykimin tonë, ky proces duhej të ishte kryer prej kohësh nëse do ti referohemi ligjit 33/ 2012 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, ligj i cili e parashikon si detyrim të ZRPP-së regjistrimin e çdo të drejte reale, përfshirë këtu edhe çështjen në fjalë.

BAZA E TË DHËNAVE
Dixhitalizimi i informacionit hartografik të të gjitha vendimeve përfundimtare dhe dosjeve që kemi në trajtim për kthimin dhe kompensimin e pronave është parashikuar gjithashtu të realizohet me hyrjen në fuqi të ligjit. Aktualisht, AKKP ka depozituar për financim projektin “Sistemi Web-Gis Informacioni për regjistrimin dhe vlerësimin e pronave objekt kthimi dhe kompensimi”, i cili pritet te financohet gjatë muajve në vijim. Propozohet ngritja me VKM i një komisioni me përbërje ndërinstitucionale i cili do të udhëheq punën për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë dhe të behet pjesë e fondit fizik të kompensimit të pronave, duke i propozuar Këshillit të Ministrave kalimin e këtyre pronave në Fondin e Tokës.

INFORMACIONI NGA GJYKATAT
Lidhur me sugjerimin tuaj për marrjen e informacionit të nevojshëm pranë gjykatave lidhur me vendimmarrjet e kryera prej saj, lidhur me anulimin, ndryshimin e vendimeve të AKKP-së, pasqyrimi në regjistrin elektronik të AKKP-së i të gjithë vendimeve të marra nga gjykata sipas objektit të lart përmendur me qëllim përllogaritjen e kostove të nevojshme në përfundimin e këtyre proceseve, sqarojmë që është një sugjerim shumë i drejtë dhe i nevojshëm. Nga informacioni që disponojmë deri më tani, është pothuajse i pamundur realizimi 100% i këtij sugjerimi për shkak të periudhës së gjate të këtij procesi.

Aktualisht, jemi duke bashkëpunuar me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për identifikimin dhe regjistrimin e kësaj problematike, një proces i cili nëse rezulton i suksesshëm do të shtrihet si projekt edhe ne gjykatat e tjera te vendit. Gjithsesi, si rrjedhoje në lidhje me këtë çështje në draft është parashikuar si zgjidhje bashkëpunimi me subjektet për paraqitjen nga ana e tyre e këtij informacioni, si më poshtë: Agjencia brenda një afati 6-mujor nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të publikoje një regjistër me të gjitha vendimet përfundimtare që njohin të drejtën e kompensimit të pronës së subjekteve të shpronësuar.

Regjistri duhet të përmbajë informacion mbi dokumentacionin që mungon në dosjen e vendimit. Subjektet e interesuara mund të plotësojnë dokumentacionin e paraqitur si të munguar nga agjencia, i nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit duke përfshire dorëzimin e vendimeve gjyqësorë të formës së prerë.

REGJISTRIMI FINANCIAR
Në lidhje me procesin e regjistrimit fillestar të pronave në ato zona kadastrale ku është vendosur për njohje dhe kthim/kompensimin e pasurive të paluajtshme, sqarojmë se kjo nuk është kompetencë e jona por është detyrim i ZRPP-së. Zbatimi me korrektësi i ligjit, rritja e eficencës dhe shkalla transparencës. AKKP me daljen për konsultim publik të draft projekt/ligjit të ri ka kërkuar paralelisht edhe shtimin e stafit, në mënyrë që të garantohet zbatimi me korrektësi i ligjit dhe të rritet eficenca në punë. Sa i përket rritjes së transparencës në administratë, në përputhje me nenin 7 të ligjit nr.1 19/2014 “Për të Drejtën e Informimit” është përgatitur programi i transparencës për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ky program përcakton kornizën ligjore të veprimtarisë së autoritetit në kuadër të ligjit nr.1 19/2014 “Për të Drejtën e Informimit”(LDI). Ky program vlerësohet si një mënyrë konkrete përmes së cilës AKKP ndërton dhe rrit transparencën në punën e tij institucionale. Informacioni i bërë publik në këtë program, synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së punës së AKKP-së, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare www.akkp.gov.al si dhe në mjediset e pritjes së publikut.

KOORDINIMI
Rritja e shkalles së koordinimit midis institucioneve që trajtojnë çështjen e pronësisë është parashikuar në draft projektligj në këtë mënyrë: “Agjencia e Trajtimit të Pronës në funksion të procesit të njohjes dhe kompensimit të pronës, bashkërendon veprimtarinë me ZRPP, ALUIZNI, Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, Avokaturën e Shtetit, Autoritetin Shtetërorë për informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Arkivën e Shtetit dhe të çdo institucioni tjetër, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi mbi këtë proces. Çdo institucion shtetëror, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi mbi procesin e njohjes dhe kompensimit të pronës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe të siguroje pa tarifa dhe taksa informacionin apo dokumentacionin e kërkuar nga Agjencia, si dhe të raportojë arsyet e mospërputhjes së një mase apo rekomandimi të kërkuar”.

MBYLLJA E PROCESIT
Përfundimi i procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, procesit të legalizimit dhe atij të vlerësimit të titujve të pronësisë. Në draft/projektligjin “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, është parashikuar që procesi i shqyrtimit të dosjeve që janë pa vendim pranë Agjencisë do të përfundojë brenda një afati minimum prej 3 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa procesi i kompensimit është llogaritur të përfundojë brenda një periudhe prej 10 vitesh. Përfundimi i procesit të legalizimit është kompetencë e ALUIZNIT dhe ai i vlerësimit të titujve të pronësisë është kompetencë e Prefekturës së Qarkut. Përfundimi i regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme dhe dixhitalizimi i të dhënave. Përfundimi i regjistrimit dhe dixhitalizimi i të dhënave është një sugjerim mjaft i drejtë për t’u zbatuar nga ZRPP-të.

KONTAKTET ME QYTETARËT
Ministria e Inovacionit ka në proces një projekt “one stop shop” për disa nga shërbimet që ofron AKKP-ja. Gjithashtu me draftin e ri që propozohet të lehtësohen maksimalisht burokracitë, duke i ofruar qytetarëve një shërbim të shpejtë dhe me një ndalesë.

REGJISTRI I PRONAVE
Futja në sistem i regjistrimit të tokave të ndara në pronësi të familjeve bujqësore në shumë zona të vendit nëpërmjet sigurimit të fondeve financiare dhe burimeve njerëzore për Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, sqarojmë se është kompetencë e kësaj të fundit.

NGRITJA E KOMISIONEVE
Ngritja e komisioneve të veçanta dhe nxjerrja e akteve ligjore dhe nënligjore për zgjidhjen përfundimtare të pronësisë së tokës bujqësore, të marrë në përdorim nga subjektet përfituese si ish punonjës të Kooperativave dhe Ndërmarrjeve Bujqësore, është pjesë e procedurave të përcaktuara në ligjin nr.57/2012 për “Përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”.

SKEMA E KOMPENSIMIT
Skema e kompensimit e paraqitur në draft/projektligj është hartuar në përputhje me udhëzimet e dhëna nga GJEDNJ. Ky draft/projektligj parashikon një formulë realiste dhe rendit procedura konkrete për realizimin e kompensimit duke i dhënë zgjidhje eficente dhe përfundimtare çështjes të kompensimit të pronave. Kompensimi të mos kryhet kryesisht me të holla por të shihet më përparësi përdorimi i metodave alternative të kompensimit. Draft/ projektligji i propozuar parashikon këto forma kompensimi: me kompensim Financiar, me kompensim Fizik, me alternative Kompensimi Progresiv. Në këtë draft projekt-ligj gjithashtu është dhënë garancia për përfundimin e këtij procesi duke përcaktuar një shume minimale që buxheti i shtetit do të akordoje çdo vit fondit të kompensimi. Për herë të parë është përshkruar proceduralisht realizimi i ankandit të pronës pjesë e fondit të tokës, si një burim i ri për krijimin e të ardhurave për fondin e kompensimit dhe si një mënyrë alternative e kompensimit.

LLOGARITJA E KOMPENSIMIT
Llogaritja e numrit të përgjithshëm të vendimeve administrative që njohin të drejtën e pronësisë, me të drejtë kompensimi është një hap i cili është përfunduar nga agjencia me publikimin e regjistrit të vendimmarrjes, nga ku rezultojnë rreth 26000 vendime kompensimi (1993-2014). Në përfundim, gjejmë rastin t’ju falënderojmë për sugjerimet dhe kontributin tuaj shumë të vlefshëm gjatë këtij procesi reformues, duke i vlerësuar ato si një kontribut thelbësor në realizimin e draft projekt/ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: