Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi i bashkëngjitet liderëve tjerë të Luginës në mbështetje për idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve, por jo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndryshimi i kufijve të cilin presidenti Thaçi e ka paraqit në media është një gjë për të cilën mund të diskutojmë, ama nuk nënkupton kjo edhe shkëmbim të territoreve”, shprehet për RTV Dukagjinin, Shqiprim Arifi, kryetar i Preshevës.

Arifi, tha se është për përfshirjen e Luginës së Preshevës në Kosovë, në tërësi, e jo të parcializuar.
“Ose shkojmë në tërësi në Republikën e Kosovës, ose mbesim këndej ku jemi tash (Serbi)”.

Kur flet për shkëmbimin e territoreve, Arifi thotë se janë kundër, meqë nuk duan ta dobësojnë Kosovën.
Kjo, madje edhe me kushtin se mund të mbesin në Serbi.

“Ne duam një Kosovë që do të jetë e fuqishme, dhe që veriun e Kosovës me pjesë të saj, edhe nëse kjo shkon në faturën tonë për të mbetur nën Serbi”, tha ndër të tjera Shqiprim Arifi.

Ndërkohë, spektri opozitar politik në Kosovë, vazhdon t’i kundërshtojë ashpër veprimet e kreut të shtetit.
“Tash edhe një korrigjim tjetër i kufirit?”, ka shkruar Albin Kurti, duke kujtuar deklaratat e Thaçit lidhur me ndryshimet në marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Paj, gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka. Serbia kufijtë e saj i ka vizatuar me bajoneta”, thotë Kurti.

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në Facebook ka shkruar se para se të normalizohen raportet me Serbinë, së pari vendi duhet të ketë institucione normale demokratike dhe një shumicë solide e funksionale në Kuvend.

Ndërkaq kreu i PSD-së dhe i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të marrë përgjegjësi dhe të mos i lejojë, siç ka thënë ai, “aventurat” e presidentit Thaçi me kufij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: