TIRANE – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në një takim për platformën “Shqipëria që duam” në Rrëshen.

Kryemadhi në një status në Facebook, shkruan se kreu i qeverisë shpall si fitore të madhe largimin nga puna të mbështetësve të LSI-së.

Por sipas saj këto shantazhe nuk do i frikësojnë aspak në luftën e tyre opozitare. Madje në postimin e saj ajo ironizon edhe momentin e hedhjes së këpucës në seancën parlamentare për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkoshëm.

“Me fjalorin e varfër dhe me paranojën e “këpucës”, Edi Rama shfaqet ashtu siç është në të vërtetë, i frikësuar jo nga këpucët që për fatin e tij nuk morën trajektoren e duhur, por nga mijëra e mijëra këpucë a çizme që i qëndrojnë sipër kokës varur atij dhe ministrave të tij,” shkruan ajo.

Statusi i plotë

Me gjuhën e arrogantit injorant, me guximin e stimuluar nga përdorimi i substancave narkotike, Edi Rama edhe njëherë i ka gjetur fajtorët e keqqeverisjes së tij te LSI.

Nga Mirdita , ku as brohorimat e teknikës qendrore të kryeministrisë nuk e mbytën dot zhurmën e shpërthimit të tritolit në Shkodër, kryeministri i pushteteve të përkohshme, shpalli si fitore të madhe largimin nga puna të mbështetësve të LSI-së, me shpresën se do të frikësojë familjen tonë politike me shantazhe që zakonisht i përdor me oborrtarët e tij të pushtetit.

Me fjalorin e varfër dhe me paranojën e “këpucës”, Edi Rama shfaqet ashtu siç është në të vërtetë, i frikësuar jo nga këpucët që për fatin e tij nuk morën trajektoren e duhur, por nga mijëra e mijëra këpucë a çizme që i qëndrojnë sipër kokës varur atij dhe ministrave të tij.

Sepse nuk është turp të të etiketojnë si “parti e këpucëve”, as të heqësh këpucët apo të brendshmet siç ka bërë ai vetë.

Turp është të kanabizosh vendin që pretendon se drejton, të orientosh rininë drejt drogës dhe trafikut, të vjedhësh e të grabisësh çdo pasuri të Shqipërisë.

Këto veshin me turpin më të madh të mundshëm çdo lakuriqësi, jo vetëm fizike por dhe politike.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: