VLORE– Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zhvilluar ditën e sotme një takim me strukturat e partisë në Vlorë. Teksa akuzoi kryeministrin Rama se po tenton të marrë në dorë të gjitha institucionet e drejtësisë, Kryemadhi tha se socialistet dhe të gjithë qytetarët janë të pakënaqur nga qeverisja.

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI ka treguar disa detaje nga protesta e djeshme e banorëve të Torovicës, teksa pritej të fillonte mbledhja e qeverisë në qytetin e Lezhës. Sipas Kryemadhit, kryeministri Rama “i çoi në polici protestuesit e Torovicës, që të mos i prishej dekori i aktivitetit”.

“Pasi detyroi Visho Ajazin të jepte dorëheqjen, zgjodhi i vetëm Kryeprokurin, tani kërkon të marrë në dorë të gjitha institucionet e drejtësisë. Gjithë ky imponim ndaj qytetarëve shqiptarë do t’i kthehet në protestë. Deri më datën 5 qershor Rama i lutej LSI për të qenë pjesë e koalicionit të tij në zgjedhjet e 25 qershorit. E bëmë këtë pasi nuk donim të ishim pjesë e farsës së tij. Ju vetë e keni parë mënyrën sesi funksionon ky shtet. Situata ekonomike në vend është në një gjendje të tmerrshme. Doli dje në Lezhë, i mori e i çoi në polici qytetarët e Torovicës që po protestonin, që mos t’i prishej dekori”, u shpreh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

FJALA E PLOTE

Në rradhë të parë dua tu falenderoj të gjithëve për angazhimin tuaj maksimal në zgjedhjet 25 Qershorit në 2017. Faktikisht për hir të së vërtetës qarku i Vlorës ka qenë qark vështirë për vetë faktin që dhe ju vetë jeni koshient të gjithë angazhimit të jashtëzakonshëm dhe të tmerrshëm jo vetëm të strukturave të policisë dhe të administratës shtetërore por të angazhimit total të bandave dhe krimit të organizuar dhe sigurisht atyre që administrojnë trafikun e drogës në Shqipëri.

Falenderimi është më e pakta që mund të bëjmë, faktikisht por ajo që dua të them dhe tu jem mirënjohëse është për qëndresën tuaj heroike sepse të përballesh në një moment kur të gjitha strukturat e shtetit janë në funksion të krimit të organizuar do të thotë që duhet ti bësh ballë një situate të jashtëzakonshme. Dhe ajo që është më e rëndësishme si vlonjatë që jeni, mesa duket e bëri dhe tregoi atë forcën ,pasionin dhe shpirtin e labit për ti qëndruar dhe për ti dhënë një goditje psikologjike aq sa mundëm sepse dhe ajo nuk është pak. Sepse hesapet e Edi Ramës dhe Rilindjes së tij ishin komplet ndryshe.

Kështu që dua tu falenderoj dhe ju jam mirënjohëse por kjo më bën dhe më nxit më shumë që të jem më pranë dhe më afër strukturave të partisë në Vlorë, për të vetmen arsye edhe për të treguar që Vlora nuk është një lungomare që i kushton 10 milionë euro km. Pra ka një lungomare siç e tha dhe kolegu ynë Ylli Manjani është kthyer në një lungopare. Të cilën e ka kthyer si një burim përfitimi të xhepave të tij dhe të egove dhe mentalitetit apo kënaqësive të veta shpirtërore apo mendore për të bërë disa gjëra të cilat nuk kanë lidhje absolutisht me atë çka përfaqëson qyteti i Vlorës. Megjithatë unë tashmë dua të futem pak në situatën në të cilën ne po kalojmë sot.

Jemi në një situatë, për hir së vërtetës në një udhëkryq. Gjendemi përballë një situate ku kryeministri i Shqipërisë dhe kryeministri i Rilindjes nuk dua të them më i socialistëve sepse socialistët janë më të pakënaqurit nga mënyra e sjelljes së tij. E ka vendosur Shqipërinë, nëse do të shkojë dhe do të jetë pjesë e BE apo nëse do të marri zgjedhje dhe drejtim tjetër drejt qëndrimeve ekstremiste qofshin këto në drejtime të kundërta.Sigurisht që shqiptarët po ti pyesësh sot të gjithë duan të jenë anëtarë të BE, është një nga popujt më pro amerikanë. Kështu ajo çka dua të them është që Edi Rama po kërcënon qëndrueshmërinë dhe pozicionin jo vetëm politik por edhe të politikës së jashtme të Shqipërisë.

E them këtë për të vetmen arsye sepse Shqipëria ka pasur dy vlera të pacënueshme në këto 27 vjet tranzicion e cila ka qenë harmonia fetare dhe politika e saj e jashtme dhe politika në marrëdhënien e saj me fqinjët. Gjë që të cilat kjo qeveri dhe ky kryeministër jo vetëm që i ka rrezikuar por i ka vendosur në një pikë shumë kritike përsa i përket të ardhmes së Shqipërisë. Ana tjetër me krimin dhe korrupsionin tashmë është kthyer në një sinfoni saqë na janë mësuar veshët dhe na duket si një gjë normale për të vetmen arsye sepse menyra sesi e ka ndërtuar dhe si po funksionon shteti, Edi Rama e ka kthyer në një institucion që shërben vetëm për krimin dhe tashmë i është turrur të gjitha institucioneve.

Mbasi detyroi Kryetarin e Shërbimit Informativ Visho Ajazin të jepte dorëheqjen, pasi rrëmbeu dhe vodhi Prokurorin e Përgjithshëm në Parlament tani kërkon të kapi të gjitha institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë sepse mendon që duke kërcënuar dhe nënshtruar shqiptarët ai mund të kontrollojë çdo gjë por nuk do ti ndodhi asgjë tjetër, vetëm i gjithë ky nënshtrim që ai kërkon ti imponojë shqiptarëve do ti kthehet në revoltë dhe në protestë.

Pse e them këtë? Sepse shqiptarët janë shumë të lodhur dhe jam shumë të pakënaqur nga sjellja dhe nga jeta politike që i është ofruar shqiptarëve. Ne jemi vetë pjesë e klasës politike, kemi dhe ne kusuret tona mbi shpatullat tona dhe nuk kemi frikë që të marrim përgjegjësitë tona dhe pikërisht për shkak të këtyre përgjegjësive që kemi pasur prandaj dhe si LSI kemi qëndruar që të qëndrojmë në opozitë edhe pse deri më datën 5 qershor pra 20 ditë para zgjedhjeve Edi Rama i lutesh LSI për të qenë pjesë e koalicionit.

Ne nuk pranuam, qëndruam të vetëm për të vetmen arsye sepse nuk donim të ishim pjesë e kësaj farse dhe e këtij grupi kriminal që ju vet e dini sepse ju dini dhe shikoni më shumë se çshikojmë ne atje në Tiranë. Sepse këtu ju jetoni, shikoni dhe përplaseni çdo ditë me mënyrën sesi funksionon ky shtet. Ajo çka dua të them tjetër është një situata ekonomike është e tmerrshme. Në vitin 2017 janë mbyllur 13.675 biznese dhe kjo nuk vjen si rezultat i numrave që nxjerr opozita por si rezulat i INSTAT pra i shoqërisë apo i ndërmarrjes apo i institucionit që kontrollon vet dhe bën çdo gjë vet.

Edhe në fjalimet e tij po ta dëgjoni ai thotë u hapën 6.000 biznese por sa u mbyllën. U hapën 6.000 biznese të cilat mbyllen për tu rihapur prapë për të pastruar para kur ndërkohë bizneset e shqiptarëve të varfër të cilët mezi mbijetojnë mbyllen pra 13.675 minimumi sikur nga 2 apo 3 punonjës të kenë të punësuar i thonë gati 40.000 vende pune të mbyllura. Pra 40.000 paga më pak në familje, 40.000 familjarë më pak ushqim më pak zhvillim e shumë e shumë gjëra të tjera.Investimet e huaja kanë qenë zero për 2017. Janë planifikuar zero për 2018.Do të thotë më pak vende pune, më pak ushqim më shumë varfëri. Ndërkohë kemi një qeveri që vazhdon trumpeton me mashtrimet e saj, e ka kthyer si një cirk udhëtues që kalon nga një qytet në tjetrin për të bërë show mediatik.

Por në fakt ai e di shumë mirë që akoma nuk ka dhënë pagat e mjekëve dhe infermierëve nëpër spitale, akoma nuk kanë marrë pagat mësuesit.Dhe do vijë çdo ditë e më shumë duke u bërë akoma dhe më e vështirë.Ashtu sikurse ju mund ta dini që ka shumë kompani që kanë pasur kontrata me qeverinë shqiptare dhe të cilët nuk janë shlyer dhe për herë të parë në historinë e tranzicionit po themi, nuk po merrem fare se çfarë ka ndodhur më përpara. Pra drejtoria e thesarit, është mbyllur qenë datën 15 dhjetor, kur në vitet e tjera punonte deri në natën e fundit të vitit.Kështu që kemi një situatë me vërtet problematike dhe kjo është ajo që na shtyn edhe më shumë për tu ngritur dhe për të protestuar.

Për të protestuar në protesta paqësore ska nevojë as për të qenë të dhunshëm, as për të kërcënuar Edi Ramën se po të jetë për ta kërcenuar e për ta rrahur ka sa të duash që e rrahin brenda në Parlament nga Socialistët e vet por për ti treguar që shqiptarët janë me shumicë kundër tij.Edhe pse ai kërkon ti nënshtroj dhe ti frikësoj dolën dje banorët e Torovicë i kapi i futi vetëm e vetëm që mos ti prishesh imazhi i tij. Pra zhduku dekorin lëvizës ashtu i quan njerëzit ai, dekor lëvizës ndërsa fasadat e tij janë dekori i jetës së tij të përditshme. Pra është një njëri i cili kërkon të bëjë çdo gjë sipas dëshirës së vet. Nuk pyet dhe arroganca e tij ka zaptuar çdo institucion dhe kërkon të zaptojë tashmë dhe shpirtin e shqiptarëve. Prandaj dhe ne jemi bërë të gjithë bashkë, të gjithë ato parti opozitare dhe njerëz që e ndjejnë veten që janë më të varfër, për të gjithë ata që e ndjejnë veten të nënshtruar.

Për të gjitha ata që nuk kanë mundësi të ushqejnë fëmijët ë tyre dhe ju kanë ikur fëmijët në emigracion sepse nuk kanë pasur mundësi për të gjetur vende pune këtu. Për të gjithë ata që duhet të nxjerrin para për të paguar për të marrë një çertifikatë apo një dokument. Për të gjithë ata studentë që duhet të paguajnë 6 apo 10 apo 20 mijë lekë për të marrë një vërtetim studenti. Për të gjithë ata studentë që detyrohen për ti çuar nga universitetet publike në private për të mbushur xhepat e oligarkëve. Për të gjithë ata prindër, fëmijë, gjimnazistë që e tha shumë mirë Dajana që na ka shtuar ngarkesën mendore për të na ulur ngarkesën fizike kur faktikisht gjimnazistët me ngarkesë fizike duhet të merren.

Kjo është një protetstë e cila përfshin që të gjithë, për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike dhe burgosen kur ndërkohë trafikantët dhe kriminelët lihen të lirë.Prandaj dhe ne jemi shpërndarë në të gjithë Shqipërinë ashtu sikurse kemi ardhur dhe sot këtu Në Vlorë, duam që të organizohemi, të sensibilizojmë njerëzit, ti zgjojmë qytetarët, kudo që janë sepse gjumi në të cilin Edi Rama ka vendosur shqiptarët është shumë i rrezikshëm.I cili po fillon dhe po e kthen Shqipërinë në një vend të shpërbërë.

465 000 shqiptarë janë larguar në 5 vitet e drejtimit të Edi Ramës. Kanë ikur dhe nuk duan të kthehen më, mosha mesatare po rritet çdo ditë dhe më shumë. Në këtë mënyrë sesi po shpërngulen shqiptarët nga Shqipëra shumë pak do të ngelen, vetëm pleqtë dhe plakat dhe nuk do të kemi as fuqi puntore dhe asnjë mundësi për tu ofruar. Do të kthehemi në një vend i cili çdo ditë edhe më shumë po mbushet me azilantë të huaj të cilët nuk e dinë së ça janë. Pra atë që nuk e bënë dot në mijëra vjet të gjithë pushtuesit në Shqipëri e bëri Edi Rama për 5 vjet.

Pra po shpopullon Shqipërinë po e mbush me azilantë të tjerë dhe po fillon dhe po deformon përërjen tonë etnike në Shqipëri. Prandaj në qoftë se kemi atë ndjenjë patriotike, shqiptarie brenda vetes tonë, nqs kemi vendosur për ta ndërtuar atë copë Europe qe fëmijët e shqiptarëve kanë dashur ta gjejnë dhe ta ndërtojnë jetën e tyre në Europë ta kthjemë dhe ta ndërtojnë këtu në Shqipëri.Pra nuk kemi pse të ndërtojmë Shqipërinë në Europë por Europën në Shqipëri.Sepse i kemi të gjitha kushtet, Zoti na i ka dhënë të gjitha mundësitë,na ka dhënë nga 365 ditë të vitit, 300 ditë diell.

Të vetmen gjë që sna e merr dot njëri është kjo që na e ka dhënë Zoti prandaj ti kthejmë këto resurse këto bukuri natyrore në shëbim të shqiptarëve dhe ta bëjmë këtë vend të banueshëm sa më të mirë për shqiptarët.Unë ju falenderoj jashtëzakonisht shumë për angazhimin tuaj, për ardhjen tuaj sot në këtë ditë dhe do të jem përkrah jush në çdo aktivitet që ne do të organizojmë sepse Vlora ashtu siç ka qenë një aktivitet i jashtëzakonshëm në historinë e Shqipërisë, në momentet më të rëndësishme të Shqipërisë, qoftë me ngritjen e flamurit edhe të gjitha etapat e tjera, ashtu pretendojmë dhe ashtu besojmë që edhe tashmë Vlora do të jetë një qytet i cili do tit hotë ndal kësaj shpërbërje që kërkon ti bëjë Shqipërisë Edi Rama, kësaj varfërie çdo ditë dhe më shumë dhe për ti thënë ndal kështjellës së krimit që Edi Rama po kërkon ta ndërtojë në Shqipëri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: