LONDER– Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi sot një takim në Londër me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, me të cilën bisedoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, përmbushjen e detyrimeve të Kosovës në raport me BE-në, si dhe për procesin e finalizimit të dialogut me Serbinë.

Gjatë takimit Haradinaj, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në proceset jetike të shtetndërtimit të Kosovës.

“Partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është i një rëndësie të veçantë, duke njohur rolin dhe kontributin e Gjermanisë edhe në procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila i ka hapur rrugë Kosovës që të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet tjera të rajonit. Kosova është e përkushtuar që ta avancojë këtë partneritet. Parku Inovativ dhe Trajnues në Prizren është një dëshmi e radhës, që vendi ynë është i përkushtuar për prezencën ekonomike, krahas asaj politike”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke falënderuar kancelaren Merkel për mbështetjen e fuqishme të saj dhe të shtetit gjerman, Haradinaj tha se “qeveria e Kosovës me përkushtim dhe vendosmëri të lartë është duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik, axhendës së reformave europiane dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve me fqinjët”.

“Lidershipi juaj ka qenë vendimtar për shumë procese në të cilat po kalon Ballkani Perëndimor, prandaj kërkojmë mbështetjen tuaj që edhe në këtë fazë të rëndësishme të procesit të integrimeve europiane, liberalizimit të vizave, të jeni zë i fuqishëm për të ardhmen prosperuese të Kosovës”, nënvizoi Haradinaj.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, theksoi se “Gjermania përmes procesit të Berlinit do të luajë rolin e saj edhe më tutje që Kosova të jetë e barabartë dhe të jetë kontribuese në stabilitetin politik jo vetëm të saj, por edhe të rajonit”.

Në takimin e kryeministrit Haradinaj me kancelaren Merkel, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb