FIER- Motra e vogël është ulur në një karrige dhe loton, i ati i rri tek koka. Gjyshi puth foton e ia vë sipër arkivolit. Kjo është lamtumira e fundit për 20-vjeçaren Anxhela Martini që u vra barbarisht në Itali.

Të veshur me të zeza, kokë ulur për fatkeqësinë dhe shpresëplotë se një ditë për të do bëhet drejtësi i shohim të gjithë rreth arkivolit të Anxhelës, siç duket nga pamjet që ka mundur të sigurojë për “BalkanWeb” gazetari Ervis Kuçi.

Familjarët janë të pafuqishëm përballë kësaj fatkeqësie, e dyta në pak muaj (Anxhela humbi nënën 5 muaj më parë) por kërkojnë që për rastin e saj të bëhet drejtësi. Ata thonë se trupi i Anxhelës ishte i dëmtuar dhe me shenja, ndërsa akuzojnë autoritetet italiane se nuk kanë sjellë një ekspertizë për të mësuar shkaqet e vdekjes.

Pengu më i madh i tyre është se nuk dinë kush është autori i kësaj ngjarje. “Rashë nga makina”, ka mundur të thotë Anxhela mbrëmjen e 10 qershorit kur u transportua në spital, aty ku dhe mbylli sytë krejt e vetme.

Shumicën e detajeve familjarët i kanë mësuar nga mediat italiane. Dritan Meçani, babai i Anxhelës konfirmoi për “BalkanWeb” pak kohë më parë se e bija ishte larguar nga Fieri me një djalë. Ajo më pas ishte martuar me një burrë të madh në moshë, por që nga ajo ditë nuk ishte kthyer kurrë në shtëpi, pasi nuk kishte dokumente. Madje e reja nuk kshte mundur të kthehej as 5 muaj më parë në Fier, kur iu nda e ëma nga jeta.

NGJARJA
Shqiptarja Angela Meçani u hodh nga një makinë në ecje e sipër në Torino dhe gjeti vdekjen një ditë më pas në spital (e diel 10 qershor). Vajzës i është gjetur një dokument identifikimi në rrobat që mbante veshur por edhe telefoni celular, të cilin e kanë sekuestruar tashmë hetuesit.

Referuar dokumenteve të saj të identifikimit Anxhela Meçani rezulton të ketë lindur në Fier më 1 mars 1998. Në Itali ka mbërritur kur ishte minorene. Zyrtarisht ajo banonte në Ravenna, në një apartament në mes të qendrës historike, pak hapa larg nga Piazza del Popolo.

Shkurtin e kaluar ajo ishte martuar, por pak muaj më vonë ishte larguar nga shtëpia dhe kishte humbur çdo lidhje me bashkëshortin e saj italian. Mediat italiane nuk e përjashtojnë mundësinë e gjetjes së një partneri tjetër.

Por prej disa javësh ajo ishte rishfaqur sërish në Torino. Që nga fillimi i muajit maj, vajzat që shesin trupin me 30 euro rreth zonës së Stupinidit e kujtojnë atë si “njëra prej të rejave” në atë zonë. Ka shumë gjasa që edhe mbrëmjen e së shtunës ajo të ishte në punë, kur makina i ndaloi tek këmbët dhe e ftoi brenda. Nga vendi ku qëndrojnë prostitutat deri në vendin ku është gjetur trupi i saj nuk është më larg se 2 kilometra.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb