Kulla e Sahatit në Tiranë u ndriçua mbrëmjen e sotme me ngjyrë portokalli, një ndër ngjyrat zyrtare të fushatës UNiTE të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, si pjesë e fushatës globale për të përkujtuar 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Të pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Koordinatori i Përhershëm i OKB Brian Williams si dhe përfaqësuesi i UN Women, Giuseppe Belsito.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi këtë moment si mjaft special që synon përfshirjen e grave dhe vajzave në mënyrë të barabarta në çdo vendimmarrje si dhe gjetjen e zgjidhjeve për t’i dhënë fund dhunës. “Nga të gjitha ndriçimet, ky që bëjmë tani është më speciali se ka një mesazh shumë të veçantë sepse bëhet në një fushatë që unë e kam shumë përzemër, që nga koha që kam punuar në ministri dhe jam përfshirë më shumë në çështjeve e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe sidomos në emancipimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe besoj që do të më shoqërojë gjithë jetën”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës bëri me dije se mbi 65 për qind e stafit të punonjësve të Bashkisë së Tiranës janë gra dhe vajza. “Shumë njerëz thonë bravo bashkia, shumë mirë bashkia, i lumtë bashkisë, por ndërkohë shumë pak njerëz e dinë që 65 % e Bashkisë së Tiranës janë gra dhe vajza. Nëse një gjë bëhet mirë në bashki, mendoni që 65 % e kësaj merite është e grave dhe e vajzave të bashkisë. Për herë të parë ne kemi në Bashkinë e Tiranës, në Këshillin Bashkiak, ku merren vendimet, më shumë gra dhe vajza se sa burra edhe djem. Këto janë disa shenja inkurajuese që ilustrojnë në fakt emancipimin dhe progresin që kemi bërë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se ndonëse Tirana renditet mes 10 qyteteve me numrin më të ulët të krimeve ndaj personit në Europë, sfidë mbetet krimi brenda familjes. “Në qoftë se e marrim seriozisht jo vetëm këtë 16 ditësh, por në qoftë se e marrim seriozisht në mënyrë ditore këtë çështje të emancipimit dhe të kuptojmë që evropian nuk na bën hapja e negociatave, evropian na bën mënyra se si sillemi këtu. Ndaj unë ju ftoj të gjithëve që me kujtimin e kësaj ndezje të posaçme secili prej nesh duhet të kuptojë se ka një mision. Sigurisht ju mund të thoni që misionin kryesor e kanë ata që e kanë për detyrë. Unë besoj që jo vetëm ata që e kanë detyrë që mundohen ta bëjnë këtë punë si një punë të përditshme, por secili prej nesh e ka në dorë nga mënyra se si trajton gratë, zonjat, vajzat në shtëpinë e vet, në shkallën e vet, në vendin e vet të punës”, deklaroi Veliaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb