KOSOVE- Një qytetar nga Kosova me emrin Lachy Limani, dyshohet se ka ndikuar që prokurori special, Elez Blakaj, të ndjehej i pasigurt dhe te japë dorëheqjen.

Një ditë para se të shpallej aktgjykimi kundër imamit Shefqet Krasniqi, Lachy Limani i kishte shkruar një mesazh në Facebook, prokurorit Blakaj me fjalët: “Dënoi kriminelët e jo hoxhallarët”.

Prokurori Blakaj, këtë rast e ka raportuar në Polici, e cila ka marrë masa për mbrojtjen e jetës së tij dhe të familjes. Blakaj, ishte intervistuar nga Policia dhe kishte dëshmuar se ndjehej i shqetësuar për familjen e tij për shkak të rasteve të terrorizmit.

Ndonëse në atë kohë, prokurori hetonte edhe manipulimet me lista të veteranëve ai nuk ka raportuar asnjë rast të kërcënimit apo presionit për këtë hetim.

Insajderi, ka zbuluar se Lachy Limani predikon fenë islame dhe në paraqitjet e tij publike në Facebook, ka qëndrime radikale dhe ka bërë thirrje për zhdukje të Izraelit. Ai poston deklarata kundër të krishterëve dhe ka urrejtje të madhe kundër kryeministrit, Ramush Haradinaj, të cilin e quan “shka”.

Mesazhi që ka dërguar Limani në adresë të prokurorit, nuk ka përmbajtje kërcënuese, pavarësisht se është vlerësuar si i tillë.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb