“Nga deti Adriatik vjen një nga alarmet më të mëdha për terrorizmin në Itali. Dhe Puglia është kufiri i këtij rreziku”. Kështu e nis artikullin për Shqipërinë La Repubblica e cila thotë se Italia nuk i trembet as emigrantëve e as azilkërkuesve por shqiptarëve të radikalizuar. Në artikull citohen burime hetimore të inteligjencës italiane.
La Repubblica per Shqiperine

SHKRIMI
Nuk kanë lidhje flukset migratore. Alarmi nuk ka të bëjë as me anijet e të dëshpëruarve që prekin brigjet e Salentos dhe as me mijëra azilkërkues që në pritje të lejes së qëndrimit, dërgohen në Bari, Foggia apo zonën e nxehtë të Tarantos.

Alarmi vjen nga Shqipëri. Aty ky shërbimet italiane të inteligjencës, ashtu si pjesa më e madhe atyre të vendeve perëndimore, kanë ngritur alarmin e radikalizmit: në disa fshatra dhe në veçanti ato në kufi me Kosovën, prej kohësh valëvitet flamuri i ISIS. Dhe janë gjithnjë e në rritje rastet e radikalizmit.

“Po kthehet në një fuçi baruti”, thotë një burim i kualifikuar hetimi italian. “Nisur nga kjo, Italia po kthehet në një vend të ekspozuar. Dhe Puglia në veçanti”. Kjo për shkak të afërsisë gjeografike, pranisë së komunitetit të radikalizuar thellë dhe për ato lidhjet e ngushta mes krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.

RASTI I SHQIPËRISË
Që prej lindjes së Shtetit Islamik, një numër i madh i luftëtarëve të huaj është nisur nga vendet e Ballkanit dhe sidomos nga Shqipëria. Mendohet se janë 1000 nga Shqipëria. Në 12 muajt e fundit, megjithatë, fluksi i luftëtarëve nga Shqipëria është reduktuar në mënyrë të konsiderueshme. Nuk është rastësi: humbja e terrenit në Siri ka shtyrë ISISI të bllokojë udhëtimin e atyre që duan të lëvizin, në fakt, duke e zhvendosur konfliktin në Perëndim.

Nuk është rastësi që inteligjenca europiane vëren se ka një radikalizim gjithnjë e më të madh përgjatë këtyre muajve të fundit. Një alarm që në një farë mënyre, autoritetet shqiptare po përpiqen ta përballojnë.

Nëntë persona janë dënuar për rekrutim dhe ka një përpjekje për të kontrolluar xhamitë, ndonëse 89 të tilla rezultojnë jashtë kontrolli. Shërbimet shqiptare kanë sinjalizuar si “tepër të rrezikshëm” dhjetëra imamë, dy prej të cilëve janë në burg. Më u rrezikshmi prej tyre, Almir Daci, për të cili u tha se kishte vdekur prillin e shkuar në Siri. Është pikërisht ai, i cili nga Leshnica në juglindje të Shqipërisë ku drejtonte një xhami, ka radikalizuar më qindra burra. Djemtë e Leshnicës, Zagoricanit dhe Rremenit janë ata që sot i fusin të dridhurat Europës.

RRJETI NË PUGLIA
Nuk bëhet fjalë për qytete dosido. Në Itali jetojnë prej kohësh në komunitetet e origjinës të asaj zone. Në veçanti në Puglia, të përqendruar në Salento dhe në një komunë të provincës bareze. Një djalë i këtyre zonave, Ervis Alinj, ishte transferuar që kur ishte i vogël në Puglia, për t’u kthyer më pas në shtëpi tek prindërit e tij në Shqipëri. Këtu u radikalizua dhe rreth dy vjet më parë u vra, teksa luftonte në Siri. Nga juglindja e Shqipërisë vijnë eksponentë të lidhur edhe me krimin e organizuar puljez, që jetojnë prej kohësh në Bari dhe janë aktivë në veçanti në trafikun e lëndëve narkotike dhe armëve.

Faktor ky që e bën potencialisht edhe më të rrezikshme situatën, sepse kjo krijon lidhje mes krimit të organizuar me atë terrorist. Jo më kot, hetuesit po punojnë prej kohësh me celulën shqiptare në Bari. Pas masakrës së Nicës u hap një dosje, por vetëm kaq, më shumë se një pistë hetimore, bëhet fjalë për një sugjerim.

Chokri Chaffroud, bashkëpunëtori i Mohamed Bouhlel, autori i sulmit në Nice kishte jetuar prej vitesh në Gravina, ku jeton një prej komuniteteve më të rëndësishme shqiptare, të përfshirë në shumë aktivitete kriminale. Ishin pikërisht shqiptarë, dy të dyshuarit si bashkëpunëtorë të Bouhlel, të arrestuar pas sulmit, me akuzën se i kishin dhënë ndihmë logjistike për të kryer atentatin.

PARANDALIMI
Duke qenë se rreziku është i qartë, në këto muaj po merren të gjitha masat. Prokuroria, Antimafia dhe Antiterrorizmi gjatë verës nënshkruan një protokoll me kolegët serbë për shkëmbim të informacioneve. Në këtë sens, porti i Barit, i konsideruar si portë hyrëse është në gjendje të ofrojë një mbështetje thelbësore. Ka një sistem kompjuterik të regjistrimit të pasagjerëve që lejon verifikimin nga forcat e policisë në kohë reale, se kush ka udhëtuar, kur dhe mbi të gjitha nga kush ka qenë i shoqëruar.

Pikërisht falë këtij programi unik në Itali u bë i mundur evidentimi i Ahmed Dhamani, një nga mbështetësit e Salah Abdeslam, terroristi që ndërmori sulmet e 13 Nëntorit të 2015 –ës në Paris. Askush nuk e dinte emrin e tij, por autoritetet në Bari zbuluan që dyshja kishte udhëtuar nga Bari në Patrasso, më 1 dhe më 5 gusht, në atë udhëtim ku me shumë gjasa u organizua edhe masakra.

(Përkthehu dhe përshtati për BalkanWeb: Miranda Kastrati)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb