Gjyqtari Bashkim Dedja i cili u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe kaloi Vettingun tani do të kalojë në një tjetër hallkë.

Atij do t’i duhet që të përballet edhe me Komisionin e Posaçëm të Apelimit (KPA). “Sot, më datë 26.7.2018, Komisioneri Publik, në ushtrim të funksionit të tij kushtetues, depozitoi pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ankimin ndaj vendimit nr. 24, datë 13.6.2018, për subjektin e rivlerësimit z. Bashkim Dedja,” shkruhet në njoftim.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Bashkim Dedja, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë gjyqësore dhe në përfundim të gjykimit të ndryshojë vendimin nr. 24, datë 13.6.2018, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: