TIRANE- Pak pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e liroi, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është drejtuar për në banesën e tij. Tahiri është shoqëruar me një automjet policie për ne apartamentin e tij tek Kodra e Diellit, ndërkohë që nuk ka pranuar që të japë asnjë prononcim për mediat.

“BalkanWeb” mëson se ish-ministri do të qëndrojë brenda ambienteve të shtëpisë, deri sa të ekzekutohet vendimi i gjykatës. Tahiri ka qendruar i izoluar që nga 12 maj, datë kur gjykata caktoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.

Siç pohoi edhe pak më parë avokati i tij Maks Haxhia, Tahiri do të hetohet për përfshirje në trafik droge në gjendje të lirë, pa masë sigurie.
policia shoqeron tahirin ne shtepi

saimir tahiri

Kujtojmë që ish-ministri Saimir Tahiri u përfshi në skandalin e përgjimeve të trafikantëve “Habilaj” kushërinj të tij të largët, të cilëve iu kishte shitur edhe makinën. Në përgjimet e Prokurorisë së Katanias trafikantët e përmendnin si personi me të cilin ndanin fitime.

Pas kësaj nisën hetimet paralele në Itali dhe Shqipëri, por edhe pse prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit. Partia Socialiste e shkarkoi nga të gjitha funksionet dhe prej 6 muajsh ai qëndroi si deputet i pavarur deri më 3 maj, kur dha dorëheqjen nga Kryesia e Kuvendit me një fjalim të gjatë.

Pas daljes së skandalit, Saimir Tahiri u shkarkua nga detyra e ministrit të Brendshëm, konkretisht më 11 mars të 2017-ës. Tahiri ka qenë ndër zyrtarët më të sulmuar nga opozita, PD dhe LSI, ndërsa ndaj tij janë lëshuar akuza të shumta, si përgjegjës për kanabizimin e vendit si dhe bashkëpunim me bandat kriminale.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: