TIRANE- Në një kohë kur ai ndodhet në ‘arrest shtëpie’, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar heqjen e kësaj masë sigurie në Apel.

‘BalkanWeb’ mëson se seanca gjyqësore për Tahirin, i cili akuzohet për ‘trafik droge’ dhe ‘korrupsion pasiv’ do të zhvillohet në datë 28 maj, në orën 13:30. Kutojmë se pak javë më parë gjykata e Tiranës caktoi masën e sgurisë ‘arrest shtëpie’ për Tahirin, ndërkohë që prokuroria kërkoi ‘arrest me burg’.

Avokati i Tahirit, Maks Haxhia më herët shprehu bindjen se masa e vendosur ndaj klientit të tij do të prishet në Apel. “Jemi të bindur që ky veprim do të prishet nga gjykata e apelit pasi pretendimi ynë është pretendim ligjor, sepse për ne është një masë e përsëritur marrë po nga e njëjta gjyqtare dhe një masë që është prishur herën e parë. Kemi të bëjmë me faktin që herën e parë është kërkuar masa më e lehtë ndalimi për të dalë jashtë shteti, ndërsa sot masa më ekstreme dhe kur gjykata e Apelit gjeti pavend daljen jashtë shtetit…”, tha Haxhia.

Kujtojmë që ish-ministri Saimir Tahiri u përfshi në skandalin e përgjimeve të trafikantëve “Habilaj” kushërinj të tij të largët, të cilëve iu kishte shitur edhe makinën. Në përgjimet e Prokurorisë së Katanias trafikantët e përmendnin si personi me të cilin ndanin fitime.

Pas kësaj nisën hetimet paralele në Itali dhe Shqipëri, por edhe pse prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit. Partia Socialiste e shkarkoi nga të gjitha funksionet dhe prej 6 muajsh ai qëndroi si deputet i pavarur deri më 3 maj, kur dha dorëheqjen nga Kryesia e Kuvendit me një fjalim të gjatë.

Pas daljes së skandalit, Saimir Tahiri u shkarkua nga detyra e ministrit të Brendshëm, konkretisht më 11 mars të 2017-ës. Tahiri ka qenë ndër zyrtarët më të sulmuar nga opozita, PD dhe LSI, ndërsa ndaj tij janë lëshuar akuza të shumta, si përgjegjës për kanabizimin e vendit si dhe bashkëpunim me bandat kriminale.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: