TIRANE– Analisti Fatos Lubonja thotë se duhet të bëhet rezistencë për çështjen e Teatrit Kombëtar. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, ai tha se tashmë pritet qëndrimi i Presidentit Ilir Meta për ligjin e Teatrit.

“Projektligji për teatrin është antikushtetues që shkel shumë gjëra. Këtu Parlamenti vepron si një bandë. Dhe kjo gjë vë në dukje gjithë brishtësinë e situatës. Nëse kalohet ky ligj, i bie të ikë opozita nga Parlamenti, dhe të bëhet si një lloj anarkie. Por unë besoj se duhet të bëhet rezistencë.
Tani pritet edhe qëndrimi i Presidentit. Por mungesa e Gjykatës Kushtetuese tregon se sa e vështirë është situata në Shqipëri. Ky është sistem kriminal i një ekonomie kriminale”, u shpreh Lubonja.

Duke komentuar zërat për djegien e mandateve nga deputetët e opozitës, analisti Lubonja tha se me këtë akt, synohet t’i përcillet botës mesazhi se në vendin tonë nuk funksionon demokracia.

“Djegia e mandateve ka një kuptim, që i jep një mesazh ndoshta botës, më shumë sesa vendit, se këtu nuk funksionon demokracia. Unë ngulmoj se problemi i opozitës nuk është te djegia ose jo e mandateve, por tek një lloj jo vendosmërie që ka ajo. Në këtë kuptim, djegia e mandateve është akti i fundit për të treguar se këtu nuk kemi një situatë normale. Pastaj mbetet e hapur nëse Rama do të vazhdojë të qeverisë i vetëm apo do të reagojë. Por ky vendim për të prishur Teatrin është i rëndë. Është një pikë ku ose duhet rezistuar, ose jemi përpara rreziqesh të mëdha”, tha analisti Fatos Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb