DURRES- Është lënë i lirë inxhineri italian Giambattista Intrini i ndaluar një ditë më parë me një pajisje të dyshimtë teksa tentote të hipte në target në portin e Durrësit.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj konfirmon për “BalkanWeb” se inxhineri italian do hetohet në gjendje të lirë, ndërsa pajisja që dyshohej se përdorej për përgjim po i nënshtrohet ekzaminimeve në laborator shkencor.

Burime të policisë së Durrësit konfirmojnë për “BalkanWeb” se kanë mbledhur informacione nga autoritetet italiane për këtë shtetas. Ai rezulton të jetë i pa skeduar dhe nuk është shpallur në kërkim nga Interpoli.

Sakaq, në dëshminë e tij për policinë e Durrësit, italiani ka thënë se pajisja që mbante me vete shërbente për matjen e cilësisë së ujit dhe se po negocionte me një firmë në Shqipëri, pikërisht për të kryer këtë punë.

“Kam ardhur në Shqipëri pak ditë më parë dhe po largohem për në vendin tim. Kam ardhur bashkë me zonjën (shoqëruesen), pasi do të negocionim me një firmë uji të pijshëm. Unë jam inxhinier ujërash dhe kjo pajisje nuk është ashtu si mendoni ju (për përgjime), por shërben për matjen e cilësisë së ujit. Merreni dhe verifikojeni. Është thjesht një pajisje që më shërben për profesionin tim. Nuk kam të drejtë të jap më shumë shpjegime. Nuk ka rëndësi kush janë eprorët e mi. Siç u thashë, jam inxhinier dhe kjo që po më ndodh këtu nuk është aspak normale. Nëse nuk njihni aparatet e matjes së cilësisë së ujit, ky është problemi juaj. Unë dua të largohem menjëherë nga Shqipëria, pasi unë dhe kolegia ime jemi shumë të irrituar me situatën e krijuar”, ka pohuar Giambattista Intrini.

Por ndërsa priten konkluzionet e ekspertizës, për të përcaktuar se për çfarë shërben realisht pajisja që u gjet në posedim të italianit ai është lënë i lirë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: