FRANCE–Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi sot se Serbia nuk do të hyjë “automatikisht” në Bashkimin Europian në vitin 2025, datë e përcaktuar për anëtarësimin e saj dhe se ajo duhet të përmbushë paraprakisht një sërë angazhimesh.

“Nuk mendoj se kjo duhet parë si një datë fikse” – u shpreh ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun serb, Aleksandër Vuçiç në Elize.

“Nëse ajo nuk realizon detyrimet e përcaktuara në programin e negociatave deri në vitin 2025, Serbia nuk ka asnjë mundësi për të hyrë në Bashkimin Europian”, – theksoi ai.

“Nuk bëhet fjalë për të përcaktuar një datë fikse, konkretisht vitin 2025, për t’u bërë detyrimisht pjesë e BE-së”, – shtoi Presidenti francez, i cili do të vizitojë Serbinë në vitin 2018.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker përmendi në nëntorin e shkuar një datë (vitin 2025) për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, shtetet që kanë shënuar më tepër progres në negociata.

“Ne duhet të kuptojmë një gjë. Ne nuk mund të anëtarësohemi përpara se të normalizojmë marrëdhëniet me Prishtinën, përpara se të reformojmë sistemin tonë gjyqësor, para se të zgjidhim çështjet në lidhje me forcimin e shtetit të së drejtës dhe gjithë problemet e tjera. A do t’ia dalim mbanë? Do të luftoj për t’ia arritur’’, – është përgjigjur Aleksandër Vuçiç.

“Presidenti serb përgëzoi gjithashtu Francën për fitoren e saj përballë Kroacisë në finalen e Kupës së Botës në futboll. Vlen për t’u theksuar se Serbia, populli serb ndan me ju gëzimin e kësaj fitoreje të madhe”, – u shpreh ai në gjuhën frënge, njofton ata.

BE-ja kërkon marrëdhënie të normalizuara mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat aspirojnë të bëhen anëtare të saj.

Presidenti francez theksoi gjithashtu nevojën e reformimit të BE-së përpara zgjerimit të saj. Nuk i shërbejmë asnjë personi duke gjykuar se BE-ja, e cila nuk funksionon siç duhet, ka tendencë të zgjerohet vazhdimisht pa ndryshuar asgjë në rregullat e saj, përfundoi Macron.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: