SHKUP- Qeveria e Nikolla Gruevskit në Maqedoni, në vitin 2011 i shkurtoi pagat e deputetëve me tridhjetë për qind në kuadër të masave për zbutjen e pasojave të krizës financiare.

Deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev, thotë se Gruevski me vendim qeverie ka ulur pagat e të zgjedhurve të popullit, ndërsa nga ana tjetër ka vjedhur miliona taksa të qytetarëve, përmes përfitimeve nga investimet e shtrenjta dhe joproduktive.

Ndërsa deputetja e PDSH-së, Merale Ferati, thotë se zvogëlimi i pagave të deputetëve për 30% në mënyrë loligjore cënon parimin demokratik të ndarjes së pushteteve, duke e vënë në pozitë varësie pushtetin ligjvënës ndaj atij ekzektuiv.

Por partia opozitare VMRO-DPMNE nuk ka dashur të komentojë uljen e rrogave të deputetëve nga ish-qeveria e Gruevskit.

Qeveria e re e Zoran Zaevit nuk ka ende një përgjigje nëse do të korrigjojë vendimin e ekzekutivit të kaluar. Nga zyra qeveritare thonë se kompetent për t’u përgjigjur për këtë çështje është Ministria e Financave, sepse masat për uljen e rrogave të deputetëve u vunë në fuqi me arsyetimin se një gjë e tillë bëhet për zbutjen e krizës financiare në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb