Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi tha Maqedonia se akoma nuk ka marrë vendim nëse do të vendosë masë reciprociteti, pas vendimit të autoriteteve kosovare që të ngrisin taksat me 30 për qind shtesë për prodhimet bujqësore që hyjnë në Kosovë, përfshirë këtu dhe ato nga Maqedonia.

Ai këto komente i bëri pas takimit që ka realizuar me ministrin e Zhvillimit Rajonal të Kosovës Rasim Demiri, ku është njoftuar se Qeveria e Kosovës se ka vendosur një taksë doganore prej 30 për qind për importet e produkteve bujqësore, simasë e cila synon të mbrojë bujqit kosovarë dhe prodhimet e tyre.

Ministri Bekteshi tha se Maqedonia nuk ka qenë e informuar në kohë nga Qeveria e Kosovës për vendosjen e kësaj mase mbrojtëse për produktet bujqësore, e që sipas tij, është obligim i Kosovës, pasi është pjesë e CEFTA-s.

Ai tha se do të bisedojë me sekretariatin e CEFTA-s dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate dhe do të analizohen të gjitha ndikimet që mund të reflektohen në Maqedoni, por edhe në rajon, nga kjo masë që ka ndërmarrë Kosova.

“Si ministër i Ekonomisë, marrë parasysh edhe raportet e mira që kemi mes dyja vendeve, jam i interesuar që këto masa të ulemi dhe të analizojmë bashkë të gjitha mundësitë, me të vetmin qëllim që të mbrojmë prodhuesit e prodhimeve bujqësore në Maqedoni, Kosovë po njëkohësish edhe tregtarët që merren më këtë veprimtari në të dyja vendet”, u shpreh ministri Bekteshi.

Nga ana tjetër, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës Rasim Demiri, në pyetjen e gazetarëve se a do ta rishqyrtojë këtë vendim Qeveria e Kosovës, u shpreh i prerë se “vendimi nuk është kundër Maqedonisë, por ka për qëllim mbrojtjen e produkteve bujqësore të Kosovës”.

“Vendimi ka për qëllim që të mbrohen prodhimet buqësore nga Kosova. Kjo masë mendoj se është analizuar mirë dhe besoj se do të jetë në interes të prodhuese nga Kosova të prodhimeve bujqësore dhe e njëjta masë do ketë ndikim pozitiv”, tha Demiri.

Por, bujqit nga Maqedonia thonë se doganimi plotësues pej 30 pë qind të për prodhimet bujqësore që hyjnë nga Maqedonia në Kosovë, do të bëjë që prodhimet e tyre të jenë jokonkurruese në tregun kosovar.

Eftim Shaklev, kryetar i Asociacionit të Bujqve në Maqedoni për Radion Evropa e Lirë thotë se ky vendim do të paraqet një goditje të rëndë për sektorin e buqësisë sepse bujqit kanë planifikuar futjen e pemëve dhe perimeve në tregun kosovar.

“Prodhimet tona me këtë vendim menjëherë do të jenë më të shtrenjta për 30 për qind dhe kjo do t’i bëjë jokonkurruese në tregun kosovar. Në vend se të luftojmë që të jemi konkurrues me kualitet sa më lartë, tani ne si bujq do të kemi luftë për të qenë konkurrues me çmime. Kjo besoj do ta detyrojë edhe Qeverinë e Maqedonisë që të t’u kundërpërgjigjet këtyre masave, kështu që rezultati i fundit do të jetë negativ si për njërën ashtu dhe palën tjetër”, thotë Shaklev.

Ndërkohë, Veljo Tantarov nga Lidhja e Bujqve të Maqedonisë thotë se kjo masë e autoritete kosovare do ta godasë më së shumti Maqedoninë si shtet sepse pikërisht bujqit maqedonas Kosovën e kanë një nga tregjet më të rëndësishme për shitjen e produkteve të tyre.

“Për momentin, sa i përket eksportit të prodhimeve bujqësore në tregun kosovar qëndrojmë më mirë se kurdoherë dhe një masë e tillë do të dëmtojë në masë të madhe interesat e bujqve nga Maqedonia”, thotë Tantarov.

Në listën e prodhimeve bujqësore që do të kenë taskë prej 30 për qind hyjnë: patatet, domatet, specat, trangujt, shalqinj, pjepri, lakra, spinaqi, qepa, fasulet, mollët, dardhat, qershitë, dredhëzat etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb