“Nuk ekziston në asnjë vend të botës që një kryeministër krijon vetë një media dhe nis të ofendojë mediat e tjera”.

Analisti Mark Marku, deklaroi sonte në studion e emisionit “Opinion”, se kryeministri Edi Rama ofendon mediat dhe acarohet me to vetëm atëherë, kur media i prish propagandën.

“Rama ka arritur në atë pikë që shan mediat tradicionale si media kazan, personalisht ka ngritur një media. E quan atë protalin e vet, ERTV. Ku ka një kryeministër në botë që pretendon të ndërtojë një media vetë dhe të sulmojë nga krahu tjerët gjithë sistemin mediatik”,- theksoi Marku.

Në lidhje me ofendimin ndaj gazetarëve, ai tha më herët, se nëse është rreziku i diskretitimit të Shqipërisë, nuk është problem i gazetarëve, por është një problem i qeverisë që ka krijuar problemin.

Sipas tij, nuk mund të kërkosh fajin tek gazetarët që pyesin se pse në vend ka kanabis. Marku tregoi se në çdo vend të Europës, një qytetar ka të drejtë të kërkojë informacion në çdo zyrë të qeverisë dhe këtë të drejtë ia jep ligji.

Për këtë rast, Marku theksoi se kjo gjë ndodh, pasi Rama ka filluar të mos pranojë atë informacion që i vjen nga mjedisi i jashtëm, i cili nuk përshtatet me pritshmëritë personale.

“Ekziston një lloj autizmi që kalon në çdo qeveritar shqiptar pasi kalon një periudhë qeverisje. Nuk ka dëshirë të dëgjojë asgjë nga jashtë. Duke pasur këtë dëshirë për të mos marrë informacione negative, ndërpret çdo kontakt me burimet e tjera që nuk i sjellin informacione që nuk i do ai. Rama kërkon që ambienti t’i sjellë mesazhe që do ai”,-tha Marku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb