VLORE – Në Selenicë sot mbahet ditë zie. Masakra me 8 viktima në fshatin Resulaj të Vlorës, tronditi jo vetëm qytetin bregdetar por të gjithë Shqipërinë.

Tre ditë më parë, pasditen e së premtes, lajmi i kobshëm për vrasjen e 8 pjesëtarëve të fisit Zykaj bëri jehonë deri tek mediat ndërkombëtare.

Vendimi për ditë zie u mor nga Këshilli Bashkiak i Selenicës në nder të viktimave të vrarë.

Në një postim në facebook, referuar masakrës, Bashkia Selenicë shkruan se Secili prej nesh duhet të ndihet përgjegjës për këtë ngjarje të këtyre përmasave, që nga familja, komuniteti, fshati, Bashkia, policia e shtetit, institucionet arsimore dhe organet ligjzbatuese!

Postimi i Plotë:
Bashkia Selenicë në ditë zie! Ngjarja tragjike e tre ditëve më parë, ku humbën jetën tetë persona të një familje tronditi mbarë opinionin shoqëror. Jo vetëm të bashkisë Selenicë,por të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
Kjo dhimbje e madhe detyroi kryetarin e Bashkisë dhe këshillin bashkiak për të shpallur ditën e hënë datë 13.08.2018 ditë zie për Bashkinë Selenicë. Secili prej nesh duhet të ndihet përgjegjës për këtë ngjarje të këtyre përmasave, që nga familja, komuniteti, fshati, Bashkia, policia e shtetit, institucionet arsimore dhe organet ligjzbatuese! Ne, komuniteti i bashkisë Selenicë ndajmë dhimbjen me familjarët dhe njerëzit e afërt të të ndjerëve. Kurajo dhe forcë pjestarëve të familjes që pësuan tragjedinë.
Le të prehen në paqe shpirtrat e pafajshëm të cilëve jetën ua preu në mënyrë mizore dora e një vrasësi, mbi të cilin drejtësia duhet të veprojë pa mëshirë. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë banorëve të Bashkisë, institucioneve, bisneseve që operojnë në territorin e kësaj bashkie, të respektojnë në mënyrën korrekte këtë ditë zie.

Ngjarja

Të premten orës 18:00 në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë u njoftua për vrajsen e 8 personave që i përkisnin dy familjeve Zykaj. Çdo gjë nisi për pulat. 24-vjeçari Ridvan Zykaj u akuzua nga një prej grave të familjes gjatë një drekë familjare  se i kishte vjedhur pulat. Kaq u desh që 24-vjeçari të vriste në pak minuta 8 persona , dy prej tyre fëmijë.

Viktimat
1- Demir Zykaj, 75 vjec (Vellai i gjyshit të autorit)
2- Ferie Zykaj, 72 vjece, (Gruaja e Demirit)
3- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i demirit)
4- Vasilika Zykaj, (Gruaja e Besimit)
5- Sara Zykaj, 17 vjeçe (Vajza e Besimit)
6- Ledjon Zykaj, 6 vjec (Djali i Besimit)
7- Azem Zykaj (Djali i Demirit)
8- Afërdita Zykaj (Gruaja e Azemit)

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb