Mohamed Salah, futbollisti i Liverpool, ka firmosur kontratën e re me klubin anglez. 26-vjeçari i cili është me pushime pas eliminimit nga Botërori, ka pranuar të hedhë të zezën mbi të bardhë për 5 vite të ardhshme, deri në 2023.

Lajmin për rinovimin e kontratës e dha vetë futbollisti, por edhe trajneri Jurgen Kloop që u shpreh: “Rinovimi i Salah është shpërblim për një person që ka kontribuar shumë për skuadrën dhe klubin. Rinovimi tregon qartë që ai beson te Liverpuli dhe Liverpuli beson te ai”.

Me marrëveshjen e re Salah do të përfitojë 2 fishin e asaj që merrte në sezonin e parë në “Anfield”. Nga 100 mijë stërlina në javë paga e ‘faraonit’ ka shkuar në 200 mijë stërlina në javë, 9.6 mln stërlina në vit.

Bie në sy se në kontratën e re nuk ka klauzolë largimi. Në këtë mënyrë skuadrat e interesuar për shërbimet e Salah, si Real Madrid, do ta kenë thuajse të pamundur ta transferojnë futbollistin.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb