TIRANE– Gjatë mbledhjes së Këshillit bashkiak të Tiranës është miratuar projekti për mbjelljen e pishave të buta në autostradën Tiranë-Durrës. Projekti për mbjelljen e pishave u miratua me 31 vota pro, ndërsa Këshilltarët e PD u larguan pak para se të niste votimi i rendit të ditës.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se palmat e thara do të zëvendësohen me mbjelljen e pishave të buta pasi ky aks është i rëndësishëm dhe nuk mund të lihet në baltë. Por anëtarët e LSI u shprehën se ky projekt që kushton 2,5 milionë euro duhet të shkonte për punë më të rëndësishme në kryeqytet.

Mirela Bogdani nga FRD: Këto palma u thanë se janë blerë në Dubai dhe nuk janë palma mesdhetare. Pse duhet të përdoren buxheti i bashkisë për këto pisha kur mund të përdoret për punë më të rëndësishme.

Arbjan Mazniku: Është një zonë që i përket Tiranës dhe e rëndësishme. Pisha ka më pak nevojë për kujdes dhe ne gjykojmë që hyrja e qytetit nuk duhet të lihet në baltë.

Kryetari i këshilltarëve të LSI, Eltjon Halimi: Duhet parë nëse ja vlen investimi për të mbjellë pisha të buta. 2,5 milionë euro për pisha mendojmë se janë shumë dhe duhet të investohen për gjëra më të rëndësishme që ka nevojë qyteti.

Gjithashtu janë miratuar edhe disa ndryshime në buxhetin aktual të Tiranës ku parashikohet rishpërndarja e fondit të investimeve dhe shpenzimeve korrente brenda Programit të Shërbimeve Publike Vendore, Programit të Planifikim Menaxhim Administrimit, Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit, Programit të Menaxhimit të Rrugëve dhe Transportit, Programit të Rendit dhe Mbrojtjes Civile, Programit të Ujësjellës Kanalizime dhe Programit të Strehimit dhe Planifikimit të Territorit për vitin 2017 si dhe rishpërndarjen e fondit të investimeve brenda Programit të Menaxhimit të Rrugëve dhe Transportit Publik dhe Programit të Kujdesit Social për vitin 2017.

Një tjetër vendim i këshillit Bashkiak ditën e sotme është dhe ai për të shtuar numrin e edukatorëve në çerdhe dhe në kopshte me 46 punonjës të rinj duke e çuar numrin total në 717. Kryebashkiaku Veliaj sqaroi se ky propozim vjen si nevojë e përmirësimit të shërbimit në institucionet paraarsimore dhe për të arritur standardet optimale të shërbimit në të 33 çerdhet e Tiranës, duke ruajtur raportin 1 kujdestar për çdo 5 fëmijë latantë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb