Është mbledhur sot “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, ku të pranishëm ishim presidenti Ilir Meta dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit gjatë fjalës së tij propozoi një kalendar për dhurimin vullnetar të gjakut që do të nisë nga zbatimi në shtator.

“Ajo që propozojmë konkretisht është që secila bashki të sjellë pranë këtij Sekretariati një Kalendar praktik duke filluar që pas pushimeve, pra që në shtator kur fillon viti i ri shkollor, kryesisht me fokus në universitete dhe në gjimnaze. Në Tiranë ne e kemi një përvojë të mirë të një rrjeti kapilar dhe në qendrat e banuara me ndërlidhësit me komunitetit, me administratorët e pallateve. Pra nuk shoh asnjë arsye pse të mos shkojmë deri në këtë nivel kapilar. Kur qytetarët e Tiranës mund të dhurojnë 126 mijë pemë, sigurisht që 20 mijë veta dhurojnë 20 mijë qese”, tha Veliaj. Ai tha mes të tjerash se qytetarët e Tiranës do të vijojnë të punojnë me këtë frymë solidariteti.

“Kam një besim të plotë se nëse do të vazhdojmë me këtë frymë, edhe nga të gjithë popullata do të kemi një përgjigje jashtëzakonisht pozitive, kështu që ne do të angazhohemi që të jemi të parët dhe të dorëzojmë një kalendar aktivitetesh. Shumë faleminderit për nismën dhe mezi presim të përveshim mëngët dhe t’ia fillojmë kësaj pune”, pohoi Veliaj.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta theksoi rëndësinë që ka ngritja e këtij rrjeti solidariteti në të gjithë vendin dhe apeloi për rritjen e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut. “Ngritja e një rrjeti të solidaritetit për dhurimin e gjakut në të gjithë Shqipërinë për përfshirjen e shoqatave dhe të kryetarëve të bashkive përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme publike si koncerte, apo aktivitete sportive duke u fokusuar sidomos në zonat më me prioritet ku dhe kërkesat janë më të mëdha, sidomos sa i takon kategorisë së Talasemikëve si Lushnja, Fieri etj. Krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për dhuruesit e gjakut duke e bërë eksperiencën e dhurimit të gjakut një proces të sigurt. Sigurimi i dhuruesve që kontribuojnë rrallë duke i kthyer në kontribues të rregullt dhe krijimi i një statusi të veçantë për ta”, nënvizoi Meta.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb