TIRANE – Deputetja e LSI-së, Silvi Caka, në një deklaratë për mediat i ka drejtuar disa pyetje kryeprokurores së Përgjithshme, Arta Marku, duke qenë se sipas saj kryetari i komisionit të ligjeve mbylli mbledhjen.

Caka tha se Manja e mbylli mbledhjen kur pa që kryeprokurorja Arta Marku u gjend në vështirësi pas pyetjeve të bëra nga opozita.

“Sot mazhoranca, me gjithë arrogancën që e karakterizon siç zgjodhi në mënyrë antikushtetuese kryeprokuroren e përkohshme të Përgjithshme, ashtu e shpëtoi edhe nga pyetjet që iu bënë nga deputetët në Komisionin e Ligjit. Duke shkelur rregulloren e Kuvendit me të dyja këmbët, kryetari i Komisionit, mbylli në mënyrë të paligjshme mbledhjen kur raportonte kryeprokurorja e Përgjithshme në lidhje me çështjet e kriminalitetit në vend. Deputetët kishin një mori pyetjesh për t’i bërë kryeprokurores së zgjedhur nga Rama, por kur kryetari  e pa që ajo ishte në vështirësi, mbylli mbledhjen. Kryprokurorja po u përgjigjej me “Nuk e di”, “Nuk kam informacion”, duke mos ezauruar asnjë çështje shqetësuese e kompromentuese. Frikën e Edi Ramës dhe degradimin e tij po e shohim çdo ditë me urdhrat që u jep ushtarëve të tij për të mbrojtur lidhjet e errëta të qeverisë me krimin.

Meqë u bë e pamundur t’ja bënim pyetjet atje, nga LSI po i drejtojmë pyetjet Markut për abuzimin e ministrit Gjiknuri me fondet, për konçensionet, pse prokuroria mbylli çështjen që LSI e ngriti si Padi ndaj Ramës për thirrjen që u drejtoi policëve që të hiqnin kapelet dhe të kërkonin votën për PS-në? Një tjetër pyetje ka të bëjë me kuksianët,, A bie dakord prokurorja për proceduarat e arrestimit të kuksianeve?

Ne do të kërkojmë që të thërrasim edhe njëherë Arta Markun në Komision për t’iu përgjigjur pyetjeve”, tha Caka.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: